Të gjitha kanë një çmim, në disa vende marrin madje edhe nënshtetësi. Në këtë mënyrë krijohet një sistem i refugjatëve me dy klasë: të pasurit pranohen, ndërsa të varfrit mbeten jashtë.
Ata kanë ardhur në Evropë për të filluar një jetë më të mirë dhe për të gjetur më shumë liri. Por ata nuk futen në anije me qindra refugjatë të tjerë të mbetur para brigjeve të Lampeduzës. Ata udhëtojnë në klasin biznes të ndonjë shoqërie të njohur ajrore drejt Maltës, Lisbonës apo Andaluzisë. Ata nuk janë të varfër. Përkundrazi: janë milionerë nga vendet jashtë BE, të cilët lirisht mund të lëvizin në Evropë. Në Evropë kaherë ekzistojnë programe, të cilat mundësojnë rregullimin e statusit për investitorët e huaj. Britania e Madhe është njëra prej vendeve të para, që u ka dhënë nënshtetësi të pasurve nga vendet e treta. Prej vitit 2012 ka nisur edhe një lloj konkurrence mes vendeve evropiane për investimet e të huajve në tregun e tyre.
Kritikat ndaj “vizës së artë” Duhen bërë dallime mes të ashtuquajturës “viza e artë”, ku bëhet fjalë për programin për investitorët nga vendet e treta dhe ku parashikohen rregulla të thjeshta, si dhe programit të ashtuquajtur “Citizenship for Sale”, ku bëhet fjalë për shitjen e nacionaliteteve”, – thotë për “DW”, Katharina Eisele, nga Qendra Evropiane për Studime Politike (CEPS) në Bruksel. Qeveria e Maltës ka propozuar në vitin 2013 iniciativën ligjore, që quhet “Individual Investor Program”. Sipas saj, me një sasi të caktuar parash mund të merret edhe nënshtetësia e Maltës. Ligji parashikon që personat të kenë banuar në Maltë para marrjes së nënshtetësisë. Edhe vendet e tjera anëtare të BE kanë reaguar menjëherë. Përmes kësaj dere të prapme, mund t’u iket rregullave të përgjithshme, thonë kritikët. Në rastin e Maltës kanë reaguar opozita, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Komisionerja për çështje të drejtësisë Viviane Reding thotë se për të marrë nënshtetësinë e një vendi duhet të ketë një lidhje mes personit dhe vendit. Me rregullat e BE, migrantët për të marrë nënshtetësinë e Maltës do të duhej të kenë jetuar në këtë vend të paktën 12 muaj.
Malta – rasti i vetëm?
Por Malta sot nuk është rasti i vetëm. Portugalia, Spanja, Qipro dhe Bullgaria e kanë futur vitin e kaluar “Programin e Investimeve”. Në Spanjë dhe Portugali ky program quhet “Gold Visum”. Çmimi i një vize të këtillë në Portugali është blerja e një vendbanimi në vlerë prej 500.000 euro. Mjafton qëndrimi prej shtatë ditësh në këtë vend në vitin e parë dhe 14 në vitet e tjerë në mënyrë që brenda 5 vitesh të marrin lejen e qëndrimit të përhershëm. Pas gjashtë vitesh investitorët mund të kërkojnë edhe nënshtetësinë e Portugalisë, ndërsa pas marrjes së pasaportës portugeze nuk ka kurrfarë rregulli se ku duhet ta mbajnë ata pasurinë e tyre.
Themelimi i firmave
Një mundësi tjetër është kalimi i një milion eurove në ndonjë konto në bankat portugeze, ose themelimi i një firme me të paktën 30 punëtorë. Por ky rregull ka një mangësi serioze, njofton gazeta “Público”: deri tani nuk ka pasur asnjë kërkesë për viza mbi bazën e këtij rregulli. Eisele thotë se në këtë mënyrë po zhvillohet një lloj diskriminimi mes të pasurve dhe të varfërve.
Programi i vizave të arta në Portugali ka nisur në tetor të vitit 2012. Vendi ka qenë shumë i prekur nga kriza ekonomike. Në vitin 2011 Portugalia është futur nën ombrellën për shpëtimin e vendeve në krizë, por këtë vit është larguar. Gjatë vitit 2013 ky vend ka dhënë 576 viza të arta. Më së shumti janë njerëz nga Azia, ku janë përqendruar edhe sipërmarrjet portugeze.
UNHCR: Rrëzimi i avionit në Ukrainë mund të përbëjë krim lufte
Në Ukrainën lindore, luftimet në vendin ku u rrëzua avioni malajzian i udhëtarëve, kanë detyruar një ekip hetuesish ndërkombëtarë që të pezullojnë planet për të shkuar në vendngjarje. Ndërkohë, komisionerja e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut thotë se rrëzimi i avionit mund të “përbëjë krim lufte”. Në një deklaratë të publikuar sot, komisionerja Navi Pillay tha se do të bëhet çdo përpjekje për të garantuar se cilëtdo persona që kryejnë shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar në konfliktin ukrainas do të nxirren para drejtësisë, pavarësisht se kush janë ata. “Komisionerja e Lartë tha se është e nevojshme një hetim i menjëhershëm, i pavarur, i paanshëm dhe efikas. Pastaj mund të kalohet tek hapi tjetër dhe vënia para përgjegjësisë të atyre që shihen si autorët e këtij krimi”, – tha Gianni Magazzeni, përfaqësuesi i komisioneres së OKB-së për Refugjatët. Ndërkohë, luftimet në vendin ku ka rënë aeroplani kanë detyruar një ekip hetuesish ndërkombëtarë që të pezullojnë planet për të shkuar në vendngjarje. Ekipi i ekspertëve holandezë dhe australianë tha se po bën përpjekje të reja për të arritur në destinacion. Departamenti i Shtetit publikoi dje imazhe satelitore që ai tha se tregojnë se forcat ruse po qëllojnë me raketa dhe artileri përgjatë kufirit me Ukrainën lindore. Analistët amerikanë thonë se imazhet tregojnë disa raketalëshues dhe zjarr artilerie që dalin nga territori rus. Imazhe të tjera tregojnë krateret e shkaktuara pranë pozicioneve ushtarake në Ukrainën lindore, ku forcat qeveritare po ndeshen me separatistët pro-rusë. Moska nuk ka bërë komente mbi fotot ndërkohë që luftimet në qytetin Donetsk, të kontrolluar nga separatistët, janë shkallëzuar.