LANÇ “zbret” në Kuvend, përplasje Meta-Topalli

0
187

 Florenc Drizari

topalli ne kuvendIlir Meta: Kongresi i Përmetit vendosi çlirimin e Shqipërisë dhe zgjedhjet e lira

 Jozefina Topalli: I pari që tradhtoi atë pjesë të pastër të luftës dhe vrau komandantët ishte Enver Hoxha që ti e mbron

Rikthimi i fotove të Enver Hoxhës në ditën e përkujtimit të “Kongresit të Përmetit” më 24 maj në Përmet u shoqërua me debate edhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Kryeparlamentari Ilir Meta tha se do të shkojë çdo 24 maj në Përmet për të kujtuar kontributin e atij kongresi, duke vlerësuar gjithashtu edhe rolin e LANÇ (Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare) në çlirimin e vendit, ndërkohë që gjatë këtyre deklaratave ndërhyri edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e quajti një ekstremizëm ndaj Enverit.

Deputetja Jozefina Topalli u shpreh se sulmi ndaj deputetit Strazimiri është një akt i rëndë dhe i orkestruar nga Kryeministri. “Për opozitën ka vetëm një rend dite, implikimi në trafikun e drogës dhe ngjarja e rëndë e 26 majit. Ka filluar të zbatohet platforma e dhunës ndaj opozitës. Po të kthej kokën pas, nuk gjej në 20 vite skenar e plan banditesk si ajo e dy ditëve më parë.  Kam parë deputetë të zihen në këtë sallë edhe t’i bien bilbilave, të gjuhen me grushte, por ato ose ishin reagime gjaknxehta ose vendime politike. Por asnjëra prej tyre nuk ishte mafioze si ngjarja e 26 majit. Është hapur një kapitull tjetër i zi. Kapitulli i mbylljen së gojës në gjuhën e mafies. Kodi i heshtjes në gjuhën e Ramës. Askush nuk duhet të flasë më kundër Edi Ramës, në të kundërt do i mbyllim gojën”, – u shpreh Topalli, e cila komentoi dhe pjesëmarrjen e Kryetarit të Kuvendit në Kongresin e Përmetit.

Në përgjigje të akuzave të deputetes Jozefina Topalli, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se Kongresi i Përmetit vendosi çlirimin e Shqipërisë dhe rreshtoi Shqipërinë në krahun e fituesve. “Jam shumë krenar dhe do të shkoj çdo përvjetor, sepse Kongresi i Përmetit vjen pas atij të Pezës. Unë nuk impresionohem as nga ekstremizmi juaj, as nga ithtarët e Enver Hoxhës. Kongresi i Përmetit vendosi çlirimin e Shqipërisë dhe vendosi dhe zgjedhjet e lira e të ndershme të cilat nuk u mbajtën, por ajo është çështje tjetër. Por e di cili është problemi juaj? Ju e keni problemin me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) që e nxori Shqipërinë fituese. Ky është problemi juaj me 5 Majin, me 29 Nëntorin, me 24 Majin, por ne jemi krenarë për LANÇ-in. Ne nuk e identifikojmë këtë luftë me Enver Hoxhën, por me ata mijëra djem e vajza që derdhën gjakun për lirinë e Shqipërisë”, – theksoi Meta. Gjatë këtyre diskutimeve, edhe pse jashtë rendit të ditës, pati debate jashtë mikrofonit nga deputetët e pozitës dhe opozitës. Ndërkaq, në fjalën e tij, Kryeministri Rama, edhe pse nuk foli për LANÇ-in, i quajti të mjerë ata që shfaqin fotot e Enverit në këto aktivitete, duke ironizuar gjithashtu edhe mbrojtjen dhe përfaqësimin e PD-së nga deputetët Sali Berisha dhe Kastriot Islami. Në replikë me Kryeministrin, të dy deputetët, Berisha dhe Islami, e akuzuan ashpër Ramën për lidhjet e tij familjare me regjimin komunist si dhe për “dashurinë” e tij ndaj figurës së Enverit.

 

Deklarata në Kuvend/ Reagon Ambasada e SHBA-së: Pretendimi, i padrejtë. Berisha: Ju jap provat

 Ambasada e SHBA-së i bën thirrje z. Berisha të reflektojë për sjelljen e tij

 Ish-kryeministri: I vendosur t’i paraqes qeverisë së SHBA-së çdo provë

 

Pas deklaratave të ish-kryeministrit Berisha të bëra dje në sallën e Parlamentit, ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në lidhje me një punonjës të kësaj Ambasade. Përmendja e punonjëses nga Berisha u bë kur akuzoi ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli se qëndron pas arrestimit të gjeneralit Syrja Gjoka. Berisha përfshiu edhe motrën e ministres, punonjëse e OPDAT.

Në reagimin e tyre për mediat thuhet se “Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e skandalizuar me pretendimin e pabazë ngritur ndaj një punonjësi të Ambasadës më herët sot nga z. Sali Berisha, anëtar i Parlamentit, gjatë një seance të Parlamentit. Z. Berisha pretendoi se një punonjës shqiptar i Ambasadës ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces, thjesht mbi bazën e marrëdhënies së punonjësit të Ambasadës me një anëtar të Këshillit të Ministrave. Pretendimi është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë”. Më tej në deklaratë thuhet se “Ambasada e SHBA-së këmbëngul për nivelin më të lartë të integritetit dhe llogaridhënies të secilit anëtar të misionit tonë. Ambasada e SHBA-së i bën thirrje z. Berisha të reflektojë për sjelljen e tij”.

Ndërkaq, Berisha tha dje në Kuvend: “Po e dini ju si është arrestuar Syrja Gjoka. Ka nisur motrën e saj si korbë të zezë në emër të OPDAT, duke folur në emër të misionit, që aty është thjesht punonjëse, duke iu bërë presionin më të jashtëzakonshëm prokurorëve, jo një po dy prokurorëve, që ose Syrja Gjoka në litar, ose ju do humbisni, sepse kështu është vendosur. Kjo është e vërteta, nëse ka njëri të ndershëm mes jush shkoni pyesni në Prokurorinë e Tiranës, se jeni deputetë. A merret kështu një baba, një ushtarak, një ish-gjeneral në detyrë, kafshërisht, siç e mori kjo ndrikull. Unë nuk e njoh s’kam folur kurrë me Syrja Gjokën, por t’i bëhet tjetrit kur dy prokurorë të Tiranës refuzuan, shkoi korba e zezë në emër të OPDAT-it dhe iu bëri presionin më të tmerrshëm”, – është shprehur Berisha. Ndërkohë, pas reagimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, pati edhe një reagim nga ish-kryeministri Berisha i cili vlerëson bashkëpunimin me SHBA-në dhe shprehet i gatshëm të tregojë provat.

 

Reagim i Berishës

Në një reagim pas deklaratës së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, ish-kryeministri Berisha shprehet i gatshëm t’i paraqesë qeverisë amerikane çdo provë në lidhje me pretendimin e tij për ndërhyrjen e punonjëses në hapjen e çështjes penale ndaj gjeneral Syrja Gjokës.

“Lidhur me një deklaratë të Ambasadës Amerikane për një denoncim timin të sotëm në Parlament sqaroj edhe një herë opinionin publik sa vijon: Znj. Alba (Ibrahimi) Vata ka ndërhyrë me insistim që të hapet çështje penale ndaj gjeneral Syrja Gjokës dhe kjo ndërhyrje, që sipas saj, është bërë në emër të OPDAT, është refuzuar nga prokurorët tek të cilët ajo ka ndërhyrë. Nuk kam asnjë dijeni se misioni i OPDAT ka tagër të ndërhyjë në çështje penale të veçanta. Gjykata e Apelit gjeti të paligjshëm arrestimin e gjeneral Syrja Gjokës. Duke shprehur konsideratën më të lartë për Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, mbetem i vendosur t’i paraqes qeverisë së SHBA-së çdo provë lidhur me problemin në fjalë”, – thuhet në reagimin e Berishës.