Kostoja e STËRMADHE që paguan shqiptarët për Rrugën e Kombit…

0
187

Kryeministri Edi Rama u përpoq të mbrojë vendimin e tij (dhe të paraardhësit të tij) për të dhënë me koncesion rrugën më të shtrenjtë në Shqipëri me parashikime apokaliptike për rrëzimin e saj si dhe me argumentin se vendi paguan shumë interesa për borxhet e marra për ndërtimin. Për të parën vështirë se mund të thuhet gjë. Zakonisht janë profetët ata që parashikojnë të ardhmen. Për këtë të dytën janë disa fakte që hedhin poshtë pretendimin.

Protestues duke dhunuar taksën mbi rrugën e Kombit më 31 mars 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Ka disa gjëra që kanë ndodhur në Shqipëri përgjatë dekadës së fundit. 1. Euro në vitin 2008 kushtonte 122 lekë. 2. Pas vitit 2009, euro kushtoi 140.1 lekë deri në vitin 2016. Pas vitit 2016, euro kushtoi mesatarisht 135 lekë.

Nga viti 2007 deri në vitin 2010, qeveria shqiptare angazhoi mbi 1 miliardë euro për të ndërtuar një autostradë nga Rrësheni deri në Morinë. Afërsisht gjysma e rrugës u financua me të ardhurat vjetore të buxhetit të shtetit ndërsa gjysma u financua me borxh.

Kostoja e stërmadhe e rrugës së Kombit bëri që leku shqiptar të tronditej pas një stabiliteti gjashtëvjeçar në kuotën 122 lekë për euro. Ai u zhvlerësua me 14.7%. Çdo shqiptar, pavarësisht nivelit ekonomik pagoi me inflacion këtë zhvlerësim. Nëse një varfanjak në ndihmë ekonomike bleu një thes me miell, ky thes kushtoi 14.7% më shtrenjtë. Dhe nëse një i pasur bleu një makinë lukzose apo një palë çorape Hugo Boss, ai pagoi gjithashtu 14.7% më shtrenjtë. Përgjatë kësaj kohe, qeveria arkëtoi 14.7% më shumë taksa për çdo euro mall të importuar. Përgjatë një viti të zakonshëm, Shqipëria importon mbi 4 miliardë euro mallra, mbi të cilat, qeveria takson 20% Tatim mbi Vlerën e Shtuar plus tarifa doganore dhe akciza, kur bëhet fjalë për naftë, cigare e mallra të tjera. Përgjatë 9 viteve të fundit, Shqipëria ka importuar mbi 30 miliardë euro mallra. Zhvlerësimi i lekut, i shkaktuar drejtpërsëdrejti nga Rruga e Kombit e ka paguar tashmë shumëfish koston e borxheve të rrugës së Kombit.

Jo vetëm kaq. Në vitin 2014, viti i parë i ardhjes në pushtet, qeveria e Kryeministrit Edi Rama rriti barrën fiskale të shqiptarëve me mbi 300 milionë euro. Në vitin 2015, një rritje tjetër me afërsisht 200 milionë euro. Në vitin 2016, këto rritje taksash do të mjaftonin për të shlyer brenda një viti të gjithë borxhin e krijuar nga Rruga e Kombit. (Sa për rikujtesë, taksat mbi karburantet ishin rreth 60 lekë për litër në vitin 2013 dhe janë 95 lekë për litër sot. Tatimi mbi fitimin ishte 10% dhe është 15%. Tatimi mbi të ardhurat personale ishte 10% dhe është 15%. Akciza mbi cigaret ishte 70 lekë për paketë dhe është 110 lekë).

Pretendimi se qeveria nuk ka para për ta mirëmbajtur rrugën e kombit, apo çdo rrugë tjetër është i pavërtetë dhe fyes.

Problemi është se qeveria aktuale nuk zgjodhi të shlyejë borxhet me paratë e të ardhurave shtesë nga zhvlerësimi i lekut dhe nga taksat e reja. Ajo zgjodhi të japë koncesione.

Shumë të bukura janë në teori koncesionet: ti angazhon kapitalin privat dhe menaxhimin privat për të dhënë një shërbim publik. Privati rrezikon kapitalin e vet përkundrejt mundësisë për të fituar. Sa më shumë kapital të rrezikojë, aq më shumë para duhet të fitojë dhe anasjelltas. Kur rrezikon pak kapital, do të kesh një normë fitimi më të ulët. Në praktikë kjo nuk është e vërtetë. Kapitali privat nuk ekziston në asnjë prej koncesioneve të dhëna nga Rama. Edhe në koncesionin e Rrugës së Kombit, kompania private ka, sipas bilancit të saj, një kapital të paguar prej 320 milionë lekësh (2.46 milionë euro), koncesioni i Check Up ka pasur një kapital themeltar prej vetëm 200 mijë eurosh. Të tjera koncesione kanë kapitale në nivele të ngjashme. Koncesionari i rrugës së Kombit pret ta rikuperojë kapitalin e tij brenda pak muajsh nga nisja e punës. Me pak fjalë, këtu nuk kemi të bëjmë me angazhim të kapitalit privat në shërbim publik, por me kapital publik në shërbim privat. Kjo nuk është çështje ideologjike. Askush nuk ka pse të jetë kundër koncesioneve për arsye parimore. Kjo është çështje biznesi. Nëse sheh interesin publik, këtë interes nuk e gjen asgjëkundi në asnjë prej kontratave koncesionare të dhëna nga qeveria paraardhëse dhe ajo aktuale. Nuk ka kurrfarë ndryshimi ideologjik mes koncesioneve të mëparshme dhe këtyre aktuale. Ato të gjitha janë taksa private të imponuara mbi shqiptarin përkundrejt premtimeve për shërbime publike të paqena ose të panevojshme.

Pikërisht këto fakte të thjeshta shtynë Fondin Monetar Ndërkombëtar, një institucion aspak ideologjik, të këmbëngulte në mënyrë të përsëritur që Rama “të mos japë koncesione”.

FMN këmbëngul tashmë prej shumë vitesh që kostoja e koncesioneve të Ramës dhe të Berishës të njihen dhe llogariten si borxh publik. Rama nuk e kupton ose nuk dëshiron ta kuptojë. Vlera e koncesioneve të tij arrijnë në mbi 1.2 miliardë euro, nga të cilat, koncesioni i rrugës Durrës-Kukës është rreth 400 milionë. Po them “rreth” sepse vetë Rama nuk ka marrë mundimin të shpjegojë faktet bazë, sa janë paratë që do të marrë koncesionari me atë kontratën që parashikon prani të detit në Kukës, dhe sa para do të japë pas në shërbim të qytetarëve. Me të 2.46 milionë eurot që ka vendosur kapital, kompania koncesionare vështirë se ka rrezikuar ndonjë gjë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është një parti politike në opozitë dhe as ndonjë forcë populiste që dëshiron të mbajë me gënjeshtra shqiptarët. Është një institucion me ekspertizë të lartë. Nëse Rama nuk dëgjon dot shqiptarët, le të dëgjojë FMN-në.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here