Në seancën e parë të Kuvendit për këtë sesion, në emër LSI-së e mori fjalën kryetarja, Monika Kryemadhi.
Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në Parlament
Problemi më i madh nuk qëndron tek ne që jemi këtu, por problemi më i madh qëndron tek njerëzit që janë jashtë. Sot ne hapim në mënyrë zyrtare Parlamentin, por në fakt në memorien e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve ka mbetur seanca e kaluar, ku opozitës i hiqet e drejta për të folur sepse kanë frikë të dëgjojnë atë që mendon opozita. Edhe po të jetë e gabuar, nuk ka asgjë të keqe të dëgjosh opozitën, por përkundrazi të krijon mundësinë që të përmirësohesh.
Sot do të kisha shumë dëshirë që të flisja për axhendën e Parlamentit, për atë axhendë, e cila pjesa më e madhe e grupit të maxhorancës, më vjen keq dhe për ata deputetë të vjetër që vijnë nga Partia Socialiste nuk e kuptojnë. Hapja e negociatave për Shqipërinë është një gjë shumë e rëndësishme, e cila kërkon një axhendë të qartë dhe duke dëgjuar Kryetarin e Parlamentit që të na e thotë, por jam e bindur që nuk e kupton se çdo të thotë axhendë.
Që të hapen negociatat zoti Kryetar i Parlamentit në radhë të parë duhet dialogu politik dhe nuk ka sesi të ketë dialog politik, kur ju nuk i jepni të drejtën opozitës për të folur. Që të hapen negociatat duhet që të zgjidhet Prokurore e Përgjithshme apo Prokuror i Përgjithshëm me 84 vota dhe nuk ka se si të zgjidhet, kur ju nuk keni një dialog politik. Duhet miratuar një reformë zgjedhore, e cila mban peng zgjedhje të lira e të ndershme për shqiptarët, por nuk ka se si të zgjidhet kur mbahet peng kjo reformë zgjedhore, sepse është e vetmja mënyrë për të vjedhur dhe për të blerë votat e shqiptarëve.
Mbahen peng negociatat sepse nuk do Kryeministri i Rilindjes, sepse nuk do. Mban peng një shtet dhe një popull të tërë sepse ashtu u leverdis atij. Por në fakt të gjitha këto që ne themi këtu kanë të bëjnë me axhendën e Integrimit Europian të Shqipërisë dhe të klasës sonë politike, por shqiptarët presin 300 000 vendet e punës, të cilat u janë premtuar dhe sot s’kanë asgjë.
Shqiptarët presin uljen e çmimit të energjisë elektrike që iu premtua, por përkundrazi iu është rritur çmimi i energjisë elektrike. Shqiptarët presin një pagë më të mirëpaguar, por përkundrazi u shtohen taksat. Shqiptarët presin legalizimin e shtëpive të tyre, por përkundrazi që çohen ruspat e oligarkëve për t’u shembur shtëpitë. Shqiptarët presin që fëmijët e tyre të shkollohen, por përkundrazi u mbyllen dyert e Fakulteteve dhe të Universiteteve me çmimet dhe taksat e larta.
Shikojmë që kemi një qeveri totalisht inegzistente, një qeveri e cila nuk përfaqëson asgjë. Më vjen keq për socialistët, ish-kolegët e mi, që jo vetëm nuk e gjejnë veten e tyre aty, por përkundrazi, ndihen të shfrytëzuar dhe të frustruar.
Në fakt do të doja të falenderoja nga kjo foltore ata studentë dhe pedagogë, të cilët i dhanë zemër dhe thyen frikën e protestës që mund të protestosh kundër këtij njeriu nuk ka asgjë, por përkundrazi, e detyron që të tërhiqet. Që të protestosh kundër këtij njeriu nuk është asgjë, por përkundrazi, shqiptarët dhe shokët e tij do ta kuptojnë shumë mirë se si ai i shet ata edhe pasi të kenë firmosur për të vjedhur, për koncesione apo skema të tjera mashtrimi të rrëmbimit të parave të shqiptarëve.
Protesta e studentëve na dha një mësim shumë të mirë, por përkundrazi ajo që është më e shëmtuara është se si shikon pedagogë, të cilët shpërblehen me vendin e tyre si anëtarë të Bordit të Bankës së Shqipërisë, që edhe këtë duhet ta rishikojmë, sepse keni firmosur për tre anëtarë të bordit të Bankës, ku nga 28 firma, i bien 84 firma dhe ju nuk keni më shumë 78 mandate, kështu që i keni të pavlefshëm. Jam e bindur që Ulsiu thotë që nuk është e vërtetë, por kjo është e vërtetë. Të paktën thojini atij dekanit të Juridikut, të mos kërcënojë studentët, se boll ka shërbyer. Thojini dhe Eda Luçit, bashkëshortes së Sokol Krajës, ish-drejtorit të Doganave të Partisë Socialiste, të mos kërcënojë studentët te Ekonomiku. E shumë të tjerë që marrin përsipër t’i dalin për zot këtij dhunimi të studentëve.
Pas atyre studentëve nuk janë partitë politike, mos kini frikë se do t’i shikoni dhe partitë politike, por plotësoni 8 kërkesat e studentëve, sepse janë shumë të thjeshta. Një sugjerim mikes time Belinda, mos dëgjo se çfarë thotë ky, se do të marri në qafë siç mori Arben Ahmetajn, që shumë shpejt do dali, siç mori në qafë Damian Gjiknurin,që shumë shpejt do dali dhe ai përpara drejtësisë. Siç mori në qafë Arta Markun.
Mos qesh Beni, se të kam mik dhe koleg, por do të mbash përgjegjësi për lavatriçen e parave që është kthyer Shqipëria sot. Ashtu siç do mbajë përgjegjësi Damian Gjiknuri për firmën indiane që i’u dha panele diellore dhe duhet të zbulohet e do të zbulohet shumë shpejt se kush fshihet pas asaj firme, që vjen në emër të një kompanie indiane. Do të zbulohen ashtu siç u zbuluan ofertat e Unazës së Re, se si u vodhën 18 milionë euro vetëm me një offshore. E shumë e shumë të tjera.
Prandaj Belinda, mos dëgjo këtë Kryeministër që kujton se me lakuriqësinë e tij do të habisi shqiptarët si në vitin 2000, por përkundrazi janë mërzitur shqiptarët, se nuk është më ndonjë risi, qoftë kjo në jetën artistike, kulturore dhe seksuale, kam përshtypjen. Mos dil të gënjesh ku të thuash se PPP-ja e famshme e Kashar-Thumanë do t’i kalojë studentëve. Nuk është e vërtetë dhe mos gënjeni, sepse ajo është planifikuar në zero. Por hiqni koncesionet e Vilma Nushit, hiqni koncesionet e tjera që grabisin paratë e shqiptarëve dhe i çoni në xhepat e oligarkëve. Merrini ato 118 milionë euro të skemës së mashtrimit të TVSH-së, që Ben Ahmetaj e di shumë mirë, që me pronarët e atyre firmave të mëdha dhe me firmat e tjera fantazëm kanë mashtruar dhe i kanë vjedhur shqiptarëve mbi 100 milionë euro, dhe jepuni biznesit të ndershëm shqiptar 100 milionë euro, të cilat nuk jua ktheni me rimbursimin e TVSH-së, prandaj Beni të dua shumë, por do të marri në qafë siç të mori, të mori firmën dhe të shiti siç shkarkoi Ministrin e Brendshëm Brenda natës, pse i arrestoi Vangjush Dakon të lidhur me grupin e Avdylajve dhe u kërcënua që nëse ti nuk më nxjerr nga rajoni i policisë unë do të hap librin dhe defterin e të dhënave dhe telefonatave dhe të përgjimeve të Edi Ramës në Shijak.
Kështu që , nëse ky njeri do të mbajë peng, ju të parët se ne jo, ne na keni rrugëve, duke u përplasur dhe duke u ballafaquar me ju, si ta keni qefin ju, me fjalë apo edhe me vepra, por po ju them vetëm një gjë, historia do t’ju rëndojë mbi shpatullat tuaja, do t’ju rëndojë aq shumë saqë nuk do të ngrëni kokë dot deri në 7 breza, mos e bëni këtë mëkat, mos e bëni këtë mëkat për veten tuaj, mos e bëni këtë mëkat për fëmijët tuaj, mos e bëni këtë mëkat për fëmijët e shqiptarëve.
Unë sinqerisht më vjen keq, e kam thënë dhe e them, vitet më të bukura të jetës time i kam kaluar duke protestuar në Partinë Socialiste dhe duke punuar për të, por sot jam e bindur që fytyra e asaj partie nuk jeni ju, fytyra e asaj partie janë me qindra dhe mijëra socialistë që janë jashtë kësaj salle, që janë të zemëruar dhe ju e dini më mirë se kushdo tjetër për urrejtjen që kanë socialistët, ndoshta opozita nuk ka forcën për të marrë 74 mandatet e juaja në këtë sallë, por do t’ju them një fjalë, urrejtja e socialistëve do t’ju tërheqë zvarrë juve dhe këdo tjetër që ju ka grabitur vlerat më të mira që ka ajo parti, prandaj po ju bëj thirrje për herë të fundit, zbatoni rregulloren e parlamentit, na jepni fjalën kur është për të folur, sepse pa një opozitë në parlament edhe ju do të jeni viktimat e radhës të këtij njeriu, të këtij njeriu që nuk i vjen keq për veten e tij, mos mendoni se ka për ti ardhur për ju. Bëni listën sa jeni këtu në grup, të gjithë jeni viktimat e tij, në mos sot do të jeni nesër.