Akti ironik i një piktori

0
210

Suzana Varvarica Kuka

manipulationsGaleria Kombëtare e Arteve hap ekspozitën e artistit Adrian Çene, “Manipulations”, nga 6 deri 24 gusht 2014

 Adrian Çene hap për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën e tij vetjake. Adrian Çene është një prej artistëve modernë shqiptarë, që jeton dhe krijon në mjedisin artistik të Tiranës. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. E rëndësishme është se kërkimet e tij nuk kanë reshtur, madje përmes tyre zbulohen kalime të guximshme, që për një piktor janë shpeshherë ballë rreziqeve të paparashikueshme, të cilat marrin emrin e thjeshtë “Imitim”.

Në fillim të viteve ‘90, i sapodiplomuar, Adrian Çene ishte një piktor impulsiv dhe emergjent. Ai e gjeti veten, si çdo artist tjetër shqiptar, në vorbullën rrotulluese të mjedisit kaotik të artit, i cili e kishte humbur thelbin e realizmit dhe realizmit socialist, duke marrë drejtimin kah të gjitha lëvizjeve artistike moderne të zhvilluara në Evropë, që nga mesi i shek. XIX e deri në ditët tona. Adrian Çene u dallua në rreth 20 vite të rrugëtimit të tij të parë për një pikturë ku mbizotëroi ekspresiviteti figurativ i sendeve të abstraguara, kontrasti në marrëdhëniet e ngjyrave dhe përdorimi i një linje të plotë vizatuese. Ai krijoi një gjuhë vizuale përmes ngjyrave, të cilat janë pushtueset e para të telajos. Ai pikturoi me gjallëri dhe promotori i tij emocional krijoi sipërfaqe me ndjesi të forta foviste, ku detaji natyror abstragohej dhe shfaqej prej ushtrimit të një peneli me presion ekspresiv.

Shpeshherë njihen raste që një piktor, në kërkimet e veta, zbulon një pamje tjetër të ndjesive të tij. Koha që jetojmë duket se ka ndikuar edhe te Adrian Çene, duke e kushtëzuar të prodhojë një impresion të ri imazhesh për publikun. Imazhet apo pikturat e kësaj ekspozite i ka organizuar me cikle që qëndrojnë së bashku në ndihmë të njëri-tjetrit. Disa kohë më parë, pothuajse në vitin 2009, përmes vizatimit, ai mbivendoste imazhin e tij të imagjinuar mbi një imazh të dhënë, konkret e të palëvizshëm fotografik. Çdo artist e ka provuar këtë si një ushtrim shkathtësie dhe tjetërsimi. Për Adrian Çenen nisi thjesht në arsye të lojës estetike, por më pas u bë një domosdoshmëri e riformësimit të imazheve të veta përmes manipulimit mbi një fotografi konsumiste mediatike. Ajo është një figurë me informacion shpesh herë të rremë dhe kjo bën që destinacioni i saj i fundit të jetë përdorimi një herësh dhe hedhja tutje. Riciklimi i saj u bë bazamenti fillestar i përpunimeve të Adrian Çenes, i cili ndjeu se duke manipuluar imazhe të tilla përmes pikturimit dhe veçimit të detajit që e ngacmonte më shumë, krijonte një realitet të ri, të ndryshëm nga piktura me vaj, por të afërt me procesin dhe lojën e tij foviste të ushtruar vite me radhë. Në këtë proces ai e çrregullon imazhin ekzistues dhe ia ndryshon informacionin fillestar, por nuk ia humb zanafillën apo imazhin e memorizuar. Me shpejtësi imazhet e manipuluara, të reja në vizion dhe të formësuara në detaj të Çenes, të afrojnë me fenomenin e kënaqësive të dyshimta të njeriut mbi botën e sendeve, mbi vet botën njerëzore dhe mbi tipologjinë e ndërtimit të banesës ku jeton. Në brendësi të këtyre botëve lëviz me shpejtësi mendimi i banorit për ndryshim të pamjeve të tyre, duke mos e përfillur as memorien e hershme, as atë më të renë. Ndryshimet e shpejta të imazheve të tyre janë konsumi më absurd dhe burim i kënaqësive të dyshimta, të cilat qenia njerëzore është e destinuar t’i harrojë.

Pikturat e reja të Adrian Çenes, edhe pse shprehen për një qëndrim të ndryshëm estetik ndaj një pikture të mëparshme, vijnë si akt ironik ndaj një realiteti të zakonshëm, të cilin njeriu i sotëm e shpërfill shpesh e më shpesh. Forma e arritjes së imazhit të manipuluar duket kur artisti Ardian Çene e dominon informacionin e fotografisë dhe krijon imazhin e tij jo real e të abstraguar përmes ngjyrave, të cilat në këtë ekspozitë kanë një gjuhë shumë më të qetë, janë më pak kontrastuese dhe anojnë drejt plotësisë dekorative.

Në ekspozitë paraqiten rreth 70 punime në teknikën tempera-akrilik mbi letër dhe akuarel mbi letër.

(kuratore)

 

 Biografi

Ardian Çene u diplomua në ILA Tiranë, sot Universiteti i Arteve, në Tiranë në 1992, në degën e pikturës.

Për disa vite emigroi dhe punoi jashtë Shqipërisë. Kryen San Servolo, Venecia, Itali, një specializim tre mujor si restaurues i pikturës murale. Në periudhën 2007-2009 kryen specializimin në Shkollën e Konservim Restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë si restaurues i pikturës murale në teknikën fresco seco dhe asaj të ikonës në dru, financuar nga UNESCO. Gjatë periudhës 2003 – 2014 punoi pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës si specialist dhe disa kohë si përgjegjës i sektorit të Artit.