Jazz in Albania

0
223

marco kasteli shkrimi jazzitPrej dy ditësh, grupe nga vende të ndryshme të Evropës do të përshkojnë itinerare shqiptare duke luajtur xhaz. Bëhet fjalë për atmosferën që nxit xhazi, si gërmon në ndjesi e fantazi duke i shndërruar mbrëmjet shqiptare në një sqime verore nga Tirana në Shkodër, Himarë, Fier e Korçë.

E lejuar të vijë në Shqipëri, fryma e xhazit duket se ka gjetur shtrat jo vetëm mbështetësit, si rasti i Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit, por edhe këngëtarët që po mbajnë këtë muzikë tashmë po zgjojnë shqisën e shijimit edhe në Shqipëri.

Në këto dyzime e hapje të muzikës së fundi, në kushte jo të lehta, shoqata “Syri Blu” dhe fondacioni “Xoxa”, për të tretin vit organizojnë “Jazz Albania”.

Organizatorët e saj, ashtu si dhe për disa festivale prestigjioze në vend, me të drejtë kërkojnë status financiar nga shteti për këtë veprimtari, si mbështetje për vazhdimësi dhe jo t’i lihet tekave politike.

Megjithatë, triumfi i muzikës ndjek për shtatë ditë ritme dhe motive me grupe muzikore nga Gjermania, Greqia, Italia, Austria, Izraeli, Turqia, Zvicra dhe Shqipëria.

“Pas tri koncerteve në Tiranë, festivali do të zhvendoset në qytetet turistike, ku do të ftohen dhe disa grupe polifonike, ku xhazi “ndërmjetëson” si fantazi dhe improvizim”, – tha Besim Petrela për mediat në konferencën për shtyp, në hapjen e Festivalit.

Pjesëmarrësit: Grossmutterchen Hatz Salon Orkestra është grupi vjenez i krijuar nga Franziska Hatz, i cili nisi karrierën në vitin 2010. Ata luajnë muzikë mes elementëve nga tradita klezmer, ritmet pop, rock, ska dhe xhaz. Ndërsa trio i xhazit standard çeli festivalin, trio e krijuar në 2007, me kompozime origjinale, nga Praga.

Lebi Deria nga Gjermania, u ngjit luajti mbrëmë për publikun kryeqytetas, përbërë nga muzikantë të rinj, janë të afeksionuar nga miksimi i kulturave orientale e perëndimore. Muzika e tyre është një gërshetim i xhazit oriental me muzikën e dhomës, motivet që vijnë nga folklori. Manos Tavlakis trio do të performojnë vetëm në koncertet e Apolonisë dhe Himarës më 26 dhe 27 korrik. Tradita mesdhetare është në themel të muzikës së tyre.

Marco Castelli Trio nga Italia sjellin një muzikë tërësisht origjinale, jashtë klisheve dhe që krijon shumë atmosferë e emocion. Marco Castelli është një nga saksofonistët më të talentuar italianë, i cili përgjatë karrierës së tij ka eksperimentuar në shumë rryma muzikore, duke u dhënë të gjithave një formë krejtësisht personale.

Tal Kravitz, këngëtar dhe muzikant nga Izraeli, do të interpretojë në koncertin e nesërm në Tiranë, por edhe në Shkodër e Himarë. Pasioni i tij janë këngët dhe instrumentet e vjetra nga vende të ndryshme të botës.

Marco Zappa vjen nga Zvicra, kitarist dhe poet nga Locarno. Rrugëtimi i tij muzikor ka nisur në vitet ’60 dhe gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë në kërkim të gjetjeve të reja, shkrirjeve mes muzikës klasike dhe rock, eksperimentimit të instrumenteve elektronike etj.

Nga Turqia vjen Evrim Demirel Ensemble. Ky grup sjell muzikën turke dhe xhazin, së bashku, përmes një perspektive moderne. Muzika e ansamblit është një gërshetim kulturash të ndryshme.

Shqipëria përfaqësohet me Genti Rushi Trio, që do të performojë në koncertin e Apolonisë në datën 27 korrik. Përmes miksimit të stileve të ndryshme, grupi sjell krijime unike. Çdonjëra prej tyre ka një udhëtim të vetin, krijohet dhe rritet përmes improvizimit.

Re. Ku.

 

Homazh martirëve të xhazit

Vendi ynë nuk njeh histori të xhazit, por për “grimca” historike, relativisht të shkurtra, nuk e ndajnë nga kjo veprimtari organizatorët. Ata kanë krijuar seksionin e homazhit duke kujtuar pionierët e tij, si Krajka, Çurçia, Shllaku etj. “Gjatë fëmijërisë së vet, muzika xhaz në Shqipëri pati një histori të dhimbshme. Muzikantë të talentuar shkuan në gijotinën e sistemit komunist. Festivali është gjithashtu një homazh për martirët e muzikës së lirisë. Ky festival është një shprehje mirënjohjeje ndaj gjithë muzikantëve shqiptarë që kanë kontribuuar në vite, që nga errësira e sistemit komunist, në lirinë e pas viteve ‘90”, – thotë Petrela. Sipas tij, performancat profesionale të muzikës xhaz në Shqipëri filluan pas viteve 2000 me artistë si Elina Duni, Eda Zari, Salim Rushi, Fatos Qerimaj, Ilir Kola, Emilion dhe Ervin Dhimo, Gjon Shllaku, Markelian Kapedani, Rrok Jakaj etj. Festivali që nis sot është vazhdimi dhe rritja e një tradite.

 

Italianët në Jazz me Castellin e saksofonit

Është i njohur për publikun shqiptar Marco Castelli Trio i cili është propozuar zyrtarisht nga Instituti Italian i Kulturës si pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Xhazit, që mbahet në Tiranë. Të ënjtën në mbrëmje në Tiranë dhe të premten në Shkodër, Italia përfaqësohet për të tretin vit në Festival, të organizuar nga shoqata “Syri Blu”.

Marco Castelli ka qenë në Tiranë, pasi ka shoqëruar me notat e saksofonit të tij spektaklin e mrekullueshëm të Danza Verticale me rastin e përurimit të zyrave të reja të Institutit pranë Pallatit të Kulturës, në maj të vitit të shkuar. Këtë herë saksofonisti, si edhe kompozitor, orkestrues, produktor, kthehet në Shqipëri me Trion e tij (Marco Castelli, saksofon; Matteo Alfonso, organo; Marco Vattovani, bateri), një grup i talentuar që ofron një kombinim të xhazit me zhanret e ndryshme muzikore, si afro, ska dhe ritmet latine, duke i shkrirë të gjitha në një rrënjë të vetme mesdhetare. Repertori, përveç pjesëve ngushtësisht të lidhura me traditën e xhazit, përmban edhe kompozime origjinale të Marco Castellit dhe orkestrime me bazë xhazi autorësh të traditës së këngës italiane.