Partia Demokratike i ka dhënë përgjigje deklaratave të sotme të bëra nga Ministria e Brendshme.
Në një deklaratë për mediat, selia blu shprehet se qëndrimi i policisë se gjoja ka vazhduar hetimet është vetëm një mashtrim.
Deklarata e Partisë Demokratike:
Që prej 21 korrikut, kur Xhisiela Maloku bëri denoncim për përdhunim, kanosje me armë dhe kërcënim për jetën ndaj djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja, korrektesa e Policisë së Shtetit përfaqësohet vetëm nga nënkomisar Emiljano Nuhu.
Për shkak se oficeri i policisë, mori anën e ligjit dhe jo të krimit, sot kemi gjurmë të denoncimit!
Për shkak të guximit dhe përgjegjshmërisë qytetare të atij që Edi Rama e kërcënoi dhe e quajti horr, qytetarët po njohin të vërtetën se Policia nuk u shërben atyre, por kriminelëve.
Është mashtrim qëndrimi i Policisë se ndjekja penale nuk u mbyll edhe pas tërheqjes së kallëzimit nga vajza e dhunuar. Ligji e detyron policinë që, për veprat penale që ka kryer djali i deputetit, të mos e mbyllë çështjen edhe kur denoncuesi tërhiqet.
Qëndrimi i sotëm i policisë për sjellje korrekte të saj që prej fillimit të denoncimit, përgënjeshtron kryeministrin Edi Rama se Emiljano Nuhu është një horr që ka shkelur ligjin dhe duhet ndjekur këmba këmbës.