1958/ Letra nga Ankaraja / Pse nuk po e zgjidhte as Londra e as Uashingtoni çështjen e komunizmit shqiptar

0
198

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Është  një cikël i gjatë me letra midis Mustafa Krujës dhe Tahir Kolgjinit, për të cilën na flet trashëgimtari i Krujës, ku merret informacion mbi organizimin e politikës shqiptare në emigrim

 

enverKëto janë ndër letërkëmbimet më të gjata të vëllimit me Tahir Kolgjinin, me të cilin e lidhte një bashkëpunim  gjatë kohës së luftës e një respekt i veçantë i ndërsjelltë, edhe se si moshë i ndanin rreth 16 vjet. Tahir Kolgjini ishte shkolluar në Stamboll për teologji. Por veprimtaria e tij, ashtu sikurse dhe ajo e M.Krujës, kishte filluar në rolin e mësuesit në krahinën e tij, në Lumën, ku kishte lindur më 1903, në fshatin Lusen. Më tutje ai emërohet si sekretar i Gjykatës, më parë në Himarë (1928) e më pas në Kukës (1929), ku merr edhe drejtimin e Bashkisë (1939). Gjatë luftës, kur M.Kruja ishte Kryeministër, e emëroi T.Kolgjinin si prefekt të Gjirokastrës. Ishte një njeri shumë i mprehtë e që i kishte idetë e qarta. Me Krujën ndante idenë se rreziku i vërtetë i Shqipërisë nuk ishte pushtimi italian, i cili ishte një dukuri e lidhur me luftën dhe kohëzgjatjen e saj, por lëvizja nac.-çl., jo thjesht si ide, por si një sendërtim në bazë të parimeve të komunizmit e t’organizuar nga “shkjetë”, armiqtë natyrorë të shqiptarëvet. Në ardhjen e mundëshme të komunistëve në pushtet në fundin e luftës, ata shihnin një rrezik të madh për Shqipërinë e bashkuar, që ishte realizimi i idealit të themeluesve të Pavarësisë.

Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

 

 

Ankara, me 5 qershuer 1958

Mâ para, po vinj me të përqafun e me të puthun ma shum mâllë e respekt. Mbasandej, po ia nisij me biseduem:

Eh!…Shka me bâmë! Mbarrja për të gjallin na qênka. Me të vërtetë, me qêndruem në heshtje gjashtë muej rresht, edhe mue po ma merr mêndja se, nuk âsht nji punë e hijëshme. Sidomos me Lalën e dashun… Këtu s’ka arsyetime e justifikime. Veçse, nji ndihmë mund të ma sigurojë vjerrsha e Vasfi Dede-s:

“Esim-i mü’terife merhamet, mürüvettir.

Karin-i afv olagelmiş, hatası insanın.”

Tjetër rrugë nuk ka.

Sa më ka thérun ajo vrejtja e jote: (…., po ti na préve edhe letrat!). Qe nji qortim krejt me vênd. N’atë kartolinën, qi patët nënshkruem me Münirin e me Bashkimin. Të më besojsh se, nuk po thom mâ tepër, por, ne ç’do javë, tri a katër herë, më ka ramë ndër mênd me të shkruem; mirëpo, tue thânun: “hâ se nesër do të jem mâ i ngéshëm, më zû vapa n’udhë.” Veç kësajë, tue shpresue se, nesra ka me ardhun mâ e mirë se sodja. Ende nuk u mbushëm me mênd me sodet e me nesret t’ona, kurse moti i mirë duket në nadje. Tashmâ, po na duhet me ungjun qafën dhe me iu bindun asajë, qi na ka ra në short.

Me shëndet, lavdi i Zotit, nuk kam qênë keq. Me gjithë qi iu jam kacarruem 56 vjetve, përkrah thesari i shëndetit nuk kam të drejtë m’u-qamë. Veçse, aman o Zot, shum rropama na paska pasë ramë në hise!… Mue po më vijnë tue u shtuem:

Do fëmijë, qi po vuejnë për shkakun t’em qé 14 vjet, i kam pasun në kampin e përqëndrimit në Lushnje. Atje në Savër, ku me thojshe edhe Ti se i ke t’Utë. Medis tyne, kam pasun edhe nji djalë, i cilli vazhdonte shkollën. Me mësime nuk shkonte keq. Simbas njij letre, qi mora tërthoras në këto dit, po e mârr vesht se, edhe këtê e kishin burgosun në prillin, qi shkoi. Letra e shkrueme prej njij miku, thonte në nji rresht: “Mos u preokuponi, se faji nuk âsht aq i rândë; veçse ndihmoni zonjën Gjüle, qi t’i vijë në ndihmë të birit në burg.”.

Faji nuk âsht aq i madh! Kjo do të thotë se, fajtuer âsht përpara regjimit të sodshëm. Atëhere, kur të hyjë mbrênda, kuer mundet me dalun mâ i biri i Tahir Kolgjinit? Asnji herë. Ne po e shofim në tjerët kët mjerim. Dmth. se, paska pasë dashtë me zgjidhun nji problem, qi nuk po mundet me e zgjidhun as Londra e Vashingtoni. Qofshin të mallkuem të tânë ata, qi e futën politikën në bankat e shkollës. Njerz pa fijen e ndërgjegjes, qi kan dashtë dhe po duen me shtîjmë në dorë pozita me ndihmën e gjakut të njomë të kalamâjve. Nejse! Këta, sikur e paçin bâmë e gjetshin. Edhe t’onët paçin shëndetin e jéten e gjatë, pra dikuer, ka me na qéshun fati edhe né. Të paktën, kemi nji kënaqsi shpirtnore, tue mârrun parasŷsh se, rruga e jonë qe dhe âsht mâ e drejtë se rruga e komunizmës dhe se ajo e disa nacjonalistave. Edhe në mos ia mbërrîjfshim, s’ka gjâ. Për tash, do të kënaqemi me kaq.

Or Lalë, të hollat, të gjitha i kishin mârrun; prandej, s’âsht nevoja, mbas këndej, m’u-interesuem për ket pikë. Vetëm, kur të më shkruejsh, të lutem me më njoftuem emnin e bankës, me të cillën jane bâmë dërgésat. Më duhet se, thom, a mos mundem me dërguem ndopak pare me ânën e Emines.

Edhe këtu në ket shoqnin, ku jam tue punuem, mbaroi puna. Në dashtë Zoti, mbasnesër me 7/6, do të nisem me mototren për Istanbul. Aty, do të pushoj njâ nji muej dhe mbasandej do t’i ndêhem me kërkuem ndonji nafakë tjetër. Fundi i fundit, kjo nuk kà rândësi. Perëndija, qi na ka krijuem e na ka ndihmuem me kapërcyem shum prita mâ të rrezikëshme, do të na ndihmojë edhe mbas këndej me e mbushun kët bark të shkrétë.

Në Gusht 1958, bâhet agjudikata e pipline-it Malatya-Erzincan. Kjo shoqnija, prânë së cillës kam punuem un, âsht e tillë, qi nuk mundet me ia hangër kush pétën përpara. Edhe për mue ka nevojë të domosdoshme, se i regulloj korrespondencën me Ministrin e Punve Botore. Prandej, ka me më thirrun. Në qoftë se nuk merr punë, atherë, lêna, Zot, shëndosh.

* * *

Tashti, për me të shtîmë zêthi:

Ti i thue “zêksa”. Edhe në Lumë, forma e jote përdoret. Hem në trajtën mashkullore, hem në trajtën fêmnore. Ndoshta prej foljes me zânun. Në katundin t’em, i thonë zêthi ose xêthi. Të dyja format përdoren. A thue mos vjen prej verbit me xê ose me nxê = çok ısıtmak? Mâlûm ya, lopët i nget xêthi, kur kam qênë i vogël. Ruejna, Zot, kur i nget xêthi, thue se u bâ kiyameti. E ngrêjnë bishtin kular, e vêjnë në shpînë dhe mârrin vrap sa munden andej këndej për me mund me gjetun ndonji hije, me qëllim qi t’iu lénohet vuejtja. Le të jenë të shkrueme, njiherë, mandej, altta kalanın canı çıksın.

Po lexoj artikujt t’U me vêmendje e shije. Më ké ardhun në ndihmë me fjalën “mbarre”. Edhe në katundin Topojan e në disa katunde tjera të Lumës, b-n e shqyptojnë të gjallë.

Në Lumë, fjalën veç e veçë, i përdorim kështu:

“Shtroni nji sofër veçë per gjra!”. “Na bân për darkë nji mish veçë (jo me oriz)”. “Ishte tue ndêjt veçë në nji ânë.” “Hasani erdh veçë; nuk qe përzijë me tjerët.”. “T’a kam pasë thânë veçë ket fjalë (pa e pasë përziem me tjerat fjalë, ose pa qenë të shoqnuem un e ti me ndonji tjetër njeri).” “Pra, mue po më duket se, kur fjala âsht posaçe për nji punë, për nji njeri, për gjendjen e njij fakti müfred (për mos me u nakatosun me singularen, e përdora turçe!), atëhere, përdoret forma veçë (véç).

“Qê’t hanë veçaveç (veç e veç).”. “Miqt erdhën veçaveç.”. “Këto fjalë shkruejni veçaveç!). “Duhet të shkojmë veçaveç.” e tjera. Pra, po më duket, kur âsht fjala me treguem gjendjen e dý punve ose mâ tépër, gjendjen e dy personave ose mâ tepër, gjendjen e dý fakteve ose mâ tepër (e gjithmone tue dashtun me vûem në dukë gjêndjen e përbashkët, funkcjonin e përbashkët në lidhje të ngushtë me të tâna, sikur t’ishin njâ), atëhere po u përdorka forma veçaveç = veç e veç. Mue më duket mâ e pëlqyeshme veçaveç se veç e veç.

Kur përdoret si fjalëz përjashtimi, thuej se përherë, përdoret forma veç. F.v.veç shtëpija…,veç Ti…, veç aj…, veç Zoti na ndihmoftë, veç teje s’ka tjetër, veç paren t’eme due, veç ket arë kam mund me mbjéllë. E tjera.

Kjo folje, në Lumë, përdoret me të tâna format. F.v.: me veçue, véças, veç, veçë, veçaveç, veçan, veçim e tjera. Vetëm forma veçanisht, ka pasë qênë përdorun mâ rrallë. Si duket, ia ka fillue me hymë kur na u çuen kufijt në mes me krahinat e tjera dhe kur filloi shkolla.

Për kët veç-in e fundit, kemi edhe pos-in. Po pse lum lala, serbisht? Mbassi përdoret në të gjithë Shqipnin dhe mbassi serbët, kur kan ardhun në Ballkan, na kan gjetun ná, a thue mos e kan mârrun ata prej shqipes, qi i thomi ilirotrakishte? Në më lêjon me hymë ndepër thékën:

Vetë, vétëm, vetmî e tjera – këndi, bizatihi, yalınız, yalınızlık. A thue veçë ja mos ka qenë vete, vétesh, vétsh = veçë dhe veçue = vetshue e tjera. E mandej, për lénim, kur përsëritet, ia hjekim at e-n pa zâ (me gjithë qi zânore âsht) dhe i thomi veçaveç = veç e veç = veçeveç?

Në Lumë, janë disa copë katunde, qi për véte thonë: vaeet, dishka nji a medis a-s e e-s, si hoouud në persishte.

* * *

Për Shêjzat, jam d’akord. Por, Koliqi vetë më pat kërkuem artikuj, qofshin edhe mbi prrallat e vêndit. Nuk i kam shkruem mâ, sepse, nuk kam pasun kohë. Kam disa shënime historike mbi luftën, qi kan bâmë lumnjânët më 1912 e më 1913 kundra Serbis. Ka pasë qênë nji luftë e përgjakëshme dhe nuk e dij a do të jetë përshkruem prej historis s’onë. Mirëpo, më mungojne datat. Në Stamboll, do t’interesohem a mos gjêjë ndonji vepër mbi ket luftë. Deshta me e përshkruem ket ngjarje, se po na shkojnë sakrificat kahmund.

Tjetër nuk po kam. Bashkë me t’eme shoqe, të falemi me shëndet Ty, Bashkimit dhe motrës.

Edhe Münirit do t’i shkruej.

Të përqafij. I yti

 

Kjo maqina, me te cillën shkruej un, âsht nji rrapçine per turqisht; prandej, mos me kërko plotsim theksash e tjera.

 

Niagara Falls, 16 korrik 1958

Or Tahir, o vlla!

Shëndosh të jemi, se s’ka gjâ pse na rrallohen letrat. Ka për t’ardhun nji ditë qi s’kemi për t’i shkruem mâ kurrë njâni tjetrit e ti s’ke për të dijtun se në ç’botë e ke Mustafën, sikur un s’po dijsha gjâ për Hateminë dersa kërkova e…. e gjeta nëpër tý e Lutfinë!

Këto dit kishte pasë dal ksaj ane Agim Karagjozi. Erdh e më bâni nji vizitë e nesret hângrëm mesditën e kaluem gjithë mbasditen bashkë. E pata njohun vjet në Neë York e më pat pëlqyem mjaft si djalë i matun e i arsyeshëm, por asnji fije guximtar. Jam tue thânë, âsht e dijtun, guximtar në ç’beson ai vetë për të mirë e të drejtë e vetëm për aqë sa me mos drashun qi ata të mirë e të drejtë qi beson t’ia dijë gjithkush, edhe kundrështar’i besimit të tij. Deh, moj zânë, se sa përparimin m’a ka bâmë kjo Shqipní e bekueme qyshë prej të riut t’em e mbrapa! Kemi folë edhe për tý. Të dashka e të çëmueka. Më kallxoi se ishi në korrespondencë.

Po më vjen keq fort për Ahmetin. Zoti e pastë në dorë si gjithë ata të mjerë qi ka zânë gjykata e kuqe. Faji, edhe i atij si i shumë tjerëve, s’ka ç’me pasë qênë tjetër veçse mêndja e trashë qi nuk don me marrë vesht se komunizma âsht zot, besë e fé, nânë e babë, bir e bijë, motër e vlla et.et.! Nuk po të mërzis tue të kallxuem se ç’janë tue hjekun edhe të mijt. Tashti s’janë mâ në Savër, por në Gradishtë. Nji katund i largë prej Lushnjet e pra, po nuk i kthyen prap ku ishin, siç e paskan nji farë shprese, im nip, djal’i Petritit, simvjet s’do të mundet me shkuem në shkollë. Ka kaluem në të dytën klasë gjymnazi “con il massimo dei voti e con un attestato di lode”. U shkrova qi të qyrin se mos gjêjnë kund ndonji familje të mirë, ndoshta, qi t’a mbajë djalin në shtëpí të vet, në Lushnje a në ndonji katund t’afër, tue i paguem nji farë pensjoni. Nuk mundem me kërkuem mâ shumë sakrifica prej Kimit e Xhires se aqë sa janë tue bâmë për ta; por në qoftë se andej marr përgjegje positive, në nji mënyrë a nji tjetër s’und e lâ vocin me më shkuem kot. Fatosi, im bir i dytë, qênka fejuem me të bijën e Pashuk Bibë Mirakut, edhe ajo e internueme me familjen e vet në Savër.

Këtu jam tue të mbyllë dý dëftesat e parevet qi i kam pasë dërguem Ahmetit n’emën t’Emines. Ti po më lyp vetëm emnin e bankës, por mbasi të marrët e të hollavet prej familjes qênka vërtetuem, dëftesat s’â mâ nevoja qi t’i ruejmë. Atje ke edhe emnin e Bankës. Por nuk besoj qi kjo të ketë dega ndër Shtete tjera t’Amerikës veçë Neë Yorkut. Me gjithë këtê, paret në Shqipní sigurisht ka edhe banka tjera qi i dërgojnë, Emineja i gjênë. Prandej për këtê ti mos báj kujdes.

Sa për punën t’ânde qi, njiherë për njiherë, paska marrë fund, gjithë urimet e mija për nji tjetër mâ të mirë!

Athue edhe për gjuhën shqipe me folë a? Mirë, pra, po flasim. Por m’âsht mbushun mêndja qyp se lodhemi kot, sikur për gjithçka tjetër shqiptar. Më vjen keq vetëm qi e kuptova vonë këtë të vërtetë. Do të thuesh se qênkam bâmë tepër pesimist. Mirë, thuej po deshe, e ndoshta tepër njimênd. Ka me qênë për të zezën t’eme. Sepse ç’i duhet njeriut jeta qi i tepron prej atij çasi e mbrapa kur vdier idealet me të cillat âsht ushqyem der atëherë? Prandej i mjeri un qi nuk shoh kund ndonji fakt a ndonji provë qi të më bâjë me besuem ndryshe. Çdo popull në botë në çdo lâmë ka disa krenë e shumë bishta. Kurse në Shqiptarinë t’onë ka sa bishta aqë krenë (nuk dij a e përdorni në Lumë këtë ligjëresën e fundit). Gjithkush âsht i dijshëm, madje specjalist në çdo degë ditunije qi t’a duesh, po qe Shqiptar! Sepo ç’kuptim tjetër ka me mos ia njohun tjetrit eprinë qi ka mbi ne? Plasa un tue folë e tue shkruem mbi shqipen, por kurrkund s’ia shoh efektin, posë teje. Na të dy kemi nji shqipe aqë t’afër njâni me tjetrin, qi shumkush edhe shkrimet e tua i ka marrë për të mijat.

Ti ke marrë e je tue përdorë rregullisht infinitiven e plotë të proponueme e të përdorun prej meje. Por je tue gabuem n’atë formë qi për mbrapashtesë ka vetëm -ë (v. Abetarin, f.53).

Në Krú i thomi zekth, sh. zektha nji insekti qi i ngjitet gjedhit nën bisht e e bân me luejtun mêndsh. Por jo zeks-a. Fyrisht përdoret ashtu si po thue ti. Sa për etymologjí, hama dreq se âsht tue më marrë mêndja gjâ për tê! E tý jam tue t’a tërhjekun edhe nji herë veshin – se atê të parin para disa vjetsh e ke harruem – për këtë maní t’etymologjisë. Ndër letra private, sidomos me Lalë Mustafën, s’prish; por kurrë ndër botime. Edhe kur të të teket me e tfilluem nji fjalë shqipe me italishte, mos e bâ këte pa e shikuem italishten në nji fjaluer të mirë e pa e shënuem me nji it. Ke përdorë salvietto kurse âsht salvietta; ke përdorë attrezzatura për attrezo, arnese, strumento, utensile.

Jo, qetë hanë veçeveçë (veç e veçë, secilli mbë vete) ve kiss’aleyhi-l’beëaakii. Përse mâ e pëlqyeshme veçaveçë, a pse âsht nji shformim djalektuer? Edhe me kuptimin e përjashtimit, synonym me vetëm, âsht e drejtë veçë. Por synonym me por duhet veç sikur e ka sërbishtja vetë qi na e ka dhânë: nije tako, već ovako (=s’âsht ashtu, veç (por) kështu). Me gjithë këtê, fonetika e krahinave të ndryshme na përmeton me i pranuem për korrekte të dyja format me çdo kuptim qi të jenë. -Veçanisht âsht neologjizëm shkrimtarësh për veçanë qi e ka Krist. Po gjêj rasë këtu me të dhânë edhe nji kshill tjetër; pashë bukën mos u shtŷj kurrë e mos gabo sa të mundesh, me paraqitun nji neologjizëm për fjalë populli, sado e bukur e e drejtë qi të të duket. Nuk jam tue thânë me mos përdorë në shkrim neologjizma, përdor sa të duesh kur të keshë nevojë për to, por ndër spjegime mos lê me kuptuem se janë të popullit.

Me pasun nxanës fort të hollë âsht nji belá për mësuesin, aqë sa me i pasun fort të trashë; e mira do t’ishte qi t’ishin mesatarë! A di pse? Se të hollit fort nga nji herë i hyp djalli mbë qafë e i frŷn në vesh qi, nemose ndonji send, mundet me e dijtun edhe mâ mirë se mësuesi. E tash po të përgjigjem shkurt se për fjalën već (veq) të sërbishtes ndonji dyshim të vogël mund t’a kemë edhe un, mbasi për fat të keq fjaluer etymologjik për sërbishten e as për slavishten përgjithsisht nuk kam. Nji gjâ të vogël mundem me thânë në favor të sërbishtes: qi Sërbët i dallojnë kudo tingujt ç e q, e pra sikur të kishin pasë marrë prej nesh veç mund t’a kishin mbajtun po kështu e nuk do t’a kishin kthyem në veq; kurse mund të keshë vûmë ré edhe ti vetë se Gegnij’e epër q-në e kthen menjiherë në ç, sidomos tue e pasun fjalën, thjesht shqipe të vjetër, me kuptime tjera, së cillës i âsht dashun vetëm me i shtuem nji tjetër kuptim. Shpresoj se munda me u spjeguem. Sa për posë e posaçe, s’kam asnji dyshim qi janë slavisht, e ti je i lirë si gjithkush me e besuem a jo. A s’je edhe ti shqiptar! E mos u idhno… Gjuhësija, lum Tahiri, âsht nji shkencë, e nji shkencë shumë e koklavitun e e ngratë (ingrata), nuk i ep kënaqsí shkencëtarit, sepse edhe ky mâ të shumtën e pohimevet etymologjike âsht i shtrënguem t’i bâjë me ndoshta (qe, si un këtu: ndoshta < mozhda < mozhe da, sërbisht?). prandej gjuhëtarët janë fare të pakët nëpër botë, mbasi s’e lakmon shumkush atë shkencë. Un s’jam shkencëtar, jam vetëm dilektant me nji anesë të jashtazakonshme për tê e me nji përvojë të gjatë.

Lêni ti Iliro-Thrakët a Thrako Ilirët et. Huvatë qi bâjnë gjuhët e ndryshme ndërmjet sosh s’kanë të bâjnë aspak me datat e të mbërrîmit të njânit a të tjetrit popull mâ heret a mâ vonë atje ku janë përziem. Un s’e pata fatin me të pasun këndej ngjat diku për me kuvêndun shpesh e gjatë bashkë mbi këto problema. Pra po e presim shkurt.

Vet- e veç- janë sigurisht fjalë prej nji rrânje, mâ mirë me thânë si po mendueke edhe ti, vet âsht nâna e veç-it.

Un, Tahir, po të diftoj tashti se kam të daktyloshkrueme nja 10-15 vepra të këtij mërgimi, historí e gjuhësí. Thashë 10-15, sepse ndonji nuk do t’i duhej gjâ kuj posë si libër shkolle në gjymnaz (si Historija e Faraunëvet); ndonji mund të botohet në nji volum me nji tjetër et. Këto s’kanë për t’u botuem kurrë me të gjallë t’em e mbas deket nuk dij, âsht nji punë qi varet prej shumë rrethanash. Un ia kam falë Haxhire-Angela-s, vajzës qi ka bâmë të mundun punimin e tyne e qi ka besim të verbët se veprat e “papi”-të vet kanë nji vlerë. Desha qi t’a dijshe edhe ti si vlla qi të kam. Me ngé tash të shkruej se ç’janë këto vepra.

S’kam ç’me të thânë mâ. Të thashë mjaft. Të marr ngrykë (Kruja).

Mustafa

Ps. Deri me këtë datë un nuk shoh luftë; kërcnimet e Kremlinit i zâ blufe…

            Faleminderës fort e fort për foton.