Në pritjen e organizuar në nder të 28 vjetorit të krijimit të gazetës “Rilindja Demokratike”, kryeredaktori Bledi Kasmi ka renditur ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2018. Kasmi u shpreh se protesta e studentëve ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme, e cila ngjalli shpresën për një dhjetor të dytë.
“Protesta e studentëve ngjalli energji dhe shpresë që mund të kemi një dhjetor të dytë si ai në vitin 1992, që rrëzoi regjimin komunist. Një protestë e rëndësishme ishte edhe ajo e Kukësit. Mirënjohje për të gjithë ato gazetarë kurajozë që zbuluan skandale që i kanë kushtuar dhe do i kushtonin shqiptarëve shumë shtrenjtë.
Për mua një nga gazetarët, që mund të shpallet gazetarja e vitit është gazetarja e re, Ambrozia. Ajo zgjodhi të ishte gazetare dhe bëri detyrën më të vështirë.
Më 30 gusht shtëpia e gazetares, Klodiana Lala u sulmua nga kriminelë të rrezikshëm. Dhjetori u mbyll me kërcënimin e Ylli Rakipit, i cili zbardhi skandalin e Unazës së Re. Janë raste vërtet të rënda kërcënimesh, por tregojnë se gazetarët janë ngritur dhe po përballen me forcë me regjimin. 2018 konsiderohet viti i parë që kemi të paktën 14 deklarata të institucioneve për mbrojten e gazetarëve”, u shpreh ai.
BalkanWeb