Financat sigurojnë 95 mln euro borxh të brendshëm

0
165

financa borxhiBanka e Shqipërisë ka shitur dje për llogari të Ministrisë Financave 13.3 miliardë lekë bono thesari, me afat maturimi 12 dhe 3-mujore, duke siguruar kështu në tregun e brendshëm borxh në masën 95 milionë euro nga shitja e letrave me vlerë të qeverisë. Edhe në këto ankande ka vijuar tendenca e rënies së yield-it (interesit) të bonove të thesarit, në linjë me politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.

Për bonot 12 mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 10.2 miliardë lekë, ndërsa u kërkuar nga investitorët 10.8 miliardë lekë. Yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 3.24%, nga 3.27% që ishte në ankandin e mëparshëm me të njëjtin maturitet.
Për bonot 3 mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 2.49 miliardë lekë, dhe po kaq u kërkua nga investitorët. Yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 2.98%, nga 3.05% që ishte në ankandin e mëparshëm me të njëjtin maturitet.
Që prej vitit 2009, kur ka filluar politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, yield-i i bonove të thesarit është ai që ka shënuar rënien më të madhe. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e yield-it (interesit) të bonove të thesarit në vitin 2013 ishte 3.66%, nga 9.14% në vitin 2009, një rënie drastike kjo me 5.45 pikë përqindjeje.