Sikundër kishte paralajmëruar një ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha, Partia Demokratike paraqiti sot faktet zyrtare që sipas saj lidhin Ministrin Arben Ahmetaj me shitjen e kryer për llogari të Edmond Begos.
Ina Zhupa: Afera e projektit 60 milion euro pranë Unazës së Madhe me ndërtues trafikantin e drogës Edmond Bego e ka pikënisjen tek Ministria e Arben Ahmetaj. Përveç përmbylljes në një kohë rekord të privatizimit dhe shitjes së ish-serave të Unazës së Madhe, Ministria e Arben Ahmetaj ka pasur marrëdhënie direkte financiare me Edmond Begon për këtë pronë. Edmond Bego është personi që ka paguar rreth 1.5 milionë euro në llogari të Ministrisë së Financave të ndarë në katër këste nga muaji nëntor 2015 deri në mars 2016.
Partia Demokratike paraqiti faturat bankare, të cilat sipas saj janë dokument zyrtar që provojnë mashtrimin e Ministrit të Financave Arben Ahmetaj.
Ina Zhupa: Katër pagesat për llogari të Ministrisë së Financave mbajnë datat 14 nëntor 2015 me vlerë 120 milion lekë, tre të tjerat janë paguar brenda të njëjtës ditë, me 11 mars 2016.Vetëm pas këtyre pagesave nga Edmond Bego, Ministria e Financave ka lidhur kontratën për privatizimin e rreth 31 mijë metër katrorë te ish-serat, pranë Unazës së Madhe. Me këtë pagesë, plani urbanistik i Tiranës u ndryshua me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliaj, projekti për lumin e Lanës u ndryshua që të mos prekte pronën ku do të ndërtonte trafikanti i drogës.
Sipas selisë blu, “projekti rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe dhe projekti korruptiv 40 milion euro për zgjerimin e Unazës së Madhe, janë modeli më i qartë se nën drejtimin e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, Tirana është shndërruar në lavatriçen më të madhe në Ballkan për pastrimin e parave të pista”.