Kontributet, detyrimet për punëdhënësit dhe për punëmarrësit

0
413

kontributet“Punëdhënës” quhen të gjithë personat fizikë e juridikë, që punësojnë persona të tjerë me ose pa kontratë. Cilat janë detyrimet si punëdhënës: Në mbështetje të Kodit të Punës punëdhënësi është i detyruar të nënshkruajë një kontratë pune me punëmarrësit, me kohë të plotë ose të pjesshme; Punëdhënësi duhet të mbajë regjistra për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara për çdo punëmarrës, me kohë të plotë ose të pjesshme. Të bëjë sigurimin e çdo punëmarrësi, me kohë të plotë ose të pjesshme, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës ose në aktin e emërimit. Të bëjë llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, brenda afateve të përcaktuara për çdo punëmarrës. Mbi ç’pagë duhet të llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo punëmarrës:

 

Paga minimale

Paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga data 1.8.2014, është 19 406 lekë dhe paga maksimale mujore është 97 030 lekë (VKM nr. 457, datë 9.7.2014). Por në marrëdhëniet e punësimit, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë pagën bazë minimale mujore në shkallë vendi, e cila nga data 1.7.2013 është 22 000 lekë (VKM nr. 573, datë 3.7.2013). Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi sipas afateve të përcaktuara me ligj. Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur. Listëpagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë, për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar. Punëdhënësi, i cili nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë 10 000 – 20 000 lekë për çdo rast. Punëdhënësi duhet të dorëzojë rregullisht sipas afatit të caktuar listëpagesat, të cilat janë i vetmi dokument, që vërteton pagesën e kontributeve për çdo punonjës. Listëpagesa është dokumenti bazë për dhënien dhe llogaritjen e përfitimeve për çdo punonjës, si dhe vërtetimeve të kërkuara prej tyre.

 

Si bëhet pajisja e punëmarrësve me librezat e kontributeve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore pajis punëdhënësit me librezat e kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, sipas kërkesave që bëhen pranë këtyre organeve. Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, dhe e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore.

 

Si duhen trajtuar përfitimet afatshkurtra:

Mbështetur në Ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësit duhet të llogarisin dhe të paguajnë për punëmarrësit e tyre përfitimet afatshkurtra, si për sëmundje ashtu edhe për barrëlindje; Kur punëmarrësi është i sëmurë ose përkujdeset për fëmijën e sëmurë, që ka në ngarkim, të vërtetuar me raporte mjekësore, kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore deri në ditën e 14 me raport mjekësor deklarohen njëlloj sikur punëmarrësi të mos jetë i sëmurë dhe paguhen sipas përcaktimit në Kodin e Punës, ndërsa nga dita e 15 e raportit mjekësor punëmarrësi i siguruar ka të drejtë të marrë përfitime për paaftësi të përkohshme nga fondet e sigurimeve shoqërore.
Ku duhet të regjistrohesh, nëse fillon një biznes të ri?

Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, fillimisht, ju duhet të regjistroheni në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Më pas, ju duhet të paraqisni pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore kopjen e certifikatës së identifikimit të personit të tatueshëm. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore, mbështetur në këtë dokument, realizon regjistrimin tuaj në organet e sigurimeve shoqërore. b) I vetëpunësuari, dy ditë pas regjistrimit në QKR, duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e punonjësve të papaguar të familjes, me të cilët punon e bashkëjeton, formularin E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”.

 

Si bëhet llogaritja e kontributeve?

Të vetëpunësuarit dhe personat e papaguar të familjes që ushtrojnë veprimtari ekonomike, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor. Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes, mbi 16 vjeç, që punojnë e jetojnë ligjërisht, llogariten mbi bazën e pagës mujore minimale, e cila duke filluar nga data 1.8.2013 e në vazhdim është 19 026 lekë në muaj. Për kontributet e sigurimeve shoqërore ju paguani 23% të pagës minimale mujore prej 19 406 lekësh, e barabartë kjo me 4 463 lekë në muaj. Për kontributet e sigurimeve shëndetësore ju paguani 3,4% të dyfishit të pagës minimale mujore prej 19 406 lekësh, pra 1 320 lekë në muaj.