Vjedhja në bankë/ Vodhi 14 milionë lekë në bankë, Gjykata lë në burg arkëtarin Laja

0
198

Sonila Mesareja

bankomat Prokuroria: Me mosveprime lejoi vjedhjen, “Arrest shtëpie” për specialisten Dura. Të hënën zhvillohet masa për drejtorin Feti Zeneli

Një në burg, një në “Arrest shtëpie” dhe për eprorin masa e sigurisë do zhvillohet ditën e hënë. Këto kanë qenë zhvillimet më të fundit për vjedhjen e kryer në një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet, ku arkëtari ka vjedhur shuma të konsiderueshme në lekë, euro dhe dollarë nga llogaritë bankare të klientëve si dhe nga bankomati dhe më pas ia ka mbathur. Policia e ka shpallur në kërkim, ndërkohë që masa u zhvillua në mungesë të tij. Në total rezulton që dëmi të kapë vlerën e 14 milionë lekëve të reja. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e “Arrestit në burg” në mungesë për shtetasin Besmir Laja, arkëtar në bankën ku ndodhi vjedhja, akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, si edhe masën e “Arrestit në shtëpi” për shtetasen Brunilda Dura, e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Këta dy shtetas janë punonjës të një banke të nivelit të dytë në Tiranë.

 

Hetimi

Nga hetimet e akuzës ka rezultuar se i akuzuari Besmir Laja, me detyrë arkëtar në filialin e bankës së nivelit të dytë pranë Liqenit Artificial, dyshohet se ka vjedhur nga arka e bankës shumën 7.280.012 lekë, 32.900 euro dhe 18.080 dollarë amerikan, si edhe 510.000 lekë nga bankomati. Ndërkohë që sipas akuzës, e akuzuara Brunilda Dura, me funksion asistente e shefit të operacioneve bankare dyshohet se, nëpërmjet mosveprimeve të saj, ka krijuar kushtet për vjedhjen e shumës së parave nga arka e bankës. Në këtë hetim është përfshirë edhe drejtori i filialit të bankës, shtetasi Feti Zeneli, për të cilin seanca për masën e sigurisë do të zhvillohet ditën e hënë. Edhe ky shtetas akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi nëpërmjet mosveprimeve të saj, ka krijuar kushtet për vjedhjen e shumës së parave nga arka e bankës.

 

Denoncimi

Sipas burimeve zyrtare nga akuza, më datë 2 shtator, pra katër ditë më parë, rreth orës 19:00 pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, në seksionin për Krimin Ekonomik e Financiar janë paraqitur shtetasit V. P. dhe R. S., përfaqësues të një banke të nivelit të dytë në Shqipëri, të cilët kanë bërë kallëzim për vjedhjen e ndodhur në një nga filialet e bankës që ata përfaqësonin, në qytetin e Tiranës. Në këtë degë janë të punësuar Feti Zeneli me detyrë drejtor i degës, Brunilda Duro me detyrë asistente e shef operacionesh, Besmir Laja me detyrë arkëtar, si edhe disa punonjës të tjerë. Me datë 1.9.2014, në mëngjes, banka është hapur nga drejtori i bankës Feti Zeneli dhe më pas në punë ka shkuar dhe arkëtari Besmir Laja. Në ora 08:30 ka filluar puna normalisht në bankë dhe në ora 16:30 kur do të bëhej mbyllja, arkëtari Besmir Laja duhet të dorëzonte lekët në kasafortën e bankës. Në kohën që Besmiri duhet të dorëzonte lekët, ai ka nxjerrë pretendimin se kishte punë dhe se duhet t’i dorëzonte më vonë lekët. Më pas, Besmiri ka futur lekët në kasafortë në praninë e drejtorit të bankës Feti Zeneli, por pa i numëruar ato, me pretendimin se numërimin e kishte bërë me një punonjës tjetër të bankës me shtetasen A. K. Ndërkohë që shtetasja A. K., e cila është përgjegjëse e kasafortës, ka dyshuar në numërimin e lekëve dhe ka kërkuar çelësin e kasafortës për të bërë kontrollin fizik të vlerave monetare që gjenden në kasafortë. Arkëtari Besmir Laja, i cili mbante çelësin e kasafortës, nuk ia jep çelësin me pretendimin se e kishte humbur dhe nuk e dinte se ku e kishte lënë. Drejtori i bankës ka njoftuar personin e kontaktit në drejtorinë e përgjithshme të bankës për faktin që nuk gjendej çelësi i kasafortës dhe se duhet të merrej kopje e çelësit që mbahej në drejtorinë e përgjithshme. Duke qenë se ora ishte 18:00, punonjësit e bankës kishin ikur në shtëpi dhe nuk ishte e mundur nxjerrja e çelësit të kasafortës për atë ditë. Me datë 2.9.2014 duhet të fillonte puna normalisht në ora 08:00, mirëpo në punë nuk është paraqitur arkëtari Besmir Laja. Për këtë arsye drejtori i bankës ka njoftuar drejtorinë e përgjithshme dhe ka kërkuar që të vinin me çelësin e kasafortës për të bërë inventarin. Më pas, nga drejtoria e përgjithshme ka shkuar një audit për kontrollin e gjendjes së kasafortës së degës së bankës. Nga kontrolli është konstatuar se mungonin 7.280.012 lekë nga arka e bankës, 32.900 euro nga arka e bankës, 18.080 dollarë amerikan nga arka e bankës, si dhe 510.000 lekë nga ATM. Nga ana e prokurorisë është marrë deklarim të gjithë punonjësve të bankës, si dhe shtetases E. K. me detyrë drejtuese e operacioneve të thesarit në drejtorinë e përgjithshme. Nga hetimet rezultoi se Brunilda Dura, me detyrë asistente e shef operacionesh që mbante kodin e kasafortës dhe sipas rregullores duhet të regjistronte çdo hyrje dalje në librin e arkës, kishte kohë që nuk e kishte bërë këtë punë. Gjithashtu, rezultoi se ajo nuk kishte bërë kontrollin fizik të lekëve dhe valutës që gjendej në kasafortë prej më shumë se tre muajsh.

 

Detyra e drejtorit

Nga deklarimi i marrë nga E. K., e cila shpjegon rregullat dhe detyrat e punonjësve të bankës, ajo ka sqaruar se drejtuesi i degës ka për detyrë të kontrollojë herë pas here gjendjen e kasafortës dhe të arkës. Në rast se për arsye të ndryshme duhet të zëvendësohet një punonjës i bankës, si arkëtari apo drejtuesi i operacioneve, ai duhet të zëvendësohet nga një punonjës i përhershëm me eksperiencë pune. Në momentin që punonjësi merr detyrën, bëhet kontrolli i gjendjes fizike të kasafortës në prani të drejtorit të degës dhe punonjësit dorëzues të detyrës. Për këtë kontroll bëhet shënim tek libri i arkës dhe firmoset nga drejtori i degës, dorëzuesi dhe marrësi. Këtë detyrë drejtori i bankës nuk e ka kryer, duke bërë zëvendësimin e punonjëses Brunilda Dura me A. K., pa bërë më parë kontrollin fizik të kasafortës dhe gjendjes së valutës.