Ekonomia gjermane ul vrullin

0
168

deutche bakEkonomia gjermane shënoi në pranverë rënie për herë të parë pas një viti. Midis prillit dhe qershorit rendimenti ekonomik ra 0,2 për qind në krahasim me tremujorin e kaluar. Sipas ekspertëve, kjo është një rënie relative.

 A po e zë gripi i verës ekonominë gjermane? Kriza e Ukrainës, bojkoti i Rusisë, shumë vatra të mundshme konfliktesh në Lindjen e Afërt, vështirësi në furnizimin me naftë dhe gaz, një euro e fortë, që i bën mallrat gjermane më të shtrenjta në tregun botëror – të gjitha këto nuk u shijojnë sipërmarrjeve në Gjermani. Nuk është për t’u çuditur që po çalon pikërisht tregtia me jashtë dhe që shefat e firmave, përballë pasigurive ndërkombëtare rezervohen me investimet.

Me pasoja për produktin e brendshëm bruto: për shkak të dobësisë në tregtinë e jashtme dhe të rënies së investimeve, produkti i ekonomisë gjermane midis prillit dhe qershorit ra papritur me 0,2 për qind në krahasim me një tremujor më parë. Këtë e bëri të ditur Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden. Kjo është shifër më e madhe se ajo, që patën pritur shumica e ekspertëve, sepse shumë prej tyre kishin pritur në rastin më të keq staniacion.

Megjithatë, “kjo është vetëm një xhungë”, qetëson kryeekonomisti i Commerzbank-ës, Jërg Krämer. “Unë nuk shoh rrezik për recesion”. Ndërsa Instituti Gjerman për Kërkimet Ekonomike (DIW) në Berlin tërheq vëmendjen për një efekt statistik: “Zhvillimi i dobët i dedikohet në një pjesë të madhe tremujorit të fortë të mëparshëm, në të cilin para së gjithash industria e ndërtimit shënoi rritje të dukshme për shkak të dimrit të butë”, – thotë Ferdinand Fichtner nga DIW.

Por eksperti për Gjermaninë në DIW, Simon Junker, tërheq vëmendjen edhe se rënia e investimeve “flet për gjurmët e para të frenimit për shkak të krizave gjeopolitike”. “Ndoshta edhe më e rëndësishme është vazhdimi i dobësisë ekonomike në vende të rëndësishme partnere të Gjermanisë, si Franca dhe Italia”, – thotë Holger Sandte nga Nordea Bank. Sepse te partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë, te Franca, në pranverë ekonomia ishte në staniacion. Prandaj qeveria e Parisit e përgjysmoi parashikimin për rritjen ekonomike në vitin 2014 dhe llogarit rritje të borxhit të vendit. Në Gjermani firmat e treguan të rezervuara edhe në shpenzime për makineri dhe pajisje. Meqenëse eksportet u rritën më pak se importet, tregtia e jashtme i dha një goditje shtesë koniunkturës. Impulse sollën nga ana tjetër konsumatorët privatë dhe ekonomitë publike, të cilët i rritën lehtas shpenzimet e tyre.

Qeveria gjermane pret për vitin 2014 një rritje ekonomike prej 1,8 për qind dhe në vitin 2015 një rritje prej 2,0 për qind. Disa ekonomistë e ulën parashikimin për 2015-ën në 1,7 për qind, për shkak të krizës në Ukrainë dhe pasigurive në rritje. Por kryeekonomisti i Commerzbank-ës Krämer megjithatë kujton: “Ppër një rritje të tillë ekonomike neve na kanë zili shumica e vendeve të eurozonës”.