o më shumë se një kilometër distancë nga shtëpia ku banon familja e Agim Bucit, tregtarit që u vra gjatë grabitjes në Kamzë, jeton edhe familja e atij që dyshohet se i mori jetën, Vladimir Kurtit. Të dyja familjet janë me origjinë nga Mati dhe thuajse kanë ardhur njëkohësisht në Tiranë.
Familja Buci banon prej 17 vitesh në rrugën “OSBE”, ndërsa familja Kurti ka ardhur një vit më herët, duke ndërtuar shtëpinë në rrugën “Besëlidhja”. Një shtëpi përdhese, që vetëm së fundmi ka marrë formë plotësisht, pasi kryefamiljari, thuajse i vetëm, ka punuar me çfarë ka mundur për të siguruar një strehë për fëmijët e tij. Njëri prej të cilëve tashmë ndodhet në burg për akuza të rënda dhe rrezikon edhe dënimin me burgim të përjetshëm. Petrit Kurti është baba i 6 fëmijëve, 4 djemve dhe 2 vajzave.
Dy djemtë e mëdhenj i ka të martuar, ndërsa tashmë ka në shtëpi një djalë dhe dy vajza. Vladimiri ishte fëmija i tij i fundit. Ai ishte vetëm një vjeç kur familja e tij u shpërngul nga fshati Gurrë e Vogël e Matit, në Kamzë të Tiranës.
E megjithatë më i vogli i familjes, gjatë 8 viteve të fundit e provoi dy herë burgun. Herën e parë, në vitin 2011 për grabitjen e dy taksistëve, ngjarje për të cilën u dënua me 5 vite burgim dhe së fundmi është arrestuar për vrasjen e tregtarit Agim Buci, gjatë një grabitjeje ku u plagos edhe bashkëshortja e tij.
Në rrugën “Besëlidhje” të Kamzës, pas një porte të hekurt ngjyrë gri e murit me blloqe betoni, jeton familja e Vladimir Kurtit. Kur kryefamiljari Petrit Kurti, babai i Vladimirit, hap portën, në oborr shfaqet e shoqja dhe vajzat, me sy të skuqur nga lotët e trishtim, që nuk e fshehin dot. Ata nuk kanë rast vdekjeje, por ndihen fajtorë për mortin në familjen Buci disa metra më tutje, shkaktar për të cilin ishte djali i vogël i familjes, Vladimiri.
Prindërit e tij, Liria e Petriti, janë të dy 55-vjeçarë, por jeta e vështirë, problemet që u ka shkaktuar kryesisht Vladimiri, ua kanë shtuar më shumë rrudhat dhe thinjat. Teksa Petriti bisedon me ne, e shoqja dhe dy vajzat e dëgjojnë dhe qajnë pas çdo fjale që ai thotë. Ato vetë nuk janë në gjendje të shprehen, qoftë edhe për të dënuar veprimin e 28-vjeçarit. Megjithatë, trishtimi në sytë e tyre është i dukshëm.
Edhe babai i Vladimirit më shumë qan sesa flet dhe lotët i duken të sinqertë. Ai vetëm i lutet Zotit, jo për vete, as për të birin, që thotë se nuk e ka më, por për familjen Buci. I lutet që t’u lehtësohet dhimbja edhe pse e di që kjo është e pamundur.