Euro 2016/ Kuqezinjtë në formë, te Danimarka Kjaer dhe Olsen në garë me kohën

0
344

Kombetarja1Kombëtarja shqiptare duket në formë të mirë në seancën e parë stërvitore të saj, teksa e vetmja mungesë te skuadra është Odise Roshi, por pozitiv është kthimi i Mehës. Skuadra e Danimarkës mund të ketë mungesa të lojtarëve të rëndësishëm si Kjaer apo Ankersen

 Kuqezinjtë e De Biazit kanë kryer dje seancën e parë stërvitore në kuadër të eliminatoreve të Euro 2016-ës në sfidën kundër Danimarkës. Lojtarët kanë qenë në formë dhe nuk kanë shfaqur probleme apo lodhje teksa e gjithë seanca është zhvilluar në një terren të mirë, edhe pse ka qenë lagështi. Trajneri italian i kuqezinjve, Xhani de Biazi, ka pasur tërë grupin në dispozicion, duke përjashtuar të dëmtuarin Odise Roshi. Mesfushori i FSV Frankfurt ka qëndruar në Gjermani për t’u rikuperuar nga dëmtimi nën urdhrat e mjekut të skuadrës dhe në varësi të lajmeve që do të vijnë do të vendoset nga stafi i përfaqësueses sonë nëse do të grumbullohet apo jo për ndeshjen me Serbinë. Seanca e parë stërvitore ka qenë më shumë atletike dhe ka shërbyer për të parë se kush është në kondicion të mirë. Skuadra ka zhvilluar gjithë programin dhe pritet në ditët në vazhdim të vazhdohet me aspektin teknik dhe përgatitjen e ndeshjes kundër kryesuesve të grupit. Për t’u theksuar binte në sy fakti ka qenë izolimi total i skuadrës me median, që ka një orar të caktuar për t’u informuar, si dhe minutazhin e reduktuar për të ndjekur seancën stërvitore të ekipit. Një teknikë e ndjekur nga tekniku italian që duke parë fitoren ndaj Portugalisë nuk do t’i hutojë lojtarët.

 

Danimarka në luftë me kohën

Danimarka, ndryshe nga Shqipëria që i ka të gjithë lojtarët në dispozicion, vuan disa dëmtime. Lojtarë mjaft të rëndësishëm për Olsenin që mund t’i prishin punë ndaj kuqezinjve. Vlen për t’u theksuar se ndeshja do të luhet në “Elbasan Arena”, kështu që, përveç tifozerisë, Olsenit do t’i duhet që të bëjë pa një ose dy lojtarë të formacionit bazë. Simon Kjaer mund të jetë mungesa e madhe e Danimarkës. Futbollisti 25-vjeçar ka pësuar një dëmtim në takimin e Europa League mes Lilës dhe Volfsburgut dhe sipas asaj që bëjnë të ditur mediat daneze, është në luftë me kohën për të qenë i gatshëm në sfidën ndaj kombëtares kuqezi. Ish-lojtari i Volfsburgut dhe i Romës nuk u grumbullua fare nga trajneri i Lilës, Rëne Zhirard, për ndeshjen e fundjavës që sapo lamë pas ndaj Lionit në kampionatin francez, dhe këtë të hënë kreu stërvitje të diferencuar me kombëtaren daneze. Kjaer është pa dyshim një nga pikat e forta te kombëtarja skandinave dhe mungesa e tij do të ishte diçka më shumë sesa pozitive për ekipin tonë përfaqësues. Për mungesën e mundshme të mbrojtësit 25-vjeçar, për mediat daneze, foli edhe trajneri i kombëtares nordike, Morten Olsen, i cili theksoi se Kjaer do të bëjë çmos për të qenë i gatshëm në ndeshjen ndaj Shqipërisë, por nëse nuk riaftësohet plotësisht, Olsen tha se nuk do ta rrezikojë duke e hedhur në fushë lojtarin e Lilës, pasi Danimarka tri ditë pas ndeshjes me Shqipërinë do të ketë një takim shumë të rëndësishëm përballë Portugalisë. Probleme te kombëtarja skandinave nuk ka vetëm Kjaer, por edhe mbrojtësi i djathtë i Red Bull Salsburgut, Peter Ankersen, por sipas Olsenit, 24-vjeçari në Austri ka më shumë mundësi për t’u riaftësuar në kohë se 25-vjeçari i Lilës. Gjithsesi, lajmi i mirë për trajnerin e Danimarkës është se mesfushori dhe ylli i skuadrës, Lase Shone, është rikthyer të luajë me skuadrën e tij të Ajaksit dhe do të jetë i gatshëm të përballet me kuqezinjtë. Ndeshja do të zhvillohet në 11 tetor, në “Elbasan Arena”, në 20:45.

 

Shaqiri: Do të vazhdoj të jap maksimumin për Bajernin

Mesfushori me origjinë shqiptare i Bajernit të Mynihut, Xherdan Shaqiri, shprehet i lumtur me fitoren e bavarezëve kundër Hanoverit. Lojtari që luan për kombëtaren zvicerane ishte titullar në këtë ndeshje, duke rifituar besimin e trajnerit Pep Guardiola. Shaqiri thotë se është i lumtur që ka qenë titullar dhe premton se do të jap më të mirën për gjigantin gjerman. “Unë ende kam kontratë deri në vitin 2016 dhe klubi më ka thënë se unë nuk mund të largohem, kësisoj duhet ta pranojë një gjë të tillë”, – ka thënë Shaqiri. “Përderisa jam këtu, unë do ta jap maksimumin. Do ta jap më të mirën time në stërvitje dhe kur trajneri më shpërblen me paraqitje, sikurse kundër Hanoverit, atëherë është edhe më mirë”, – deklaroi Shaqiri.

 

Ibra: Murinjo, tekniku më inteligjent

Sulmuesi i Paris Sent-Zhermen, Zllatan Ibrahimoviç, është shprehur se Hoze Murinjo është trajneri më inteligjent me të cilin ka punuar. Suedezi ka luajtur me disa trajnerë të mëdhenj gjatë karrierës së tij, duke përfshirë Fabio Kapelon dhe Pep Guardiolën, por 33-vjeçari mendon se asnjëri nuk i afrohet portugezit për mençuri. “Murinjo është shumë inteligjent. Ai e trajton secilin ndryshe. Di si t’i trajtojë njerëzit individualisht për të nxjerrë maksimumin prej tyre. Ai është trajneri më inteligjent me të cilin kam punuar për mënyrën si u qaset lojtarëve dhe si ‘manipulon’, është fjalë e gabuar, por si i pompon ata”, – ka thënë ish-sulmuesi që ka punuar dhe me Guardiolën në kohën kur luante te Barcelona.

 

 Konte: Unë përzgjedh, nuk përjashtoj

Tekniku i të kaltërve, Antonio Konte, e ka mbrojtur vendimin e tij për të mos e ftuar Mario Balotelin në ndeshjet e ardhshme të kombëtares dhe mendon se ka vepruar drejt. “Mario ka nisur një rrugë të re, jo të lehtë, dhe besoj se i nevojitet koha e domosdoshme për t’u përshtatur te Liverpuli. Ne jemi duke e përcjellë atë dhe jemi duke i monitoruar të gjithë italianët që luajnë jashtë. Unë bëj zgjedhjet, jo përjashtimet, gjë që është krejtësisht ndryshe. Graciano Pele përfaqëson atë që unë e kam thënë gjithmonë. Meritokracia çon drejt një vendi në ekipin kombëtar për një lojtar, i cili brenda dy vitesh ka shënuar 50 gola”, – ka thënë tekniku. Gjithashtu ai foli edhe për mosmarrëveshjet e lojtarëve pas ndeshjes Juventus-Roma, duke thënë se në kombëtare problemet harrohen, pasi detyra ndaj kombit është më e rëndësishme. Ndërkohë, risia te Italia është Andrea Pirlo, që është riftuar në ekip për ndeshjet kualifikuese të Euro 2016 kundër Azerbajxhanit dhe Maltës. 35-vjeçari është ftuar nga përzgjedhësi Antonio Konte pas lëndimit të Xhakomo Bonaventurës.

 

 Khedira drejt Arsenalit

Mesfushori gjerman i Realit të Madridit, Sami Khedira, duket se karrierën do ta vazhdojë në Angli. Mediat angleze raportojnë se gjermani ka arritur marrëveshje personale me Arsenalin, ndërsa tashmë klubet duhet të arrijnë marrëveshje rreth çmimit të tij. 27-vjeçari ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin mbretëror dhe mund të largohet në verën që vjen si lojtar i lirë. Ndërsa Florentino Perez ka vendosur që ta shesë gjatë afatit dimëror për të përfituar. Thuhet se lojtari është duke menduar kalimin në Londër dhe beson se Reali i Madridit dhe Arsenali do të arrijnë marrëveshje për transferimin e tij

 

 Rodrigez: Dua të bëj historinë me Realin

Xhejms Rodrigez ka deklaruar se ai dëshiron të ndjekë hapat e Angel di Marias dhe të bëjë histori te Reali i Madridit. Argjentinasi luajti rol kyç te Reali në ngritjen e trofeut të Ligës së Kampioneve sezonin e kaluar, para se të kalonte te Mançester Junajtid këtë verë. Gjatë një prononcimi të fundit, Xhejms, i cili erdhi në “Bernbaneu” po këtë verë, ka lëshuar lëvdata për Di Marian dhe thotë se shpreson të ndjekë hapat e tij. “Sa i takon Di Marias, ai është një lojtar i shkëlqyeshëm. Ai ka shkruar histori këtu, ndaj unë kam shumë respekt për të. Unë vetëm sa i jam bashkuar klubit, por edhe unë dua të bëj histori me Real Madridin. Jam komfort këtu dhe dua të bëj gjithçka që trajneri më thotë të bëj. Vetëm dua të ndihmoj ekipin, ashtu që ne të mund të fitojmë”, – ka thënë talenti kolumbian.