Marrëveshje mes Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit, e ka cilësuar, ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, heqjen dorë nga mandati i deputetit të ish-ministrit të Brendshëm.
Në studion e News 24, Mustafaj tha se ka një marrëveshje mes tyre pas vizitës së Edi Ramës në Berlin.
Mustafaj tha se Ramës i është bërë e qartë në Berlin se kjo çështje do të jetë pengesë që Gjermania të votojë pro hapjes së negociatave me BE.
Mustafaj tha se Tahiri është politikani më shantazhist i politikës shqiptare në 30 vjet, duke shtuar se nëse do të ndihet i kërcënuar, do flasë dhe do tërheqë shumë pas vetes.
Sipas Mustafajt, Tahiri duhet të ishte arrestuar që sot pasdite, nëse Prokuroria ka qenë serioze në kërkesën e saj drejtuar Kuvendit.
“Prokuroria ka bërë disa seanca me komisionin e ligjeve ku kërkoi arrestimin e Tahirit, besoj se do të mjaftonin dy orë pasi Tahiri ka hequr dorë nga imuniteti i tij, në momentin që Parlamenti të bënte me urgjencë procedurat.
Ta arrestojë nëse ka qenë serioze kur ka paraqitur kërkesën në Kuvend, nëse do e lërë në shtëpi siç ka bërë deri tani. Reagimi që presim tani duhet të kishte ndodhur që sot pasdite. Kjo do të tregojë se ngathtësia e prokurorisë është pjesë e sigurisë, hipotezë që mendoj unë, është se një nga garancitë që i ka dhënë Rama, Tahirit, lidhet me qëndrimin e Prokurorisë.
Unë do të doja të lëvizte Prokuroria, por unë po pres. Kur dëgjova dorëheqjen mendova që të paktën ti bëjë kërkesë parlamentit të përshpejtojë procedurat teknike për lirimin nga imuniteti e për ta arrestuar.
Unë nuk di çfarë faktesh ka ai, por leximi i gjuhës së tij e bën atë një njeri të rrezikshëm. Sot ishte shumë serbes, nuk ishte njeri i trembur.
Varet si do sillet Prokuroria ndaj Tahirit, nëse do e shohë veten realisht të kryqëzuar, do përdorë filozofinë e të mbyturit që do tërheqë pas vetes, nisur nga gjuha që po përdor, tregon se do tërheqë shumë”, tha Mustafaj.