Konferenca e Kryetarëve/ Komision hetimor për administratën, PD-PS pa konsensus

0
159

Florenc Drizari

konferenca e kryetareve qershor 2014 Halimi: Të verifikohet ligjshmëria e emërimeve në detyrë, gjatë periudhës 15 shtator 2013-31 maj 2014 në administratë

 Ruçi: Afati i shtrirjes së hetimit parlamentar të fillojë nga 2009-ta dhe të përfundojë në 2014-ën

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, Konferenca e Kryetarëve u mblodh dje me praninë e zëvendëskryetarëve të Kuvendit dhe krerëve të grupeve parlamentare e komisioneve kuvendore.

Krerët e grupeve parlamentare nuk gjetën konsensusin për kërkesën e bërë nga Partia Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë gjatë periudhës 15 shtator 2013-31 maj 2014 në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore. Demokratët kërkuan ngritjen e komisionit, ndërsa socialistët bashkë me përfaqësuesit e LSI-së kërkuan zgjerimin e objektit të hetimeve deri në fillimet e mandatit të qeverisjes së kaluar në 2009-ën.

Një ditë më parë, kjo kërkesë u paraqit nga nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Eduard Halimi në Konferencën e Kryetarëve. Në këtë takim Halimi theksoi se kërkesa e paraqitur mbështetet në Kushtetutën e Republikës, në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Opozita, ju e keni parë se ka bërë disa gjetje, disa deklarime lidhur me emërime në detyra në administratën shtetërore, që janë të bazuara jo në meritë, por janë të bazuara në të tjera motive dhe që këta persona ose kanë patur rekorde kriminale ose kanë qenë të dyshuar për lidhje me narkotrafikun”, – tha Halimi. Deputeti i opozitës tha se ky hetim është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, u shpreh dakord në parim për ngritjen e një komisioni të tillë, duke paraqitur disa sugjerime në planin formal dhe kërkuar zgjerimin e objektit të hetimit deri në 2009-ën. “Ky nuk është një fenomen i ri, nuk është i kohëve të fundit dhe që të arrihet në një konkluzion është shumë mirë që pozita dhe opozita të arrijnë në një konkluzion dhe të bëjnë një punë të përbashkët. Lidhur me afatin e shtrirjes së hetimit parlamentar të fillojë nga 2009-ta dhe të përfundojë në 2014-ën. Pra të shtrihet në pesë vitet e fundit”, – tha Ruçi. Në replikë me qëndrimet e kreut të grupit të PS-së, deputeti i opozitës, Halimi, u shpreh se kjo është një çështje që mund të diskutohet dhe për të cilën mund të bihet dakord në seancë plenare. Ndërkaq, mandati i komisionit, sipas tij, mund të zgjidhet duke rënë dakord që komisioni të fillojë punën në shtator.

Kjo çështje në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve u shoqërua me debate edhe nga kryetarët e komisioneve parlamentare. Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, tha se kërkesa e paraqitur kërkon ngritjen e një komisioni hetimor që nuk është i opozitës, por i Kuvendit, ndërsa kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u shpreh dakord me propozimet e Ruçi. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe pati vërejtje lidhur me faktin që në objektin e hetimit sipas propozimit të grupit parlamentar të PD-së përfshihen edhe emërimet në shoqëritë tregtare shtetërore. Ndërkaq, kreu i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Genc Pollo, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e përcakton komisionin hetimor si një instrument parlamentar që ushtrohet nga opozita ndaj mazhorancës. Të njëjtin qëndrim ndau edhe kryerepublikani Fatmir Mediu, ndërsa një alternativë ndryshe propozoi kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Objekti i veprimtarisë së komisionit hetimor është verifikimi i zbatimit të legjislacionit në procesin e emërimeve gjatë periudhës 2009-2013 në administratën shtetërore apo entet publike, por pa hetuar apo nxjerrë konkluzione për çështje në hetim, apo për të cilat gjykata nuk është shprehur me vendim të formës së prerë”, – tha Xhafaj. Në fund të diskutimeve, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, propozoi që objekti alternativ i sugjeruar nga përfaqësues të mazhorancës të paraqitej me shkrim dhe të bëhej objekt diskutimi para seancës plenare si edhe gjatë saj.

 

Debatet në Konferencën e Kryetarëve

 Halimi: Opozita, ju e keni parë se ka bërë disa gjetje, disa deklarime lidhur me emërime në detyra në administratën shtetërore, që janë të bazuara jo në meritë, por janë të bazuara në të tjera motive dhe që këta persona ose kanë pasur rekorde kriminale ose kanë qenë të dyshuar për lidhje me narkotrafikun.

Ruçi: Ky nuk është një fenomen i ri, nuk është i kohëve të fundit dhe që të arrihet në një konkluzion është shumë mirë që pozita dhe opozita të arrijnë në një konkluzion dhe të bëjnë një punë të përbashkët. Lidhur me afatin e shtrirjes së hetimit parlamentar të fillojë nga 2009-ta dhe të përfundojë në 2014-ën. Pra të shtrihet në pesë vitet e fundit.
Braho: Opozita bashkë me mazhorancën ngrenë një komision parlamentar për të hetuar një fenomen të caktuar që lidhet me shkeljet e ligjshmërisë në emërimin e personave. Objekti nuk është domen i opozitës.
Vasili: Ne ngremë komisionin, për të hedhur dritë mbi një fenomen që ka shfaqjet e veta të papërputhshmërisë ligjore dhe të hedhë dritë mbi të dhe ta përmirësojmë
Pollo: Ky nuk është një koncept i ri. Me sa kam lexuar unë, është një koncept bazuar në një kërkim të gjerë dhe të thellë edhe në përvojat e ngjashme të vendeve evropiane
Mediu: Objektin e vendos kërkuesi, ky ka qenë diskutimi. Është kërkuar edhe në sallën e Kuvendit që të kishim një objekt diskutimi më të gjerë dhe nuk është pranuar.
Xhafaj: Objekti i veprimtarisë së komisionit hetimor është verifikimi i zbatimit të legjislacionit në procesin e emërimeve gjatë periudhës 2009-2013 në administratën shtetërore apo entet publike, por pa hetuar apo nxjerrë konkluzione për çështje në hetim, apo për të cilat gjykata nuk është shprehur me vendim të formës së prerë
Meta: Partia Demokratike e ka bërë të qartë kërkesën e saj. Për propozimet që u bënë nga Ruçi dhe Xhafaj dhe që u mbështetën nga përfaqësues të tjerë të mazhorancës, unë mendoj që të paraqiten me shkrim për çështjen e objektit.

 

 Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së/ Rama: Ish-ministra do të dërgohen në Prokurori

 Kryeministri Edi Rama paralajmëroi hetime ndaj ish-ministrave të qeverisjes së djathtë dhe ish-zyrtarëve të lartë. Deklaratat e kreut të qeverisë u bënë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist. Duke folur për luftën kundër korrupsionit, Rama theksoi se qeveria po punon në këtë kuadër.

“Nuk mund të luftohet pa një sistem drejtësie në lartësinë e sfidës. Grupi i punës që ka nisur punën, do të vërë së shpejti një material për të startuar një diskutim të madh dhe për të bërë një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Deri më sot nuk janë bërë këto, për hir të vërtetës, pasi janë çështje që lidhen me zyrtarë shumë të lartë, çështje që lidhen me një sërë fushash me ndjeshmëri të madhe për publikun. Jemi në pritje të rezultateve të Prokurorisë. Ish-ministra do të përfshihen në rrugën e kërkesës për hetim nga ana e Prokurorisë, dhe ish-zyrtarët të lartë do i ndjekin në këtë rrugë”, – tha gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama. “Për ne, në rast se raport-progresi do konfirmojë se qeveria i ka përmbushur të gjitha kërkesat e shkruara për Shqipërinë, qysh para dhjetorit duke nënvizuar se trendi është ai i stabilizimit të bilancit pozitiv, do të thotë që e kemi kryer detyrën dhe pastaj vendimmarrja në KE u takon të gjitha vendeve anëtare dhe siç nuk lidhej në dhjetor, aq më pak lidhet në këtë qershor me vetë Shqipërinë pas zgjedhjeve evropiane që hapën një debat shumë të madh dhe e kanë vënë Evropën dhe BE para dilemash të forta”, – tha Rama. Kryeministri theksoi se raport progresi do të flasë qartë për atë që qeveria ka bërë këta muaj duke theksuar se reformat e thella do të shtrihen në të gjitha fushat.

“Ne nuk kemi asnjë arsye të dyshojmë në faktin se raport progresi do të flasë qartë për atë që jemi të vetëdijshëm që kemi bërë në këta muaj dhe pse do përqendrohet në disa prioritete dhe pse aksioni qeveritar është shtrirë në disa fusha. Ne jemi të vendosur të bëjmë hapa të thella në të gjitha fushat”, – tha ai.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency