Drama e familjes në TK/ Rrefimi i Yllka Mujos: Kam ndjerë në nje cikël jete: dashurinë, tallzet, pak lumturi…

0
176

Violeta Murati

Sfilitja… rrëfimi i rëndë!

yllka mujo artan imami Ndonëse nobelisti Eugen O’Neill kur e shkroi pjesën “Udhëtim i gjatë drejt natës” nuk donte të shfaqej, premtimi nuk u mbajt – skena e gllabëroi me shpejtësi marramendëse dramën. Arsyeja duket te zbulimi që bën vepra në bërthamën e vogël të botës që quhet familje dhe individi përballë saj krejt i zhveshur, i brishtë, i ashpër, i zhgënjyer, i rikthyer në jetë prej ëndrrës dhe fluturimit prapë drejt saj. Dramë e sfilitjes. Kjo arsye e ka mbajtur peng prej 2002-shit edhe regjisorin shqiptar Spiro Duni në kërkim të publikut brenda, në kohën që u kthye nga e kaluara për të lexuar në të tashme shqiptare së cilës i kishte ikur prej kohësh. Kur nuk e gjeti, s’bëri gjë tjetër veç hoqi dorë, duke u rikthyer tani pa konfuzitetin që të jep spektatori. Dje, prezantimi para medias pothuaj ka qenë gjendje “dehje” për gjithë stafin për shkak të turbulencës së gjurmës nga shfaqja, ku kanë hyrë prej kohësh në prova, e që presin të japin premierën nesër në mbrëmje.

Është një dramë e rëndë, potencë psikologjike, “dramë e një trishtimi të vjetër” e ka cilësuar O’Neill, si duket së pari ka prekur vetë aktorët që luajnë Yllka Mujën, Artan Imamin, Lulzim Zeqja, Genti Deçka e Flaura Kureta. Të gjithë kanë pasur rastin dje të japin një pjesë të ndjeshmërisë së tyre, një lloj rrëfimi të nënkuptuar në reflektimin mbi të shkuarën. “Këto ditë aktorët nuk janë vetja, janë personazhet”, – thoshte herë pas here Duni.

Ka qenë një nga rrëfimet e rralla, dje, të aktores Yllka Mujo, e pyetur për reflektimin e ndjeshmërinë që u ka shkaktuar vepra tani në mbarim të saj. Aktore karriere, ajo ka treguar se prania e universit që ka aktori në brendi të tij, i ka dhënë mundësinë të kapërcejë mbi veten, konsideruar personazhin e saj si një nga më të vështira të vëna në skenë, sfiduese. Meri, në luftën e saj me drogën me një natyrë të brishtë, ëndërrimtare, e vetmuar, mbetet brenda izolimit. E ka konsideruar të bukur, por një vështirësi të eksplorimit të vetvetes Mujo. “Ky teatër na ka bërë, duke luajtur personazhe të ndryshme, të njohim veten tonë, janë gjërat të cilat nuk i kemi përjetuar në jetën jashtë teatrit”

Rrëfimi i Mujos ka vazhduar si një mendim që pret trajektoren mes së shkuarës dhe tashmes, si njeriu ndihet në moshën që ka, me ëndrrën që ka pasur, dhe më ditët që jeton: “Të gjithë njerëzit kur arrijnë një farë moshe, që është fëminore në një farë mënyrë, e pastër. Njerëzit kanë një ëndërr, mirëpo jo gjithmonë jeta ta jep këtë shans që ti ta ndjekësh ëndrrën tënde gjatë gjithë jetës. Këto janë raste shumë të rralla kur ëndrra realizohet. Ka ëndrra që mbeten në mes ose në fillim të rrugës, dhe gjithë ajo përsiatje e jetës, drama tragjedi, kërkesa për të mos qenit mirë me veten, në fund fare ka si burim këtë gjë, që ti ke pas ëndërruar dikur. Roli im personazhi, im ka pasur një ëndërr i është ndërprerë në mes, ka rënë në dashuri, ka qenë për ca kohë e lumtur, më pas jeta e ka çuar nëpër tallaze, nëpër dallgë të cilat ajo nuk ishte përgatitur, për nga natyra e saj e brishtë. Në fund fare ajo përfundon sërish te ëndrra e vet. E mbyll finalen e saj. Bëhet një mbyllje e një cikli kaq të madh të jetës për të shkuar prapë tek ajo…”

Në “brengën” e tij, aktori Artan Imami në këtë dramë i ngjitet skenës së teatrit si kryefamiljar, zoti Tajron, i cili bëhet shkaku i të gjitha vështirësive në familje.

Përpiqet të japë në pak fjalë kuptimin e familjes, ashtu si ai e percepton por dhe çfarë i ka shkaktuar shfaqja në reflektim. Duket se vepra i ka gëlltitur rëndë aktorët, që edhe për Imamin rrëfimi mbetet e vetmja përballje: “…Një familje jofunksionale përpëlitet për të komunikuar, për ta dashur njëri tjetrin dhe nuk arrijnë. Nuk marrin rezultatet që dëshirojnë. Plagët e së shkuarës pavarësisht dëshirave tona, janë gjurmë që ndikojnë në marrëdhëniet e përditshme të familjes. Materiali është shumë i rëndë. Një vepër që godet emocionalisht publikun, në gjejmë veten brenda personazheve. Dhe me ato probleme tona të vogla: flitet për njerëz të dështuar, koprracë, të droguar, me fëmijëri të skajshme të varfër. Me këtë dëshpërim të madh që nuk gjejnë gjuhën, të cilët nisen për të thënë të dua, e thonë të urrej. Gjithë kjo përpëlitje e bën interesante pyetjen se si ka mundësi që vazhdojnë si familje?!” Mllefet, keqkuptimet, zhgënjimet janë gjendjet psikologjike që mbajnë pjesën prej së cilës aktorët e regjisori ndihen “të sigurtë” se këto janë arsye që njerëzit kanë për ta jetuar në mënyrë shumë personale dramën e familjes Tajo. Po luajnë një histori për të shkuar tek publiku.

Nëse Imami e ka parë si një lloj katarsisi moral dramën, regjisori Duni e konsideron si më të paktën këtë në vepër, duke thënë se “nuk është e lehtë, gjithë synimi është se duhet të mbash pak dhimbje, falje, ndjesë edhe kur je në buzë të varrit. Por katarsis është një element më pak se gjysma e veprës të paktën në trajtimin tim, dhe në mjeshtërinë e dramaturgut. Këtu është një vepër se nuk ka të bëjë me një vepër që rrotullohet, ka personazhe të dhënë, vepra ka një ngjarje; droga e nënës dhe diagnostikimi në vdekje e djalit të vogël. Unë do mbetem fjalisë së atij burri të madh që i thotë gruas: kur unë të vdes mos e jep këtë dramë gjëkundi, këtë e kam bërë për të sfiliturit. Është një autobiografi që ka bërë për familjen e vet, megjithëse nuk ia mbajtën premtimin në tre vjet e shitën veprën dhe fituan para”.

Dy djemtë e familjes, Xhejmi dhe Edmundi, përkatësisht në rol, Lulzim Zeqja dhe aktori i ri Genti Deçka e shndërrojnë dramën në një ngjarje reale, pasoja e gjithë shkatërrimit të familjes. Djali i madh, i alkoolizuar, i dhënë pas femrave tërheq gjithë fatkeqësinë e familjes.

Në këtë kontekst rolin e tij Zeqja e sheh si një nga meditimet më të forta mbi të vërtetën pse krijohet gjendja, tragjedia

Për mua shfaqja është një analizë e madhe e personazheve. Për momentin ku janë si testim i të parëve të vet. Gjithë vepra analizë për të parë të vërtetën pse janë në këtë gjendje. Spiro ka qenë këmbëngulës për një vërtetësi absolute të veprës. Personazhet siç bëjnë analizën e vërtetë të historisë së tyre, edhe shfaqja besoj se do të ketë këtë vërtetësi”. Më i vogli i familjes Edmundi, mbi të cilin “çlirohet” e godet fati i egër e kanë shtyrë si duket aktorin e ri Genti Deçka të kapërcejë kërkimet, jo vetëm në rolin por dhe të pjesës- gjë që ndeshet shumë rrallë në këtë brez. “Ne jemi shumë të tunduar në jetë për çfarë nuk kemi bërë, apo të penduar se si rrjedha e ngjarjes së jetës sonë na çon në këtë rezultate, në këtë udhëtim të gjatë drejt natës. Një vepër që na vë përballë zgjedhjeve të pabëra, për mundësira që duhet të ishin kapur, të çon në mendim.

Është një vepër familjare, dhe duket e çuditshme se si kaq shumë probleme të mblidhen të gjitha në një familje. Fatmirësisht ne këtu nuk i kemi këto probleme, por secili nga ne, apo publiku që do ta shohë, jam i sigurt që një nga këto gjërat duhet t’i ketë ndodhur pa diskutim në familjet e tyre. Kjo do ta prekë publikun. Arritja e këtyre roleve janë shumë komplekse sado që ne i prekim, pavarësisht se jo gjithçka na ndodh në kurriz. Më është dashur një punë e frikshme, meqë luaj personazh bie pre e fatalitetit, them çfarë të bëj tani, nuk kam çfarë të bëj. Nëse lexon libra mjekësie do zbulosh se i ke të gjitha simptomat e mundshme ndërkohë që lexon. Kështu që edhe unë kur fillova të lexoj pak për simptomat e personazhit tim, u ktheva te vetja duke i parë ato shenja!”

Dhe në mbyllje regjisori thotë: I vetmi mëkat në teatër është nëse spektatori është indiferent.

 

 Yllka Mujo: Përjetova një cikël jete, dashurinë, tallazet, pak lumturi…

“…Roli im, personazhi im, ka pasur një ëndërr, i është ndërprerë në mes, ka rënë në dashuri, ka qenë për ca kohë e lumtur, më pas jeta e ka çuar nëpër tallaze, nëpër dallgë të cilat ajo nuk ishte përgatitur, për nga natyra e saj e brishtë. Në fund fare ajo përfundon sërish te ëndrra e vet. E mbyll finalen e saj. Bëhet një mbyllje e një cikli kaq të madh të jetës për të shkuar prapë tek ajo…”

 

Artan Imami: Plagët e së shkuarës, larg dëshirës janë gjurmë…

“…Plagët e së shkuarës pavarësisht dëshirave tona, janë gjurmë që ndikojnë në marrëdhëniet e përditshme të familjes. Materiali është shumë i rëndë. Një vepër që godet emocionalisht publikun, në gjejmë veten brenda personazheve. Dhe me ato probleme tona të vogla: flitet për njerëz të dështuar, koprracë, të droguar, me fëmijëri të skajshme të varfër. Me këtë dëshpërim të madh që nuk gjejnë gjuhën, të cilët nisen për të thënë të dua, e thonë të urrej”.