Për serverin e Tatimeve/ Halimi: Po refuzohet ekzekutimi i vendimit të Kushtetueses, PD s’tërhiqet nga çështja

0
124

Gëzim Saliu

 “Kryetari i Kuvendit ta përfshijë sot në rendin e ditës ekzekutimin e vendimit të Kushtetueses”

halimiPartia Demokratike kërkoi dje nga Kryetari i Kuvendit të fusë menjëherë në rendin e ditës në seancën e sotme parlamentare kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për serverin e Tatimeve. Deputeti i PD-së dhe nënkryetar i grupit kuvendor, Eduard Halimi, deklaroi se mazhoranca ka refuzuar deri më tani të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që urdhëroi kohë më parë ngritjen e komisionit hetimor. Sipas tij, refuzimi me arrogancë i zbatimit të vendimit të Kushtetueses është në vetvete një tjetër skandal i mazhorancës së majtë. “Qeveria, Kuvendi, e gjithë mazhoranca janë kapur në një krim kushtetues dhe vazhdojnë me arrogancë në rrugën e antiligjit dhe antikushtetutshmërisë. Refuzimi me arrogancë i ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, shkelje e mëtejshme e Kushtetutës, tregon edhe një herë para qytetarëve se sa i madh është zullumi që është kryer natën në serverin e Tatimeve”, – tha Halimi.

 

Reagimi

Duke bërë të ditur se prej më shumë se dy javësh mazhoranca ka refuzuar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që urdhëroi ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor parlamentar në lidhje me atë që cilësohet nga të djathtët si skandal i vjedhjes së të dhënave tatimore, Halimi bëri të ditur se ku të majtët kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën. “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 132 të Kushtetutës, janë të detyrueshme për gjithkënd dhe të gjithë janë të detyruar ti zbatojnë ato menjëherë, dhe pa vonesa, qoftë Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe çdo qytetar i vendit”, – u shpreh ai, duke theksuar se më datë 16 maj, në mënyrë unanime, Gjykata shpalli si delikt kushtetues refuzimin që mazhoranca i bëri opozitës për transparencën e ngjarjes së serverit të Tatimeve. “Partia Demokratike priti që mazhoranca të reagonte ndaj deliktit kushtetues. Priti që Kryetari i Kuvendit të zbatonte vetë Kushtetutën e vendit, duke ekzekutuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por pas heshtjes së plotë, më 3 qershor, Partia Demokratike iu drejtua Kryetarit të Kuvendit me kërkesën publike dhe të shkruar për ekzekutimin e këtij vendimi, ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor. Dje përsëri, me shkrim dhe në mënyrë publike, kryetari i Këshillit të Legjislacionit i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit me kërkesën për ta përfshirë në rendin e ditës, pa vonesa, ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit të kësaj gjykate, ngritjen e komisionit hetimor”, – theksoi deputeti demokrat. Nga ana tjetër, ai bëri të ditur se pasi kanë kaluar disa seanca plenare dhe ditën e sotme është edhe seanca e radhës, mazhoranca, sipas tij, pa asnjë argument ligjor ka vendosur mosekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Refuzimi me arrogancë i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është në vetvete një tjetër skandal. Por Partia Demokratike nuk do të tërhiqet. Ne do të bëjmë gjithçka që Kushtetuta të zbatohet, që e vërteta e vjedhjes së të dhënave tatimore të dalë në dritë të diellit. Ndaj dhe i kërkojmë edhe një herë Kryetarit të Kuvendit që menjëherë të përfshije në rendin e ditës nesër (sot), ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, – pohoi Halimi, duke theksuar se çdo vonesë e mëtejshme dhe se çdo shkelje e mëtejshme e Kushtetutës, vetëm sa implikon edhe më tepër mazhorancën e majtë.

 

Reforma në drejtësi/ Qëndrimi i PD-së, Halimi: Do marrim pjesë, por duam ekspertizë evropiane

Ligjvënësi demokrat Eduard Halimi deklaroi dje se forca më e madhe opozitare do të marrë pjesë në reformën në drejtësi që ka paralajmëruar mazhoranca, porse, sipas tij, është e domosdoshme ekspertiza evropiane. “Platformën e reformës në drejtësi e kemi hartuar me ekspertizë evropiane. PD do marrë pjesë në reformën në drejtësi dhe do japë kontributet e saj në reformën në drejtësi por kemi kërkuar që kjo platformë të vijë nga ekspertiza evropiane. Është shumë e rëndësishme që armiku kryesor me këtë sjellje të kryeministrit është tendenca për të vënë nën kontroll politik drejtësinë. Qeveria nuk ka asnjë platformë të vetën për reformën në drejtësi. Kemi parë vetëm shprehje histerike të Kryeministrit”, – u shpreh Halimi.

 

 Zbardhet vendimi/ Ndryshohen dietat e ushtarakëve në misionet paqeruajtëse

Qeveria vendosi dje të ndryshojë dietat e ushtarakëve në misionet paqeruajtëse. Në vendimin e marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë të drejtuar nga zv.kryeministri Niko Peleshi, për shkak se kreu i qeverisë, Rama, ishte me vizitë në Gjermani, u ndryshua vendimi nr. 144, datë 20.2.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e një ekipi këshillues ushtarak (mat-a) të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak “ISAF”, në Afganistan”. Në këtë vendim thuhej se “Shkronja “a”, e pikës 5, të vendimit nr. 144, datë 20.2.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon: “a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore”. Po ashtu qeveria miratoi dje edhe një ndryshim në vendimin nr. 145, datë 20.2.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e forcave të armatosura të republikës së Shqipërisë me përfaqësues në shtabin “EUFOR”, në kuadër të operacionit ushtarak “ALTHEA”, të Bashkimit Evropian, në Bosnjë – Hercegovinë”. Në këtë vendim thuhej se, “Shkronja “a”, e pikës 4, të vendimit nr. 145, datë 20.2.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet si më poshtë vijon: “a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 6 000 (gjashtë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;”. Ndërkaq për forcat që marrin pjesë në operacionin ushtarak “ISAF”, në Kandahar, Afganistan, qeveria vendosi që “Shkronja “a” e pikës 5, të vendimit nr. 530, datë 13.7.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshohet si më poshtë vijon: “a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12.000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;”. Gjithashtu qeveria vendosi për një ndryshim në vendimin nr. 532, datë 7.7.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrje të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacione ushtarake, në shtabe të ndryshme në Afganistan”, të ndryshuar”, ku dieta për ditët e qëndrimit do të jetë në masën 9.000 (nëntë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore.