Mbyllen zgjedhjet në Kosovë/ Rezultatet paraprake të KQZ: PDK kryeson, e dyta LDK

0
212

LDK paralajmëroi se nuk do njohë zgjedhejt nese vërtetohen manipulimet

zgjedhjet ne kosove 2Qytetarët e Kosovës votuan një ditë më parë për të zgjedhur subjektin e tyre të preferuar dhe pesë kandidatët për deputetë në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Edhe pse të drejtën për të ushtruar votën e paten mbi 1 milion e 782 mijë qytetarë, pjesëmarrja në zgjedhje ishte e ulët. Sipas KQZ-së në zgjedhje votuan 42.8% e popullsisë ose 750 mijë e 112 votues dhe krahasuar me zgjedhjet e vitit 2010 ka një rënie prej 279 votave sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përgjithësisht u fol për një proçes zgjedhor të qetë, por gjatë pasdites pati akuza nga Demokracia në Veprim për mbushje të kutive në disa qendra në Skënderaj. DnV raportoi gjithashtu për rreth 3 mijë parregullsi në të gjithë vendin. Informacionet për mbushje votash në Skënderaj u mohuan nga Daka e KQZ dhe PDK, ndërsa në vendngjarje u nis edhe prokurori Syla. Ndërkaq, LDK paralajmëroi se nuk do njohë zgjedhejt nese vërtetohen manipulimet. Po ashtu u raportua për 10 arrestime, për persona që kishin dhënë rryshfet si dhe të tjerë që kishin votuar më shumë se 1 herë.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve, të vlerësuara shumë të rëndësishme për zhvillimet demokratike dhe për proceset integruese euroatlantike të shtetit të Kosovës, pritet të shpallen zyrtarisht rreth mesnatës nga KQZ, e cila votimet e sotme gjatë ditës i cilësonte përgjithësisht të qeta dhe të rregullta. Rezultatet e votimeve të sotme do të sjellin përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, si dhe qeverinë e re dhe kryeministrin e saj, por edhe koalicionin qeverisës nga koalicionet e mundshme.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 e mëngjesit dhe vazhduan edhe pas orës 19:00 të mbrëmjes në qendrat e votimit ku kishte radhë votuesish. Gjithsej ishin 798 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 374 vendvotime. Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka hapur sot qendrat e votimit, duke u bërë votuesja e parë e zgjedhjeve të parakohëshme në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka votuar në sallën e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë. Jahjaga iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje, sepse vetëm kështu i ndihmojnë shtetit të tyre. Rreth orës 09:50 ka votuar kryeministri i Kosoves Hashim Thaçi në Prishtinë, i cili u shpreh: “Votova për misionin e ri, ashtu siç do të votojë e gjithë Kosova”. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, teksa votoi shprehu dëshirën që të gjithë të dalin të votojnë, sepse sipas tij, zgjedhjet janë mënyra më e mirë që qytetarët të vendosin qeverisjen e tyre”. Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi hodhi votën tha se qytetarët e Kosovës do të votojnë për të ardhmen e vendit, për drejtimin që do të marrë Kosova. Ndërkohë, të drejtën e votës e kanë ushtruar edhe kreu Aleancës Kosova e Re Behxhet Pacolli, kreu i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti dhe kreu i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.

Për pjesëmarrje në zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi 30 subjekte politike, prej tyre, 18 parti politike, 7 iniciativa qytetare, 1 kandidat të pavarur dhe 4 koalicione me gjithsej 1 mijë e 235 kandidatë për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka 120 vende. Por, prej tyre subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje mund të garojnë për vetëm 100 vende, pasi 20 të tjera janë të garantuara për komunitet pakicë. Nga këto vende të garantuara, 10 u takojnë subjekteve nga komuniteti serb dhe 10 të tjera komuniteteve minoritare jo serbe.

 

PDK dhe LDK festë në rrugët e Prishtinës

Rreth orës 22:19- Simpatizantët e PDK-së dhe LDK-së kanë nisur të kremtojnë fitoret e tyre nëpër rrugët e Prishtinës. Pavarësisht, se ende s’kishte rezultat përfundimtar, dy partitë më të mëdha po e konsiderojnë vetën fitues. Ndërsa zyrtarisht, deri më tani, PDK prin edhe me numërimin e një pjesë të votave në tërë Kosovën.

 

Thaci: faleminderit Kosovë!

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi si duket po ndihet më i relaksuar nga rezultatet e para të Exit Pollit, ku PDK-në e paraqesin fituese të këtyre zgjedhjeve. Ai ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen e dhënë. Ndonëse ende është herët deri në rezultatet preliminare, Thaçi i cili është edhe kandidatë për kryeministër, në një fotografi të shpërndarë në Facebook ka falënderuar Kosovën. Pas 50 mijë votave të numëruara, prinë PDK me 38 për qind, LDK me 26 .5 për qind ndërsa AKR nuk e kalon pragun.  PDK: 32.91 %, LDK: 26.40%, VETËVENDOSJE: 9.08%, AAK: 6.71%, NISMA: 6.32%, AKR: 3.16%, SPRPSKA : 8. 25%

 

KQZ: nis numerimi i votave, PDK 32%, LDK 27.31% VV 8.68%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme se nga nuërimi i deritanishëm, ku mësohet të jenë numëruar rreth 25 mijë vota ka këto rezultate: PDK 32%, LDK 27.31%, VV 8.68%, NISMA 6.44%, AAK 6.22%, AKR 3.07% SRPSKA LISTA 8.01%. ndërkaq, sipas sondazheve të para për zgjedhjet në Kosovë, Partia Demokratike del fituese e këtyre zgjedhjeve me 33 përqind. Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 30.04 përqind, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje me 15.2 përqind. AAK-ja sipas Exit Poll-it ka mbledhur 9.1 përqind, e Nisma për Kosovën 5 përqind. E sipas këtyre rezultateve, ajo që nuk hynë në Kuvend është Aleanca Kosova e Re me 3 përqind. Sondazhi gjithashtu nxjerr të dhëna edhe për presionin ndaj votuesve, që në këtë rast thuhet se nuk ka pasur asnjë presion.

 

 Arrestohen dy persona për keqpërdorim të votës

Rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Mitrovicë për shkak të dyshimit të manipulimit me vota përkatësisht dyshimit të dhënies së ryshfetit. Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, ka thënë për “Kosovapress” se njëri nga të arrestuarit ka tentuar në shkollën e fshatit Zhabar të votojë dy herë ndërsa personi tjetër i arrestuar dyshohet për blerje të votave meqë gjatë një kontrolli rutinor policia ka gjetur në automjetin e tij një listë me shumë emra të qytetarëve. Sipas Zahitit me urdhër të prokurorit të dy personat ndodhen në mbajtje për 48 orë. Numri i të arrestuarve deri më tani për keqpërdorim të votës ka shkuar në dhjetë.

 

Kurti: vota e qytetarëve do vendosë fatin e politikës

Ora 11:30- “Procesi zgjedhor në Kosovë është i vlefshëm për demokracinë e shumë i rëndësishëm për shtetndërtimin dhe Republikën e Kosovës” ka thënë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, pas votimit. “Sot qytetarët vendosin, ata e përcaktojnë fatin e politikave të shtetit dhe të politikanëve në institucion. Tash demokracia nuk është e mbyllur në salla e në dhoma të ndërtesave të institucioneve, por ajo është e hapur anë e mbanë Kosovës për të gjithsecilin pa dallime. Sot qytetarët masivisht po bëhen pjesëmarrës dhe vendim marrës për të ardhmen e shoqërisë sonë”, ka thënë Kurti, transmeton KP. KQZ do të dalë sërish në konferencë në orën 16:00.

 

Pacolli: Votoni më të mirin

Kutisë së votimit i është drejtuar ditën e sotme dhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Ai ka votuar në shkollën e lagjes ku edhe jeton, në qendrën e votimit 1927E në shkollën Fillore “Shkëndija”, në Hajvali. Pacolli ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin të votojnë për atë që e konsiderojnë më të mirin.

 

Jahjaga: Zgjedhjet tregojne zhvillimin e shtetit tonë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka votuar në sallën e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë. Në një prononcim për, Jahjaga u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore sepse, siç tha ajo, vetëm kështu i ndihmojnë shtetit të tyre.

“Këto zgjedhje tregojnë pjekurinë e shtetit tonë, është një provë e zhvillimit të shtetit tonë”, ka thënë Jahjaga.

 

Mustafa: Qytetarët të votojnë për qeverisjen e tyre

Apel për të dalë në zgjedhje qytetarëve të Kosovës u ka drejtuar edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa. Ai ka votuar në orën 9:45 në qendrën e votimit nr5. “Besoj se do të fitojnë qytetarët e Kosovës dhe do të doja që të gjithë ata të dalin të votojnë për qeverisjen e tyre. Unë shpresoj që zgjedhjet të jenë të mira, të rregullta, e të japin rezultatet e tyre.”

 

Kryetari i AAK-së, Haradinaj: Qytetarët vendosin për jetën e tyre

Rreth orës 08:00 kutisë së votimit i është drejtuar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Haradinaj ka votuar në Qendrën e Votimit në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, “Dr. Ali Sokoli”, në Prishtinë. Lideri i AAK-së, i cili edhe garon për postin e kryeministrit, ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë, pasi sipas tij me këtë proces vendosin për jetën e tyre. “Sot është ditë e rëndësishme për Kosovën, qytetarët e Kosovës do të votojnë për të ardhmen e vendit, për drejtimin që do të marr Kosova. Ju uroj zgjedhje të lira dhe demokratike” – tha kryetari Haradinaj, në një prononcim për mediat pas votimit.