Vendimi i qeverisë/ Zbardhen procedurat për shitjen e tokave dhe ndërtesat e shtetit, dokumentet që duhen

0
281

NDERTESA_introductionSi do të bëhet shitja e ish-kooperativave bujqësore dhe ndërtesave në bazë të lejeve të ndërtimit

 Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për shitjen e ndërtesave dhe trojeve në përdorim, trojeve shtesë funksionale të ndërmarrjeve shoqërive tregtare, të objekteve shtetërore të veçuara, të privatizuara, të objekteve apo ndërtesave të shitura të ish-kooperativave bujqësore. “Me “truall, sipërfaqe e domosdoshme” nënkuptohen sipërfaqet e truallit të përcaktuara në genplanin dhe dokumentacionin në momentin e privatizimit të ndërmarrjeve apo objekteve, ku përfshihet sipërfaqja nën objekt dhe sipërfaqja funksionale, nëse ka, si dhe sipërfaqet e truallit sipas genplanit dhe dokumentacionit të dhënies së lejes së ndërtimit, në të cilat janë përcaktuar sipërfaqja e objektit apo e sheshit të ndërtimit”, – thuhet në vendimin e qeverisë. Shitja e truallit të pashitur, sipërfaqe e domosdoshme të ndërmarrjeve dhe objekteve shtetërore, të privatizuara nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, degët e saj në rrethe, nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore, me degët e saj në rrethe, të bëhet, në përputhje me këtë vendim, nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike në Ministrinë e Financave, sipas genplanit dhe dokumentacionit në momentin e privatizimit të tyre. “Kjo drejtori kryen edhe shitjen e trojeve të ndërmarrjeve e objekteve të tjera shtetërore, të privatizuara para krijimit të këtyre agjencive, si dhe të truallit të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, sipas genplaneve dhe dokumentacionit në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit, në të cilin janë përcaktuar objekti apo sheshi i ndërtimit, si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave të shitura, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore”, – përcakton vendimi. Kur objekti është me dy a më shumë kate dhe në të ka disa pronarë, atëherë shitja e truallit të bëhet në bashkëpronësi, sipas pjesëve takuese. Në rastet kur në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike në Ministrinë e Financave, mungon dosja e privatizimit të objektit, genplani, akti i dorëzimit apo dokumente të tjera të momentit të privatizimit, për arsye objektive, kopja e dosjes së vlerësimit e konfirmuar (privatizimit apo dokumentacionit që i mungon dosjes) të objektit ose ndërmarrjes do të kërkohet në degët e shoqërive publike, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në juridiksionin e të cilave ndodhet objekti, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave ose Arkivin Shtetëror Vendor, arkivat noterialë, apo çdo institucion tjetër ku janë të depozituara dokumentacionet përkatëse për këto objekte. Po kështu, do të veprohet edhe për dokumentacionin e dhënies së lejes së ndërtimit, genplanit të miratuar sipas lejes së ndërtimit, për rastet e ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, si dhe të objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore.

 

Procedura

Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike në Ministrinë e Financave kërkon pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe zyrës përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme konfirmim për statusin e truallit, çmimin përkatës të shitjes, të përcaktuar në hartën e vlerës dhe hartën treguese, me të dhënat e nevojshme gjeografike për zonën përkatëse, brenda ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së përcaktuar, për rastet kur privatizimet janë kryer nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe degët e saj në rrethe, nëse dosja e privatizimit gjendet e rregullt, si dhe nëse dokumentacioni i dorëzuar nga ana e kërkuesit është i rregullt. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i kthen përgjigje Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Ndërsa, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj drejtorie hartën treguese përkatëse, me të dhënat e nevojshme gjeografike dhe statusin e truallit që kërkohet të privatizohet. Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kryen shitjen e truallit dhe lidhjen e kontratës vetëm në rastet kur trualli ka pronar shtetin, pavarësisht nëse për truallin në fjalë ka vendim për njohje nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve apo Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Organet e qeverisjes vendore apo çdo organ tjetër shtetëror në territorin e të cilit ndodhet objekti, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj drejtorie, përkatësisht, vërtetimin që subjekti kërkues ka paguar qiranë e truallit nga data e lidhjes së kontratës së shitjes së objektit deri në datën 7.6.2010, si dhe koeficientin e bashkëpronësisë për objektet me dy a më shumë kate. Drejtoritë rajonale tatimore, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, duhet të konfirmojnë pagesën për taksën e përdorimit të truallit nga data 7.6.2010 deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për blerjen e truallit.

 

Dokumentet

Personi fizik apo juridik privat, i cili do të blejë truallin e ndërmarrjes ose të objekteve që janë privatizuar më parë apo ndërtuar sipas lejeve të ndërtimit si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi, duhet të paraqesë në dy kopje, në Ministrinë e Financave, për Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, dokumentet e mëposhtme:

– Kërkesën, me shkrim, për blerje të truallit

– Vërtetimin hipotekor apo kartelën e pasurisë, për objektin apo objektet që ka në pronësi, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, së bashku me hartën treguese të pasurive të paluajtshme, të përditësuar, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e paraqitjes së kërkesës

– Kopjen e noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo të ndërmarrjes, lëshuar nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore dhe nga ndërmarrjet përkatëse, përpara krijimit të agjencive, si dhe fotokopjen e noterizuar të genplanit ose të planimetrisë së objektit apo të ndërmarrjes (në çastin e privatizimit)

– Kopjen e noterizuar të lejes së ndërtimit, genplanin e miratuar sipas lejes së ndërtimit, për rastet e objekteve të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim

-Kopjen e noterizuar të kontratës së blerjes, bashkë me genplanin përkatës për objektet apo ndërtesat, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore

– Deklaratën noteriale në 2 (dy) kopje origjinale, që vërteton se nuk ka konflikt me të tretët

– Vërtetim nga organet e pushtetit vendor për pagesën e qirasë së truallit në përdorim nga data e lidhjes së kontratës së shitjes apo dhënies së lejes së ndërtimit deri më datën 7.6.2010

– Vërtetim nga zyrat rajonale tatimore për pagesën e taksës së përdorimit të truallit nga data 7.6.2010 deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për blerjen e truallit.

Qiraja

Vlera e qirasë së tokës, e arkëtuar pranë organeve të qeverisjes vendore apo organeve të tjera shtetërore me të cilat subjektet kanë lidhur kontratë qiraje, ndahet:

– 70%, për buxhetin e shtetit

– 30%, për organin e qeverisjes vendore apo organin shtetëror përkatës

 

Procedurat për ndërtesat pas datës 10.8.1991 e në vazhdim

 Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike në Ministrinë e Financave, kryen procedurën e shitjes së trojeve shtesë funksionale të ndërmarrjeve shtetërore, të objekteve të veçuara të privatizuara nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit të Ndërmarrjeve Bujqësore, ish-Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, si dhe të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, të cilat kanë në pronësi sipërfaqen e truallit, sipërfaqe e domosdoshme. Kërkesa për kryerjen e procedurave të shitjes së trojeve shtesë funksionale në favor të subjekteve që kanë privatizuar ndërmarrje, objekte të veçuara apo ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, të përcaktuar në këtë vendim, paraqitet nga kërkuesit pranë Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, së bashku me kopjen e noterizuar të kontratës së blerjes së truallit sipërfaqe e domosdoshme dhe genplanin e sipërfaqes së kërkuar për t’u blerë, të përgatitur nga ekspertë të licencuar. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 10 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kryejnë verifikimin e hollësishëm të këtij dokumentacioni, për të vërtetuar se trualli që kërkohet të shitet nuk është i kthyer me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe është në pronësi të shtetit, si dhe konfirmon çmimin e përllogaritur të sipërfaqes së truallit që do të shitet, sipas hartës së vlerës. Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme konfirmon statusin juridik të truallit dhe hartën treguese me të dhënat e nevojshme gjeografike. Ndërtesat e ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, verifikohen dhe konfirmohen nga një komision, i cili ka në përbërje përfaqësues nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, nga prefektura e qarkut përkatës (punonjësi i zyrës së urbanistikës) dhe nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sipërfaqja e truallit shtesë që përfitohet nga subjektet kërkuese duhet të jetë në përputhje me masën e përcaktuar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi. Në këtë komision, nga ana e përfaqësuesve të zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe përfaqësuesit të prefektit të qarkut duhet të konfirmohet dhe të garantohet se trualli shtesë funksional që kërkohet të privatizohet është pasuri shtetërore dhe i patransferuar në inventarin e njësive të qeverisjes vendore, në bazë të ligjit nr. 8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar. Kalimi i pronësisë së sipërfaqes së truallit shtesë funksional bëhet nëpërmjet kontratës së shitjes, e cila nënshkruhet nga drejtori i Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dhe blerësi, pas kryerjes së pagesës së plotë të vlerës së truallit, të përcaktuar në autorizimin për kalimin e pronësisë.