Mbledhja/ Mungesa e ministrit, KLD shtyn emërimin dhe procedimin e disa gjyqtarëve

0
288

 Sonila Mesareja

kldMinistri Naço lajmëroi mungesën për shkak të impenjimeve, KLD e akuzon për shtyrjen e procedimeve për 3 gjyqtarët. Emërohen kryetarja e Gjykatës së Kavajës dhe Krujës

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur në mbledhjen e djeshme të shtyjë emërimet dhe procedimet e parashikuara për disa gjyqtarë. Shkak është bërë paralajmërimi i ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço se për shkak të disa impenjimeve të përcaktuara më parë, nuk mund të ishte i pranishëm në mbledhje dhe do të donte shtyrjen e saj. Në mbledhjen e djeshme u bënë vetëm emërimet e krerëve në dy gjykata, ndërsa u shpallën kandidaturat për në një tjetër gjykatë. Në përfundim të mbledhjes së djeshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë bëri me dije përmes një konference për shtyp se janë emëruar kryetarët e rinj të disa gjykatave në rrethe. Nga mbledhja e KLD-së mësohet se Entela Shedula është zgjedhur kryetare e Gjykatës, Kavajë, ndërsa Alma Kolgjoka është zgjedhur kryetare e Gjykatës në Krujë. Gjithashtu, mësohet se KLD ka shpallur edhe listën me kandidatët për Gjykatën e Apelit në Korçë.

 

Deklarata

Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka kursyer akuzat ndaj z. Nasip Naço, duke bërë me dije se për shkak të mungesës së përsëritur të Ministrit të Drejtësisë në mbledhjen plenare të tij, dështoi shqyrtimi i procedimeve disiplinorë për tre gjyqtarë. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë e konsideron të qëllimtë mungesën e Ministrit të Drejtësisë dhe joserioze arsyet e kësaj mungese. Paradoksalisht me qëndrimet e tij publike për të zhvilluar në një kohë sa më të shkurtër procedimet disiplinore, Ministri i Drejtësisë, me mungesën e tij në seancën plenare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pamundësoi zhvillimin e procedurës disiplinore për gjyqtarët, pasi referuar neni 34 të ligjit “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” e drejta për nisjen e procedimit disiplinor i takon ekskluzivisht Ministrit të Drejtësisë” bëri me dije për mediat zëdhënësi i KLD-së, ndërsa shtoi se “me mungesën e sotme, Ministri i Drejtësisë tregoi edhe një herë se deklaratat e tij të papërgjegjshme të datës 27 maj 2014, në Komisionin e Ligjeve: “KLD nuk shqyrton procedimet disiplinore, prej 700 ditësh” apo se: “KLD nuk po emëron kryetarët e Gjykatave”, në fakt qëllim kryesor kishin përbaltjen e këtij institucioni. Nëse Ministri do kishte shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, ekskluziviteti që ai ka në fillimin procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve nuk duhet ta shfrytëzonte me standarde të dyfishta dhe për të goditur vetë KLD. Përkundrazi kjo kompetencë duhet ushtruar nga Ministri me transparencë, objektivitet dhe larg çdo lloj dyshimi të arsyeshëm për afera të çdo natyre”.

 

Reagimi

Më herët, duke shfrytëzuar konferencën e ALPOS, ministri i Drejtësisë akuzoi KLD se do zhvillonte mbledhjen në mungesë të tij duke futur në rend dite emërime gjyqtarësh. Ai u shpreh se e ka njoftuar më herët KLD-në që nuk do të jetë në mbledhjen e sotme. “Në lidhje me zhvillimin e mbledhjes së sotme unë kam njoftuar që ditën e hënë që m’u caktua data. Për shkak edhe të axhendës kërkova mirëkuptimin e drejtuesve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë se dita e sotme për mua për shkak të aktiviteteve ishte e ngjeshur dhe të lihej përveç ditës të hënë që kishim një tjetër aktivitet politik të lançuar muaj më parë, do isha në dispozicion të KLD-së ditën e martë, të mërkurë. KLD dhe drejtuesit e saj nuk e morën në konsideratë, bënë një mbledhje blic që vendosën për shkak të procedimit të tre gjyqtarëve që u shty. Jam vënë në dijeni se përveç tyre kanë futur në rendin e ditës edhe emërime kryetarësh gjykatash dhe të Gjykatës së Apelit. Besoj se thelbi ishte që në mungesë të ministrit të bëjnë edhe këto emërimet e tjera. Kam kërkuar me shkrim disa ditë më parë që ditën e premte për shkak të axhendës së planifikuar nuk mund të jem dhe kërkova mirëkuptimin që të shtyhej”, – u shpreh Naco. Ministri sqaroi se i kishte kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të shtynte këtë mbledhje për shkak të axhendës së tij. “Kam kërkuar mirëkuptimin e KLD-së edhe herën e kaluar kur unë kam qenë në një aktivitet jashtë shtetit bashkë me Prokurorin e Përgjithshëm në një konferencë për anti-korrupsionin që të shtyhej edhe ajo mbledhje, ju e keni marrë vesh që po në atë mbledhje në mungesë të Presidentit dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, janë emëruar gjyqtarë në kundërshtim me ligjin sepse janë marrë jashtë sistemit pra janë marrë nga politika. Një arsye më shumë që reagimi i djeshëm duhet të përfshinte edhe këtë pikë dhe të thoshin që KLD-në të zgjedhurit nga Konferenca Gjyqësore të mos e lejojnë që të fusin nga jashtë sistemit, gjyqtarë në sistem. Unë mund të them edhe për publikun, ka që në muajin tetor që ish kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj që të rikthehet në gjyqësor, ka bërë kërkesë dhe KLD nuk e fut në rendin e ditës” përfundoi reagimin e tij ministri.

 

Naço: Reagimi i Këshillit të Konferencës Gjyqësore, i vonuar

 Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka përshëndetur reagimin e Këshillit të Konferencës Gjyqësore, por nuk e ka fshehur ironinë kur ka thënë se ky organ deri më tani ka heshtur për gjithë problematikën në sistemin e drejtësisë. “Kjo deklaratë ka ardhur në kohën e duhur, por ky këshill duhet të reagonte kohë më parë për shkak të detyrës kur gjyqtarët e Lushnjës nuk merrnin pagën prej 6 muajsh, kur studentët magjistratë rrinin në shtëpi dhe nuk futeshin në punë dhe për ata gjyqtarë që për vite të tëra ishin vetëm të deleguar. Për të gjitha projektligjet i jam drejtuar edhe kësaj konference, por nuk kemi pasur ndonjë impakt, edhe për ligjin e KLD-së”, – ka thënë Naço.

 

 Konferenca/ Sistemi “ALBPOS” edhe në Shqipëri, lehtësim hipotekimit e legalizimeve

Prej ditës së djeshme, Shqipëria do të ketë sistemin e saj të pozicionimit global “ALBPOS”, një sistem i prezantuar nga ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe ministrja e Inovacionit Mirela Harito. Sistemi “ALBPOS” (Sistemi Shqiptar i Pozicionimit Global) është një projekt kombëtar, i dizenjuar dhe realizuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me asistencën teknike të Agjencisë Suedeze të Hartografisë, Kadastrës dhe Regjistrimit të Pasurive. Ky sistem pritet të lehtësojë hipotekimin dhe legalizimin e pronave. Me këtë sistem dixhital pritet të përmirësohet regjistrimi i pasurive të paluajtshme, të thjeshtësohet procesi i legalizimeve si dhe të krijohen harta topografike me saktësi maksimale. Qëllimi i ndërtimit të këtij sistemi është kalimi i sistemit koordinativ nga referenca tokësore në atë hapësinore, në përputhje me sistemin aktual evropian të referencës koordinative. Aplikimet e këtij sistemi do të jenë të shumëllojshme, por do të përmendja se “ALBPOS” është ndërtuar me qëllime kryesore përdorimi në këto drejtime; përmirësimin e procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përdorimin e tij në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, përdorimin e tij në përcaktimin e pronave publike (shtetërore), rritje të efikasistetit dhe cilësisë në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale, unifikimin dhe saktësimin e hartave topografike, si dhe realizimin e projekteve shkencore sizmiologjike dhe ambientale. Ky sistem, gjithashtu, do të shërbejë edhe për mbështetjen e projektit të ri me Bankën Botërore, për përmirësimin dhe përditësimin e të dhënave të pasurive të paluajtshme. Implementimi i kësaj metode moderne mundëson një saktësi shumë të lartë, rendiment të madh në volumin e punës, si dhe realizim brenda një kohe shumë të shkurtër, duke u siguruar përdoruesve të dhënat e kërkuara në kohë reale. Të gjitha këto procese, të cilat tashmë do të kryhen me saktësi të madhe dhe brenda një kohe edhe më të shkurtër, përkthehen automatikisht në një të mirë publike, e cila si përfitues ka jo vetëm përdoruesin e sistemit, por drejtpërdrejtë edhe vetë qytetarin.