Provokimi i Stefan Çapalikut, të gjithë në plehra!

0
209

 Violeta Murati

stefaniVepra e gjermanit Heiner Muller “Hamlet Makina”, me regji të Stefan Çapalikut, ngre dilemën hamletiane në provokime ironike të kohës

 Simbolika e modernitetit rrallëherë shihet në skenën e teatrit tonë. Mbetur në teatrin e fjalës, skena mbush vakuumin e veprimit me stola, karrige e divane dhe aktorët rrallë luajnë këllqet nga vendi, qoftë edhe për t’u paraqitur të transformuar. Ajo që është frymë, oksigjen i teatrit, kryen misionin final të saj, komunikimin, e nëse kjo nuk ndodh, askush nuk e ka tepër kohën që t’ia nisë meditimin, ndërsa sheh jashtë teatrit. Kjo mizanskenë nuk po arrin të shërojë plagët që ka teatri prej trashëgimisë socrealiste. Këtë zgjatje e konsiderojmë të nevojshme për të kontaminuar obsesionin e regjisorëve “mbretër” që rrallë realizojnë atë që quhet mision intelektual, mbi një qëndrim autorial, mbi të vërtetat e shqetësimet që i takojnë kohës.

Si duket, në këtë arsye dramaturgun Stefan Çapaliku e shohim në një simbiozë shqetësuese midis të tashmes e të shkuarës. Sigurisht ajo e shkuar që i takon një marrëdhënieje personale midis individit dhe kohës. Në rastin konkret, me të njëjtën sintezë ideologjike, Çapaliku ka marrë veprën e Heiner Muller, “Hamlet machine”, për të rifreskuar mungesën e kujtesës, harresën dhe kontekstin e mentales që shoqëron shoqëritë postkomuniste, në rastin tonë edhe më të fortë.

Në skenë, aktorët Alfred Bualoti, Eva Alikaj, Erion Hitaj, me një trupë kompakte balerinësh nën koreografinë e Gjergj Prevazit.

E imagjinoni një aktor të sapopushuar nga puna, pra nga Teatri Kombëtar, të gjejë forcën e shpërthimit emocional, të transformohet e të përcjellë aurën e individit të shqetësuar prej “kërcënimit” të metamorfozës. Bualoti ka shpërthyer, me një goditje të saktë skenike, mu aty ku lëngonte prej kohësh ajo që quhet ritmi, pulsi dhe regjimi i një aktori që shpesh shpërfillet ose mbytet nën arrogancën e regjisorëve.

Shfaqja e Çapalikut “Hamlet machine” u dha në kuadër të Tetorit Gjerman, që përkujton shembjen e Murit të Berlinit, një kontekst ky që ndajnë të gjitha vendet e ish-bllokut komunist, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Deri më sot, në teatrin tonë ky kontekst politik nuk është dhënë me këtë forcë, imagjinatë e kurs metodologjik. Një dramaturg që i ka dhënë fund “dorëzimit” të teksteve, duke kapërcyer vetë çdo kufi të përpunimit ideor. Çapaliku është modeli i këtij transformimi, si dramaturg dhe tani si regjisor (në të vërtetë, ka disa vepra të fundit që nuk ia beson kujt, veç vetes!).

Në sfondin bardhezi, me pengesën simbolike të burgut, telat, me disa kazanë plehrash vendosur në skenë, dilema hamletiane shndërrohet në ironi, në një kaos të qenieve, që përcjellin hiç-in e ekzistencës përmes rrëfyesit.

Pa fjalë. Ngjarja bëhet simbolikë, në lëvizje dhe energji. Rrëfyesi, aktori Alfred Bualoti, mban peshën e rrëfimit, e dilemës hamletiane të kësaj kohe, si ndeshet gjykimi i sotëm me të shkuarën, si thirret në thellësi të qenies dëshmia, historia për të përballuar dhimbjet, vuajtjet. Ky refleksion autorial gjen kufijtë e vet, sa te regjisori aq dhe tek aktorët. Është ndër lojërat e rralla ideore që forca e mendimit lëviz përmes aktorëve e bashkë me regjisorin bëhet një trup duke nxjerrë lëngatën, britmën si një lloj çlirimi personal. Regjisori ka dhënë zgjidhjen më të përkryer për ta “tronditur” publikun, jo si bjerrje të forcës, por mu aty, pra tek shpërthimi, nervi dhe karakteri njerëzor rigjejnë arsyen e pastër për të reflektuar.

Me ndërthurjen, midis një klouni, – sa tragjik e komik, – dhe qenies së drejtpërdrejt aktori Erion Himaj ngre potencialin artistik, duke tërhequr pas gjithë trupën e balerinëve, në rrëshqitjen drejt vorbullën duke lëvizur kaosin, e herë duke qartësuar situatën me anën tjetër të dramacitetit poetik të pjesës.

Nuk është një tekst i lehtë për ta ndjekur si një fabul. Por përballë publikut është një tekst që godet kur aktorët krijojnë kurbën e perceptimit të ngjarjes. Për këtë arsye ky leksion i një teatri që zë vendin e fjalës, e ndien nevojën e rrëfimit ka zënë vend me përpikmërinë e një kohës së një ore, ku akrepat s’falin saktësinë. Ky racionalitet ka përfshirë dhe “formën” që shfaq aktorja 50-vjeçare Eva Alikaj, simbolika e portreteve makabre, vrasëse, nxitëse e krimit, e provokimit seksual, perversitetit që gjindjen e kthen në kryq, aty ku përfundojnë gjithë sakrificat e jetës.

Simbolika e thjeshtë, e njohur, por që krijon lojën e gjuhës: Bualoti altari, Alikaj e kryqëzuara, tragjikja e komikja tërhiqet nga masa, – të gjithë pas telave, pengesës së “murit” të komunikimit, në këtë rast të realizuar pastër me publikun! Dilema hamletiane duket se ka humbur shkëlqimin, ku qenia shpërfillet. Kazanët e plehrave, ku është zhytur populli, i gjithë teatri, janë një provokim i regjisorit, bashkë me ironinë e kafkës. Autoriteti, uni, diktati, udhëheqësi, një plastikë, plehër përballë ndërgjegjes së njeriut! Kur një artist, regjisor apo aktor ka këtë shqetësim, gjuhë – e shpërthimi i vlen të rebelohet – janë shenja që diçka nuk shkon në realitet, jashtë dyerve të Teatrit. Sa trans estetik aq dhe përmbajtje politike. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në Teatrin tonë që të flasë kaq hapur, kaq transformues me shqetësime të drejtpërdrejta intelektuale për kohën sa “Hamlet Makina” me regjinë e Çapalikut.