Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa e ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 ka komentuar sërish projektin e “Unazës së Re”.
Sipas saj, kompanitë që janë zgjedhur si fituese të projektit kanë probleme të mëdha ligjore. Duke u ndalur tek tenderi dhe kompanitë, Zhupa theksoi se: “40 milionë euro janë dhënë për me pak se 3 km rrugë. “Vëllezërit Hysa” janë 3 herë në tender pa ofertë. Janë tre kompani, ‘Biba X Dh Albania’, Salillari dhe Viktoria Invest. “Biba X” është nën sekuestro kur u zhvillua tenderi. Në 3 tendera, vetëm një ofertues i vlefshëm. I kanë dhënë 18 mln euro pronarëve off-shore të panjohur”, tha Zhupa.
Gjithashtu ajo deklaroi se Partia Demokratike nuk është kundër ndërtimit të Unazës së Re, por sipas saj, ajo që shqetëson PD-në është fakti se banorët nuk po trajtohen siç duhet.
“Kjo është firma që ka marrë pjesën e Luanit. Janë tre tendera fiktive dhe të paracaktuara. Kjo është afera korruptimeve tek Unaza e Re. Unë pres që Prokuroria të hetojë dhe të vërë para ligjit shkelësit. E para është mbështetja në këto kushte. Mbështetja ka qenë prezente. Denoncimi e kësaj afere që të shikohet edhe një herë projekti dhe të shikohet se kush është zgjidhja. Banorët nuk do të pranojnë që do të largohen nga shtëpitë në mënyrë aq të lehtë. PD do t’i mbështesë . Në çdo vend normal shpërblehesh dhe ikë në jetën tënde. Ata banorë nuk kanë vetëm shtëpinë, por edhe bizneset e tyre. Projekti i unazës është i rëndësishëm. Nuk jemi kundër saj, por jemi kundër si si po trajtohen banorët. Ne do mëshojmë që projekti të bëhet, por të shpronësohen sipas çmimit të tregut. Brenda një shtëpi jetojnë minimalisht 4-5 familje”, shtoi ajo.
Zhupa deklaroi se Rama me Veliajnë po sillen në mënyrë të egër me qytetarët, ndërsa sjelljen e tyre e krahasoi me regjimin serb ndaj kosovarëve.
Ajo u ndal edhe tek heqja e monumentit të shqiponjës, veprim të cilin e quajti si veprim në kundërshtim me ligjin, pasi siç tha Zhupa, largimi i saj duhej të vendosej në këshillin bshkiak ose me vendim gjykate.
“Ata janë para djerse, nuk mund t’ua zhdukësh para syve, Veliaj me Ramën po sillet si serbi me kosovarët. Unë kam reaguar edhe në facebook, kam ndarë edhe videon e inaugurimit të shqiponjës. Nuk është çështja PD-PS. E para është simbol kombëtar. Shqiponja është vënë në 100 vjetorin e pavarësisë. Ajo është bërë me akt ligjor.
Është bërë me vendim të këshillit bashkiak. Bashkia miratoi të quhej sheshi Shqiponja. Kjo shqiponjë është monument kulture, ajo duhej bërë me ligj dhe jo me maliq. Një vendim i këshillit bashkiak ndryshohet me vendim të këshillit bashkiak, por edhe me vendim gjykate. Shqiponja është një kauzë, por për mua është më e rëndësishme zgjidhje e problemit të banorëve”, përfundoi ajo.