Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka lëshuar dje kritika ndaj qeverisë. Pas një periudhe qetësie, lideri demokrat ka postuar dje një video në rrjetet sociale, ku shprehet se në vitin 2018, 45 biznese mbyllen çdo ditë dhe për këtë sipas tij është përgjegjëse Rilindja. Ndaj ai shkruan se sa më gjatë të qëndrojë kjo qeveri, aq më keq do jetë për vendin. “Ja rekordi i ri i bandës së hajdutëve “Rilindja”: 45 biznese mbyllen çdo ditë në 2018. Sa më gjatë kjo qeveri, aq më keq për Shqipërinë dhe shqiptarët!”, shkruan Basha duke postuar edhe një video. Më herët mbi situatën ekonomike reagoi deputetja Jorida Tabaku. Ajo tha se për vitin aktual mungojnë 75 milionë USD në arkën e shtetit si pasojë e mosmbledhjes së taksave, por edhe mbylljes së bizneseve. Sipas saj, e vetmja rrugë për të rikthyer edhe një herë ekonominë në binarët e duhura është një taksë e sheshtë. “Dy gjëra janë të sigurta në buxhetin e qeverive socialiste dhe mbi të gjitha qeverisë Rama “mosmbledhja e taksave dhe akti normativ”. Këto të dyja janë kolonat mbi të cilat lartohet qeveria e tepsisë Rama, e cila edhe këtë vit dështoi të prodhonte një buxhet real dhe eficent në lidhje me sfidat e ekonomisë shqiptare. Prandaj, kryeministri Rama ka firmosur Aktin Normativ si arnimin e radhës për ekonominë e lënguar të vendit që është futur në një rrugë të vështirë dhe pa vizion. Sado që kryeministri përpiqet të mbulojë dështimin ekonomik me arnime të njëpasnjëshme dhe arritje imagjinare ekonomike, e vërteta ulëret të kundërtën. Për vitin aktual mungojnë 75 milionë USD në arkën e shtetit si pasojë e mosmbledhjes së taksave por edhe mbylljes së bizneseve”, tha Tabaku.
Sipas nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, qytetarët dita-ditës paguajnë gjithnjë e më shumë para për ushqime, veshmbathje dhe arsimim, çmime të rritura rreth 20% krahasuar me një vit më parë. Po sipas saj, ata paguajnë gjithnjë e më shumë për arbitraritetin në shërbimet publike me anë të korrupsionit të përhapur në çdo qelizë të strukturave shtetërore. “Ky Akt Normativ vjen në një moment ku qeveria gjendet e zbuluar përpara abuzimeve me koncesionet dhe PPP që kanë rritur borxhin publik. Borxh, të cilin qeveria e fsheh duke mos i deklaruar PPP-të si detyrime në kundërshtim me kërkesat e Bashkimit Europian. Sakaq, borxhi publik në nivelet aktuale e rendit Shqipërinë përpara Gjermanisë ndër 15 vendet me borxh më të lartë”, tha ajo.