Gjirokastër/ Operacioni, sekuestrohen 500 kg drogë dhe dy kallashnikovë

0
172

Sonila Mesareja

droga e kapur 3 gushtPolicia: Automjeti furgon doli nga Lazarati në drejtim të Gjirokastrës, drejtuesi mundi të largohej

Droga e Lazaratit nuk paska të mbaruar. Sërish dje u kapën 500 kg dhe dy automatikë. Furgoni me drogë sapo kishte dalë në Lazarati kur është pikasur duke hyrë për në Gjiorkastër. Sapo ka konstatuar policinë, drejtuesi ka braktisur thasët me drogë dhe armët që kishte brenda dhe është larguar, duke i shpëtuar arrestimit, ndërsa sasia e lëndës narkotike u bllokua bashkë me armët nga policia. Policia e Gjirokastrës njofton se është duke punuar për kapjen e proseduesit të lëndës narkotike, i cili është identifikuar pavarësisht se drejtonte një furgon që rezultoi me targa false.

 

Operacioni

Operacioni i policisë, i koduar “Periferia”, është finalizuar në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme. Sipas burimeve policore të policisë së Gjirokastrës, rreth orës 01.00 të mëngjesit, Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një automjet furgon po lëvizte në periferi të Lazaratit, nëpërmjet një rrugë dytësore për në drejtim të Gjirokastrës, menjëherë kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin. Pas ndërhyrjes, u bë bllokimi i automjetit tip furgon me targa false AA 090 AL, që drejtohej nga një shtetas i cili porsa ka parë se e ndiqte policia, braktisi automjetin dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet. Policia bën me dije se është i identifikuar nga ana e tyre dhe po punohet për kapjen e tij.

 

Sekuestrimi

Të dhënat zyrtare të policisë bëjnë me dije se në momentin e bllokimit të automjetit me targa false AA 090 AL, në brendësi të tij u gjetën 10 fuçi plastike të mbushura me boçe marijuanë, si dhe 10 thasë plasmasi të mbushur po me boçe marijuane, gjithësej rreth 500 Kilogramë Marijuanë në formë boçeje. Gjithashtu, në brendësi të fuçive të drogës u gjetën edhe dy armë zjarri Kallashnikov dhe dy krehëra me fishekë. Armët, lënda narkotike dhe automjeti janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Po sipas të njëjtave burime policore, lënda narkotike dhe armët kanë qenë të fshehura  dhe poseduesit e drogës, duke pasur presionin e policisë e cila po vijon kontrollet çdo ditë në Lazarat, kanë tentuar ta nxjerrin jashtë Lazaratit. Nga ana e uniformave blu vijon puna për kapjen e drejtuesit të furgonit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

 

Vlorë / Operacioni antikanabis, asgjësohen 438 bimë narkotike

Operacioni anikanabis vijon në zonën e Vlorës, aty ky dyshohet se kultivohet lëndë narktoike. Në vijimësi të planit operacional Antikanbis, nga efektivat e Komisariatit të Policisë Vlorë është bërë e mundur që në 2 fshatra të ndryshëm, përkatësisht Velçë dhe Mavrovë, dhe pikërisht në vendet e quajtura “Shkallë” dhe “Astane” janë gjetur në total të kultivuara 438 bimë narkotike të llojit canabis sativa. Lënda me lartësi deri në 1.9 m ishte kultivuar në tokë publike. U bë dokumentimi ligjor dhe asgjësimi me djegie i lëndës narkotike. Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë për veprime të tjera hetimore, konkretisht për identifikimin e autorëve.

 

Tiranë/ KLSH kallëzon në Prokurori ish-drejtorin e Shërbimit Pyjor dhe disa inspektorë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori ish-drejtorin e Drejtorisë së Shërbimit pyjor në Tiranë si dhe disa inspektorë pyjesh. Pas auditit të KLSH-së rezultoi se nga neglizhenca e H.G. në cilësinë e ish-drejtorit gjatë viteve 2012-2013, janë krijuar dëme në pyje në vlerën prej 73,6 milion. Sipas KLSH ish-drejtori ka lejuar prerjen e Parkut Kombëtar në Malin e Dajtit si dhe ka lejuar 13 subjekteve private që shfrytëzojnë gurin gëlqeror në zonën e mbrojtur “Mali i Dajtit”. Gjithashtu ai ka lejuar ai ka lejuar 34 subjekteve të ndërtojnë objekte në fondin pyjor kullosor duke krijuar një dëm ekonomik prej 54,2 milion lekë. Ndërkohë KLSH ka bërë kallëzim edhe për 6 inspektorë pyjesh: I.F; E.S; M.A; Y.B; A.B dhe B.S të cilët kanë lejuar prerjen e pyllit në dy zona, atë të Malit me Gropa si dhe Malin e Dajtit.  Sipas KLSH-së inspektorët kanë toleruar dhe mos ndëshkuar veprimet e paligjshme të subjekteve apo individëve.

 

Pukë/ Humb kontrollin dhe bie në humnerë furgoni, plagoset 47-vjeçari

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mesditën e djeshme në Pukë, ku për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë një person. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjegjan të Pukës ku një kamion ka humbur kontrollin duke rënë në greminë. I plagosuri, 47-vjeçari Sabah Tosha i cili drejtonte dhe mjetin ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe po transportohet me helikopter drejt spitalit ushtarak të Tiranës për mjekim të specializuar. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forca të policisë, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Burime pranë policisë bëjnë me dije se kamioni po dërgonte materiale në një HEC që po ndërtohet në atë zonë. Nga hetimet e para rezulton se Tosha ishte punëtor i firmës së kontraktuar për ndërtimin e HEC-it të Gjegjanit.

 

Durrës/ Humb kontrollin, 25-vjeçari përplaset me barrierat mbrojtëse të mbikalimit

Nje aksident me një të plagosur rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm tek mbikalimi i Urës së Dajlanit në Durrës. Mësohet se drejtuesi i automjetit tip “Audi”, A. Karamani 25 vjec  nga Tirana, është përplasur me barrierat mbrojtëse të mbikalimit teksa po udhëtonte në drejtim të plazhit. Si pasojë e përplasjes 25- vjeçari ka marrë dëmtime në kokë e trup, duke u dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit. Pas ndihmës së parë ai ndodhet në sallën e reanimacionit nën kujdesin e mjekëve. Shkak i aksidenti sipas policisë dyshohet të jetë bërë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën udhëtonte i riu Karamani.