Incidenti në Kuvend/ Kreu i PD-së: Ndërpresim marrëdhëniet me strehën e krimit, tentativë për t’i mbyllur gojën opozitës  

0
249

Gëzim Saliu

Basha per sherrin ne parlament“Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë betejë me një përballje dhëmbë për dhëmbë dhe sy për sy me krimin”

 Opozita vendos të ndërpresë marrëdhënien me Kuvendin pas incidentit të djeshëm mes deputetëve socialistë dhe ligjvënësit demokrat Gent Strazimiri. Menjëherë pas përplasjeve në Parlament, deputetët e opozitës u larguan nga salla dhe iu drejtuan selisë blu, ku pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat të drejtuar nga kryetari Basha u mor vendimi për bojkot. Sipas kryedemokratit, incidenti i djeshëm ishte një tentativë për t’i mbyllur gojën opozitës dhe për ta goditur atë. “Ajo që ndodhi sot (dje) në Parlament ishte prova më skajore, por jo e para, e faktit, që dyshja Rama–Meta ka ndërtuar një infrastrukturë dhune të cilën e përdor për t’i mbyllur gojën opozitës, po e kanë të kotë. Opozita do të vazhdojë të denoncojë lidhjet kriminale dhe praninë kriminale në gjirin e kësaj shumice në emërtim, por që është pakicë në vlera. Do ta nisim duke ndërprerë deri në vendimet tona të tjera të gjitha marrëdhëniet me këtë strehë të krimit, por duke u përballur me vendosmërinë më të madhe me kriminelët të veshur apo jo me pushtet politik nga dyshja Rama-Meta që i dirigjon ata. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me një përballje dhëmbë për dhëmbë dhe sy për sy me krimin derisa e keqja të mposhtet dhe e mira të triumfojë”, – bëri të ditur vendimin e demokratëve, kreu i forcës më të madhe opozitare Lulzim Basha.

 

Reagimi

Për kreun e opozitës, incidenti i djeshëm në Kuvend ishte një akt politik i urdhëruar nga Kryeministri Rama si edhe përfaqësuesit e krimit dhe mafias në sallën e Parlamentit. “Genti Strazimiri sapo kishte përfunduar fjalën e tij ku shprehu me objektivitet dhe shqetësim të thellë qytetar gjendjen e mjerueshme të rendit, gjendjen e pasigurisë dhe të kriminalitetit në Shqipëri dhe përgjegjësitë politike të dyshes Rama-Meta për këtë situatë dhe menjëherë pas kësaj fjale, Edi Rama urdhëroi banditë të veshur me mandate deputeti të dhunonin fizikisht opozitën, të dhunonin fizikisht fjalën e lirë, të dhunonin fizikisht Gent Strazimirin, si një akt i mirëfilltë kërcënimi për të mbyllur gojën dhe për të shuar fjalën e lirisë edhe në tempullin e demokracisë që është dhe duhet të jetë Kuvendi i Shqipërisë”, – deklaroi Basha. Më tej, lideri i opozitës tha se në më shumë se 10 muaj opozita ka denoncuar me fakte dhe prova depërtimin e krimit në politikë, në administratë, në shtet, në qeveri dhe në Parlament. Por sipas Bashës në vend të reflektimit erdhi përkeqësimi i gjendjes së rendit dhe sigurisë. “Denoncuam lidhjet e tyre me narkotrafikun, i cili pushtoi qiejt e Shqipërisë, por në vend të një reflektimi, pazaret e pista e kthyen në një farsë atë që duhet të jetë pararojë e luftës tonë për integrim evropian, luftën kundër krimit të organizuar, kundër narkotrafikut dhe korrupsionit. Por sot përvijohet qartë për çdo qytetar shqiptar se kjo është një strategji e mirëfilltë, fillesat e së cilës datojnë që nga viti 2009 në platformën politike për të kapur pushtetin me çdo kusht duke angazhuar dhe përfshirë krimin, kriminelët dhe bandat dhe që kulmuan me zgjedhjet e 23 qershorit, ku kjo aleancë e krimit me Edi Ramën dhe Ilir Metën mori formë përmes veshjes me mandate politike të personave botërisht të njohur si përfaqësues të krimit të organizuar”, – u shpreh kreu i PD-së. Në këtë kontekst, ai tha se e gjithë kjo lidhet me paralajmërimin e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry apo europarlamentarit Joseph Doll për një oligarki kriminale mafioze e cila përpiqet të zëvendësojë demokracinë reale, pushtetin e qytetarëve dhe përfaqësimin e qytetarëve. “Do zhgënjehen ata që mendojnë se do i mbyllin gojën opozitës. U them sot çdo demokrati anembanë Shqipërisë dhe çdo qytetareje dhe qytetari të lirë shqiptar se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare janë në këmbë dhe në ballë të një beteje që do ta fitojnë për hir të Shqipërisë evropiane, për hir të çdo qytetari dhe për hir të fëmijëve të shqiptarëve në këtë vend”, – përmbylli reagimin e tij kreu i demokratëve dhe opozitës Lulzim Basha.

 

 Deputeti i PD-së/ Imami: PS, me strategji të qartë tensioni e dhune

Deputeti i Partisë Demokratike, Arban Imami, deklaroi dje se deputetët e PS-së sulmuan qëllimisht kolegun e tij Gent Strazimiri në Kuvend, për t’i mbyllur atij dhe opozitës gojën. Sipas tij, përdorimi i dhunës ndaj deputetit Strazimiri ishte i paramenduar. “Është hera e dytë që në mënyrë të organizuar, jo një deputet, por një grup deputetësh të PS-së sulmojnë fizikisht Strazimirin. Është një strategji e qartë tensioni dhe dhune. Është thënë që ditën e parë nga Kryeministri, shikoni ç’do të ndodhë mbrapa. Përdorimi i dhunës nuk është i rastit, është instrumental. Sulmi që ju bë, iu bë qëllimisht për të mbyllur gojën. Nuk kishte asnjë arsye për të ndodhur kjo gjë. Ashtu sikurse nuk ka pasur asnjë arsye dhe kur u hoq dhe rripi për të rrahur njerëz në korridorin e Kryesisë së Kuvendit. Është e paramenduar. Nuk është incident është një vijë sjelljeje”, – deklaroi Imami për “News 24”. Më tej, ligjvënësi demokrat pohoi se në 300 ditë qeveria është përpjekur për të dhunuar ligjin dhe prishur balancat politike në mënyrë të dhunshme. Ndërkaq, aksioni në Lazarat, sipas Imamit, ishte i vetmi akt që ka kryer kjo qeveri, por theksoi ai, ky operacion nuk e ka zgjidhur problemin e kultivimit të narkotikëve në vend. “Lazarati është një përqindje minimale e narkotikëve që prodhohen në vend. Nuk është Lazarati i vetmi dhe që e zgjidhi problemin. Qeveria e kreu këtë akt por nuk zgjidhi problemin”, – u shpreh deputeti i PD-së.

 

Kapen 6 kg në Lion/ Islami: U mbyll Lazarati, po vazhdon transiti i drogës

Deputeti i PD-së, Kastriot Islami, deklaroi dje se pavarësisht se u mbyll prodhimi i marijuanës në Lazarat, transiti i drogës vazhdon të jetë një ndër problematikat kryesore të vendit. Duke bërë të ditur kapjen e 6 kg heroinë nga Shqipëria në Lion të Francës, ligjvënësi i PD-së theksoi se mbetet për tu parë nëse policia është bashkëpunëtore në këtë proces transiti të drogës. “6 kilogramë heroinë nga Shqipëria të kapura në Lion të Francës. Janë ndaluar dhe pyetur në polici 7 shqiptarë. U mbyll prodhimi në Lazarat, por vazhdon transitimi i drogës së fortë, heroinës. Kjo lë hapësirë për të menduar se “rasti i Lazaratit” ishte “maskë” për të mbuluar një trafik me fitimprurës. Mbetet të hetohet nëse policia është e paaftë apo bashkëpunëtore”, – shkruante ai në rrjetin social “FB”.