Kryemadhi: Vetë Partia Socialistë nuk i njeh më se çfarë përfaqësojnë ata dhe kush janë…

0
107

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar në Vorë një takim me strukturat e kësaj force politike.

Fjala e plotë e Monika Kryemadhit

Bashkia e Vorës është një xhevahir në të gjithë hartën elektorale të qarkut të Tiranës . Edhe pse presioni dhe lufta e egër e qeverisë apo edhe e policisë së asaj kohe ka qenë e jashtëzakonshme , rezultati i LSI në Bashkinë e Vorës ka qenë surprizues, jo vetëm për ne si LSI, por edhe për shumë faktorë të tjerë politik. Mbi 4600 vota, tashmë kuptohet se kush është sekreti i këtyre votave. Jeni ju që jeni në këtë sallë, këta djem dhe vajza të reja, që për hir të së vërtetës keni dhënë forcën, keni dhënë besimin, keni dhënë kurajën jo vetëm LSI-së, por jam e bindur të gjithë banorëve dhe qytetarëve të Bashkisë së Vorës. Kështu që sinqerisht ju falënderoj, ju falënderoj dhe ju jam shumë mirënjohëse për të gjithë këtë angazhim tuajin. Në fakt kur vjen në Vorë, shikon që e gjithë autostrada që nga Komuna e Kasharit, do të shikosh që ka zhvillim në të dy anët e rrugës, ka industri të zhvilluar, ka biznese të hapura, por kur pyet dhe hyn brenda në Bashkinë e Vorës shikon që papunësia është shumë e madhe. Dhe kjo vjen si rezultat edhe i mungesës së zhvillimit apo të krijimit të mundësive që qeveria duhet të krijojë. Më pas po të dalësh në njësitë administrative të Bashkisë të Vorës do të shikosh që bujqësia është një nga elementët kryesorë, me të cilët fermerët apo banorët e fshatrave jetojnë me këtë bujqësi, e cila nuk ka absolutisht subvencionim nga shteti, por përkundrazi. Në momente të caktuara ka pasur pozicionimin e shtetit kundër fermerëve, kundër banorëve të fshatrave përreth, apo dhe krijimit të mungesës së hapësirës së zhvillimit të bizneseve të tyre apo të fermave të vogla që ata kanë. Problematikat në Bashkinë e Vorës janë pafundësisht, të mos dalim dhe të flasim ku pak më tutje keni një fabrikë bitumi këtu, e cila ndot komplet ambientin, por krijon edhe mungesën e zhvillimit të kësaj zone, qoftë kjo për bujqësinë, turizmin etj. Mos të flasim për mungesën e infrastrukturës së liqeneve në Bashkinë e Vorës, ku qytetarët e Tiranës nuk e dinë sepse nuk i ka promovuar dhe nuk i ka motivuar dhe nuk e ka promovuar turizmin në këto zona, të cilat kanë potenciale të mëdha turistike. Kemi aeroportin e Rinasit që është shumë afër, kemi dhe shumë e shumë mundësi të tjera zhvillimi, të cilat nuk po shfrytëzohen dhe nuk po i japim shtysë zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës në Bashkinë e Vorës. Mund të flasim për problemet e Bashkisë së Vorës pafundësisht, mund të flasim për angazhimin e grave dhe vajzave të reja, të cilat e kanë të pamundur më shumë se burrat, qoftë për të gjetur një vend pune, qoftë për të krijuar një biznes të tyren, dhe kjo vjen si rezultat i mungesës së dëshirës apo edhe të vëmendjes nga qeveria. Ky është edhe për faj të klasës sonë politike. Megjithatë unë mendoj që asnjëherë nuk është gabim dhe asnjëherë nuk është vonë për të kërkuar falje tek njerëzit dhe asnjëherë nuk është gabim dhe asnjëherë nuk është vone për t’u kujtuar dhe për t’u takuar me njerëzit dhe për të biseduar.

Në fakt këtu nga Bashkia e Vorës ne kemi marrë gjithmonë maksimumin edhe pse kemi pasur gara sfiduese, me të cilat here pas here kemi pasur edhe përplasje, por kemi pasur edhe suksese të caktuara, të cilat i kanë dhënë shans edhe mundësi shumë më shumë Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ajo ç’ka të bën përshtypje sot, do të flas pak edhe për situatën politike sepse këtu nga Vora  dua të shpërndaj edhe mesazhe të tjera shumë të rëndësishme.  Sot ndoqëm sesi Presidencën e Bashkimit Europian e merr Rumania, ku marrja e kësaj stafete ka një rëndësi shumë të veçantë për Shqipërinë. Do të thoni ju që të flasësh për negociata sot në një vend kaq të varfër dhe në një qytet kaq të varfër, që në dukje duket që është shumë i pasur sepse ka bizneset më të mëdha të Tiranës, të cilat janë shtrirë dhe zhvillohen në Bashkinë e Vorës, por dua të them që dhe negociatat kanë një rëndësi shumë të veçantë dhe shumë të rëndësishëm për Shqipërinë.

 

Hapja e negociatave krijon një stabilitet ekonomik dhe politik për Shqipërinë. Hapja e negociatave për Shqipërinë ka një rëndësi shumë të madhe sepse krijon pozicionimin e Shqipërisë përfundimisht në krahun e Bashkimit Europian, gjë që për të cilën ne në këto 27 vite tranzicionit të politikës shqiptare kemi pasur të domosdoshme pozicionimin përfundimtar të Shqipërisë.

Dhe ajo ç’ka dua të them është që anëtarësimi i Shqipërisë dhe hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian ka një rëndësi të veçantë, por që të arrijmë në këto rezultate, pra për të hapur negociatat është shumë herë e rëndësishme që të realizohet dialogu politik. Që të realizohet dialogu politik për të ecur dhe për të vazhduar më përpara me Reformën Zgjedhore për të vazhduar me vazhdimësinë dhe ecjen përpara të Reformës në Drejtësi, siç zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, siç është zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, siç është zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila për hir të së vërtetës ka krijuar një boshllëk jashtëzakonisht të madh për procese të cilat kanë vite dhe vite që mbahen peng qoftë në Gjykatë të Lartë apo qoftë në Gjykatë Kushtetuese nuk gjejnë dot zgjidhje qofshin këto për pronat e tyre, për problemet e tyre, etj kështu me radhë.

Ajo që mendojmë ne që është shumë e rëndësishme, hapja e negociatave do të sillte një zhvillim të ekonomisë shqiptare, do të krijonte një klimë bashkëpunimi dhe një klimë për investitorët e huaj për të ardhur në Shqipëri, të cilët janë të domosdoshëm sepse Shqipëria e ka të domosdoshme investimet e huaja sepse krijojnë më shumë mundësi punësimi dhe krijojnë një lëvizje dhe frymëmarrje për ekonominë shqiptare.

Mos hapja e negociatave është vdekjeprurëse për shqiptarët, pse është vdekjeprurëse hapja e negociatave, sepse mos hapja e negociatave do të thotë që Shqipëria do të izolohet çdo ditë dhe më shumë. Faktikisht ne sot shikojmë që ngërçin tonë kryesor, të cilin ne e pamë dhe para disa ditësh në deklaratën e komisionarit Han, që nuk e ka më në dorë opozita, sepse opozita i ka bërë të gjitha mundësitë dhe iu ka luajtur të gjithë gurët e saj në lojën politike që sot parashtrohet. Kemi një parlament në të cilin i hiqet e drejta e fjalës opozitës për të folur, që vetëm në diktaturë bën vaki, nuk bën në demokraci. Kemi një Parlament që manipulon dhe falsifikon vendimet e parlamentit apo vendimet e komisioneve të ndryshme të Parlamentit. Kemi një parlament i cili uzurpohet dhe merret peng nga një njeri, i cili ka marrë në dorë dhe ka marrë peng qeverinë dhe fatin e shqiptarëve.

Ajo që të bën përshtypje më shumë, është se ne mund të flasim politikisht pafundësisht, por në fund të ditës njerëzit do të thonë se çfarë fitoj unë nga politika dhe në fakt pavarësisht se ne flasim sot, sot shqiptarët bëjnë llogaritë se paguajnë shumë më shumë fatura seç kanë paguar 5 vjet më parë. Sot shqiptarët e paguajnë energjinë elektrike më shtrenjtë seç e kanë paguar 5 vite më parë.  Sot shqiptarët edhe pse kemi një kryeministër, i cili i ka premtuar që TVSH-ja për energjinë elektrike do të jetë 6%, vazhdojnë dhe e paguajnë me 20%, madje familjet e varfra paguajnë akoma më shumë seç kanë paguar 5 vite më parë. Sot shqiptarët thonë se po presim një vend pune sepse ka me qindra të rinj dhe të reja që kanë mbaruar shkollën e mesme, që kanë mbaruar shkollën e lartë, kanë mbaruar Masterin, kanë mbaruar shkollat profesionale dhe nuk e kanë të mundur për t’u punësuar dhe në fakt 300 mijë vendet e reja të punës që ne kemi dëgjuar nga kryeministri jo vetëm që nuk janë hapur, por përkundrazi, kemi 400 mijë shqiptarë, të cilët janë larguar nga Shqipëria. Kemi dëgjuar që do të ulen çmimet e TVSH-së për ushqimet e shportës, për bukën, vajin, sheqerin, miellin etj. Përkundrazi, jo vetëm që nuk është ulur TVSH-ja, që do të bëhej TVSH-ja zero, por janë rritur çmimet. Janë rritur çmimet për shkak të rritjes së taksave, për shkak të rritjes së çmimit të naftës, për shkak të rritjes së çmimit të transportit, për shkak të rritjes së taksave lokale. Kemi dëgjuar që do të kemi shëndetësi falas dhe ju e dini shumë mirë që vetëm shëndetësi falas nuk ka sot për shqiptarët, përkundrazi kemi shëndetësinë më të shtrenjtë në rajon. Kemi dëgjuar që do të kemi arsim falas, përkundrazi të gjithë ju në faturën tuaj të energjisë elektrike, paguani dhe 5000 lekë të vjetra taksa arsimi, që për hir të së vërtetës kësaj i shtohet edhe 20% i TVSH-së. Kemi dëgjuar që do të kemi mundësi pafundësisht të zhvillimit ekonomik, stimulimin për krijimin e biznesve të reja për të rinjtë, por përkundrazi kemi vetëm të rinj dhe të reja që largohen nga Shqipëria. Vetëm në një vështrim të shpejtë që ne kemi bërë si LSI, kemi evidentuar mbi 26 premtime të cilat asnjëra prej tyre nuk është mbajtur. Vetëm një premtim ka mbajtur Edi Rama, ku thoshte se do të krijojmë korridorin e syrit të kaltër, por në fakt krijoi korridorin e trafikut të drogës nga Shqipëria për në Europë. Të gjitha këto të dëshpërojnë dhe nuk të japin asnjë shans dhe shpresë që të thuash që ky vend do të bëhet një ditë. Por ka vetëm një mundësi, e cila mund të sjellë shpresën për të ardhmen e shqiptarëve dhe këto janë negociatat me Bashkimin Europian. Sepse 99% e shqiptarëve aspirojnë për të qenë anëtar të Bashkimit Europian. Ne sot një nga arritjet më të mëdha që kemi si LSI, është lëvizja e lirë dhe lëvizja pa viza e shqiptarëve në Europë. Por të mos harrojmë politikat të cilat kanë favorizuar korrupsionin, krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe shpërnguljen në masë të shqiptarëve, sikur të jemi në gjendje lufte. Pra mbi 400 mijë shqiptarë të cilët janë larguar nga Shqipëria drejt Bashkimit Europian kanë krijuar një nga alarmet më të mëdha që ka BE për Shqipërinë, që janë azilkërkuesit, të cilët në këtë proces të shpërnguljes masive të shqiptarëve, BE do të vendosi dhe ka mundësi që në vitin 2021 ta rivendosi përsëri Shqipërinë në procesin e marrjes së vizave. Pra jo vetëm që nuk kemi hapa përpara, por kemi një kthim pas të procesit të hapjes së negociatave dhe të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Në fakt do thoni ju në Bashkinë e Vorës, përse na flet kaq shumë për integrimin europian? Flas, sepse Bashkimi Europian është një nga problemet më të rëndësishmet për Shqipërinë, është një nga problemet më madhore që ka Shqipëria sot, është një nga pikat më të dobëta për të cilat nuk flitet fare nga klasa politike, por flitet më shumë në kancelaritë e Bashkimit Europian, se si e si ti krijojmë një shans dhe mundësi Shqipërisë për tu bërë anëtare e Bashkimit Europian. Dhe nëse ne politikanët në rradhë të parë, nëse ne klasa politike, nëse ne partitë e opozitës nuk do të flasim për këtë problem madhor sigurisht që Edi Ramës do ti interesojë që të venitet shpresa e shqiptarëve për Bashkimin Europian. Sepse vetëm në këtë mënyrë të gjithë shqiptarët do të ngrejnë plaçkat dhe do të largohen nga Shqipëria dhe do të lënë një oazë të madh të të gjithë kësaj pasurie, do tja lënë Edi Ramës për të bërë çfarë të dojë. Ju keni dëgjuar përpara disa ditësh, se si disa punonjës të Drejtorisë së Tatimeve janë arrestuar për shkak të skemës së mashtrimit me TVSH-në. A e dini ju që kryesorët dhe çelësat kryesorë të kësaj skeme të mashtrimit me TVSH-në janë oligarkët e Edi Ramës, të cilët marrin miliona para nga buxheti i shtetit, nga paratë tuaja dhe përveç kësaj vjedhin me skema mashtrimi dhe 118 miliard lekë të reja, të cilat janë 100 milion euro që i marrin dhe i fusin në xhep nëpërmjet kësaj skeme mashtrimi. Pra kompanitë e oligarkëve, të cilët shkarkojnë TVSH-në në kompani fantazma, të cilat nuk ekzistojnë fare dhe nga ana tjetër bizneset e ndershme, të cilat rropaten, të kanë nëpër dyert e bizneseve të tyre nga katër herë apo dhe nga pesë herë ne muaj policinë taksidarë të Edi Ramës. Një herë me Taks Forcën, një herë me Hetimin Tatimor, një herë me Policitë Bashkiake, një herë me Policitë Rrugore, një herë me Policinë e Shtetit, një herë me policinë e kuqe, një herë me policinë e verdhë sipas të gjitha llojeve të policive që ka krijuar Edi Rama, jo vetëm që i krijojnë probleme dhe i mbyllin çdo lloji shansi dhe mundësie për të zhvilluar biznesin e tyre, por nga ana tjetër janë mbi 100 milion euro, të cilat shteti shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet t’ia kthejë këtyre bizneseve me skemën e rimbursimit sepse ua ka marrë në mënyrë të padrejtë.

Pra kemi dy lloje standardesh, kemi standardin e grabitjes parave të buxhetit të shtetit për t’ua dhënë me skema fiktive dhe mashtruese oligarkëve të tij dhe nga ana tjetër kemi biznesin e ndershëm, ata që mbajnë në këmbë buxhetin e shtetit, të cilët nuk subvencionohen dhe nuk u kthehen mbrapsht paratë e tyre sipas ligjit dhe rregullave të shtetit.

Megjithatë mund të flasim pafundësisht për problematikat që ne kemi, mund të flasim pafundësisht edhe për shumë probleme të tjera, gjëra të cilat e bëjnë jetën e përditshme të pamundur për shqiptarët. Qëllimi ynë është që shqiptarët të kthehen në Shqipëri dhe ta kthejnë Shqipërinë në shtëpinë e tyre. Ashtu siç kujdesemi për shtëpitë tona, ashtu siç kujdesemi për familjet tona. Ne fakt duhet të kthehemi të kujdesemi dhe për Shqipërinë.

Duhet të marrim përsipër përgjegjësitë tona, duhet të marrim përsipër edhe gabimet, edhe të korrigjohemi sepse gabimet na shërbejnë për t’u korrigjuar, edhe për të kërkuar falje, por dhe për t’u përmirësuar edhe për mos t’i bërë më dhe të ndryshojmë atë mentalitet, të cilin për hir të së vërtetës është kthyer që kush vjen në pushtet merr, përfiton çfarë ka për të marr dhe largohet. Jo, ne duhet të krijojmë atë lloj filozofie të politikës që nuk ka më politikanë që vijnë e përdorin shtetin dhe pushtetin për të mbushur xhepat e tyre dhe largohen. Sot ne duhet t’u japim një shembull të rinjve dhe të rejave shqiptar që Shqipëria duhet të ngrejë atë model dhe atë sistem që i shërben popullit. Nuk mund të jetë populli në shërbim të politikanëve, por duhet të jenë politikanët dhe qeveritarët në shërbim të popullit.

Nëse ne nuk do të ndërtojmë këtë mentalitet dhe këtë koncept në radhë të parë tek ju të rinjtë dhe të rejat dhe më pas tek vetë politika që duhet ta kuptojë që e ka shumë të rëndësishme që ata janë shërbëtorët e qytetarëve dhe votuesve të tyre, ne do ta kemi shumë të vështirë për të mbijetuar dhe për ta mbajtur këtë vend në këmbë.

Unë ju falënderoj jashtëzakonisht shumë, ju jam shumë mirënjohëse për këtë takim, jemi të gatshëm të bashkëbisedojmë sepse në datën 30 qershor ne do të përgatitemi për zgjedhje, të cilat jam e bindur që nuk do të jenë thjesht zgjedhje lokale, por do të bëjmë zgjedhje lokale dhe të përgjithshme, sepse sot pas kaq kohësh, ne kemi një diskutim të hapur, ku kemi një mandate kryeministri dhe një mandat mazhorance të grabitur dhe të blerë me votat e krimit të organizuar, ku kemi një raport të OSBE-ODHIR-it dhe të BE-së, ku e shkruajnë të zezë mbi të bardhë që 20% e votave nga mazhoranca janë të blera, ashtu siç kemi edhe një raport për intimidimin e qytetarëve nga administrata publike apo edhe nga policia e shtetit, të cilat tregojnë haptas se zgjedhjet e 25 qershorit të 2017 kanë qenë zgjedhje të manipuluara dhe kanë qenë zgjedhje të korruptuara.

Pra kemi një kryeministër në ikje, i cili 9 ministrat e tij tashmë kanë rënë dhe janë kukulla, dhe vetë Partia Socialistë nuk i njeh më se çfarë përfaqësojnë ata dhe kush janë, tregon edhe njëherë që kemi një situatë jo normale, emergjente, ku kërkohet rivendosja e rregullave të lojës, e atyre rregullave të lojës të cilat janë të shkruara në Kushtetutën e Shqipërisë, e atyre rregullave të lojës të cilat të gjithë i kemi aspiruar dhe i kemi kërkuar në vitet 90 për demokraci.

Demokracia është një e drejtë që na jepet të gjithëve, prandaj ne nuk mund të lejojmë këtë grusht njerëzish, të cilët kanë uzurpuar dhe kanë rrëmbyer jetën e shqiptarëve, e kanë grabitur dhe përdorur për interesat e tyre. Prandaj unë ju falënderoj shumë, zoti ju ruajt ju dhe familjet tuaja. Ju jam mirënjohëse pafundësisht për gjithë këtë angazhim, sigurisht dhe grupit të punës dhe gjithë atyre strukturave drejtuese në të gjithë Bashkinë e Vorës që për hir të së vërtetës kanë qenë një nga Bashkitë mund të themi më pa zë, por ka qenë një nga Bashkitë më produktive të qarkut të Tiranës

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here