Skandal me uzinën e përpunimit të baterive të plumbit! Leje mjedisore me dëgjesë publike false

0
180

Por, teksa këto kompani po tentojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e ish-metalurgjikut, nuk duhet harruar se vetëm një vit më parë, Elbasani ka shpallur emergjencën mjedisore pikërisht për shkak të ndotjes.

Skandal me uzinën e përpunimit të baterive të plumbit në zonën e ish-metalurgjikut në Elbasan, ku kompania private CC Alb ka arritur të përfitojë lejen mjedisore, duke falsifikuar dëgjesat publike me banorët e fshatrave që preken nga kjo ndërmarrje.

Në dëgjesën publike të dorëzuar  pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nga kompania CC Alb, që ka hapur uzinën e baterive, rezulton se kanë firmosur 7 persona të prezantuar si banorë të Bradasheshit dhe Katundit të Ri në Elbasan, dy fshatra me mijëra banorë, por që në të vërtetë rezulton se vetëm 1 prej 7 firmëtarëve është banor i zonës dhe 6 të tjerë nuk dihet nga janë sjellë për të firmosur pro ngritjes së uzinës. Pra vetëm nga firma e një banori, si përfaqësues i dy fshatrave, kompania ka arritur të përfitojë lejen mjedisore dhe të ngrejë uzinën e përpunimi të baterive të plumbit. Por, kjo kompani nuk është alarmi i vetëm, pasi një tjetër kompani, me të njëjtin aktivitet, konkretisht SOMET shpk, pritet të spostojë aktivitetin nga Shkozeti i Durrësit drejt kësaj zone, dhe është në fazën e dëgjesave publike. Por, teksa këto kompani po tentojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e ish-metalurgjikut, nuk duhet harruar se vetëm një vit më parë, Elbasani ka shpallur emergjencën mjedisore pikërisht për shkak të ndotjes.

Dëgjesa e falsifikuar
Skandali u zbulua nga Porta Vendore, pikërisht më 30 tetor të vitit 2018, kur Agjencia Kombëtare e Mjedisit miratoi licencën për kompaninë CC ALB, me administrator Ilir London. Kjo licencë u dha pas një procesi që kishte nisur që në shkurt të vitit 2018. Në këtë proces përfshihej edhe dëgjesa publike. Kështu, në zemër të ish-metalurgjikut, pranë furrnaltës së KURUM dhe përballë Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale (paraburgimit) të Elbasanit u ngrit uzina e riciklimit të baterive të plumbit, duke përshtatur objektin nr. 45, i ish-kompleksit të famshëm të industrisë së rëndë.

Por, menjëherë është ngritur shqetësimi nga banorët për problemet e mëdha që shkakton industria në këtë zonë dhe në qytetin e Elbasanit, të cilët janë shprehur se nuk kishin informacion mbi këtë çështje, edhe pse Agjencia Kombëtare e Mjedisit  (AKM) ka firmosur lejen mjedisore, duke u bazuar dhe në një dëgjesë publike të realizuar në zonë.

Në këto kushte, Porta Vendore kërkoi informacion pranë AKM-së për dosjen e subjektit që ka ngritur uzinën e përpunimit të baterive të plumbit. Agjencia Kombëtare e Mjedisit përcolli të gjithë dokumentacionin e procedurës së ndjekur për përfitimin e lejes mjedisore, ku ndër to është dokumenti dhe fotot e një dëgjese publike.

Foto gjatë dëgjesës me publikun.

Në këto dokumente bie në sy numri shumë i vogël i pjesëmarrësve në dëgjesën publike, mungesa e ankesave nga pjesëmarrësit dhe sidomos nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, inspektorët e mjedisit në Bashkinë Elbasan dhe Administratori i Bradasheshit, njësi në të cilën është duke u ngritur kjo linjë e re me potencial ndotjeje dhe rrezikshmëri të lartë. Veç fotove në dokument vihet re se kanë firmosur vetëm 7 banorë të Njësisë Administrative Bradashesh, ku dy banorë i përkasin fshatit Bradashesh, 3 fshatit Katund i Ri, 1 nga Vidhasi dhe 1 nga lagjia Skënderbej. Nga këto zona, vetëm fshati Bradashesh dhe Katund i Ri, i përkasin Njësisë Administrative Bradashesh. Pra mbetën vetëm 5 vetë që përfaqësojnë banorët e Njësisë Administrative Bradashesh, e cila sipas Censusit 2011 ka mbi 12 mijë banorë. Por, çështja është edhe më e thellë, pasi askush nuk i njeh këta banorë në zonë, edhe pse deklarojnë se janë banorë të Njësisë Administrative të Bradasheshit.

Dokumenti i dëgjesës publike.

Kryetarët e fshatrave
Kryetari i fshatit Katund i Ri, zona më e afërt për ngritjen e uzinës së riciklimit të baterive të plumbit, Jashar Muça, thotë se ai personalisht nuk ka pasur asnjë njoftim për dëgjesa publike as nga kompania dhe as nga institucionet. Gjithashtu i pyetur nëse i njihte disa prej emrave që kanë firmosur në dëgjesë, ai tha se nuk i njihte të ishin banorë të Katundit të Ri. “Kam dëgjuar për këto uzina por në asnjë rast nuk më kanë njoftuar. Nuk mund të flas për ndotjen, por di që plumbi është ndër metalet më të rrezikshme dhe nëse hyn në gjak shkakton dëme të mëdha”, deklaroi Muça.

Po ashtu, Porta Vendore pyeti edhe kryetarin e fshatit Bradashesh, Gani Zavalina, i cili u shpreh se nuk ka asnjë informacion mbi dëgjesa dhe sidomos ngritjen e linjave të riciklimit të baterive të plumbit. Ai thotë se fshati është ngritur së fundi kundër ndotësve si Ferrokromi dhe rafineria e naftës, ndërkohë që për ngritjen e linjave të reja nuk ka dijeni. “Ne jemi pro ngritjes së linjave të industrisë, pasi do të thotë më shumë punësim për banorët, por sa i përket ndotjes që ato mund të shkaktojnë nuk di të them, pasi duhet të isha pjesëmarrës në dëgjesë e të informohesha se çfarë pasojash shkaktojnë”, theksoi Zavalina.

Veç kryetarëve të fshatrave, as banorët nuk i njohin firmëtarët. Ardi Fraholli banon në fshatin Bradashesh dhe thotë se janë ngritur disa linja të reja të industrisë në zonën e metalurgjikut, por në asnjë rast nuk është marrë mendimi i banorëve. “Nga ju po mësoj se është ngritur një linjë e riciklimit të baterive të plumbit, ndërkohë që pritet të ndërtohet edhe një tjetër. Në asnjë rast ne nuk kemi marrë qoftë edhe një njoftim, në shtëpi, në media apo në forma të tjera”, tha ai. I pyetur nëse njeh ndonjë nga emrat që kanë firmosur për dëgjesën publike, Fraholli thotë se nuk mund të identifikojë asnjë prej tyre.

Në kërkim të firmëtarëve
Porta Vendore vijoi kërkimin për firmëtarët e deklaruar si banorë të zonës në dëgjesën e organizuar më 08.03.2018, por për çudi askush nuk i njihte. Atëherë, Porta Vendore kërkoi informacion edhe pranë Zyrës së Gjendjes Civile. Zyrtarisht nuk u dha informacion për këta persona, pasi të dhënat e tyre mbrohen nga Komisionieri i Mbrojtjes së të Dhënave, por konfidencialisht arritëm të sigurojmë disa informacione shtesë. Nga informacionet e siguruara rezulton se vetëm 1 prej 7 banorëve që kanë firmosur rezulton me banim në Bradashesh, pasi të gjithë të tjerët u përkasin njësive të tjera administrative të Elbasanit.

Vendi ku është pozicionuar fabrika e re e baterive në Elbasan. Foto: Bardha Nergjoni

Bashkia hesht
Por, veç banorëve, në dëgjesën e dokumentuar nga kompania dhe Agjencia Rajonale e Mjedisit, veç dy specialistëve të mjedisit pranë bashkisë, ka marrë pjesë dhe Administratori i Bradasheshit, Andi Liçi. Ai nuk ka pasur komente rreth pasojave që mund të shkaktojë një industri e tillë, por ka kërkuar që kompania të marrë parasysh punësimin e banorëve të zonës. I pyetur nëpërmjet telefonit, Liçi deklaroi se nuk mund t’i kërkohet përgjegjësi për pjesën e ndotjes, pasi nuk është ekspert i fushës. “Unë jam një ndër banorët e kësaj zone që kam luftuar kundër ndotjes, pasi kam fëmijët këtu, por nuk mund ta shpjegoj këtë pjesë, lejen mjedisore, e vendos ministria”, u justifikua Liçi. I pyetur për mënyrën se si janë informuar për dëgjesat, Liçi thotë sipas rregullave, por pa konfirmuar nëse ka pasur njoftime të publikuara për këtë qëllim. Por ashtu, edhe Bashkia Elbasan ka heshtur sa i përket kërkesës sonë për tu shprehur lidhur me qëndrimin ndaj ndërtimit të uzinës së përpunimit të baterive të plumbit.

Kompania dhe ortakët
Ndërkohë, nga fotografitë e siguruara nga Porta Vendore nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mjedisit shikohet numri i vogël i pjesëmarrësve, mes të cilëve administratori i kompanisë CCAlb, Ilir Londo, ortakët, studio e projektit, përfaqësues të agjencisë rajonale të mjedisit, të sektorit të mjedisit, administratori i njësisë dhe një kompani private afër linjës së riciklimit.

I kontaktuar nga Porta Vendore, administratori i kompanisë CCAlb, Ilir Londo, tha se dëgjesa nuk është organizuar nga vetë kompania, por nga një konsulent i pavarur, që është marrë edhe me njoftimin e njerëzve. I pyetur nëse bëhet fjalë për kompaninë Lorenco & Co, ai e konfirmoi këtë fakt,

duke theksuar se nëse dëgjesa do të ishte organizuar nga kompania e tij, do të kishte konflikt interesi. Por administratori i kompanisë, Lorenco & Co është Lorenc Zani, i cili rezulton se është një nga ortakët e kompanisë CCAlb. Ndërkohë, sa i përket faktit se dëgjesa është e manipuluar, Londo nuk u përgjigj duke hequr përgjegjësinë e organizimit të saj, por tha se linja është në zemër të ish-metalurgjikut dhe larg zonave të banuara.

Këshilltarët bashkiakë
Ndërsa kompania pretendon se është në rregull me procedurat, nuk mendojnë kështu anëtarët e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, të cilët më shumë se një vit më parë shpallën emergjencë mjedisore për shkak të ndotjes. Këshilltari i djathtë, Blendi Himçi tha se mungon informacioni i plotë për këto linja të reja dhe është e patolerueshme që të shtohen ende ndotës kur nuk kontrollohen ato ekzistuesit. “Kemi ndarë me të majtë e të djathtë të njëjtin shqetësim për ndotjen e mjedisit nga operatorët industrialë. Jemi mbledhur për t’i thënë Ministrisë së Mjedisit dhe qeverisë që të vijë të marrë masat për të ndalur ndotjen në Elbasan. Ne shpallëm emergjencën mjedisore dhe nisën kontrollet për operatorët, por kemi vënë re se ka diferencime, duke favorizuar njërin apo tjetrin. Sikur të mos mjaftonte situata aktuale, por shtohet edhe një uzinë tjetër. Numri i të sëmurëve me kancer është shtuar dhe kolegët tanë mjekë e dinë mirë cili është shkaku. Kemi mbetur në dorë të mafies ekonomike që po zapton dita ditës Elbasanin që vazhdon të ndotet” deklaroi Himçi.

Mendimi i ekspertëve
Ndërsa kreu i Klubit Ekologjik në Elbasan Ahmet Mehmeti, deklaroi se ka marrë pjesë në dy dëgjesa respektive të dy kompanive për riciklimin e baterive, por ndërsa ato kanë zhvilluar të tjera, nuk është thirrur më për të parë zbatimin e rekomandimeve që ka dhënë gjatë dëgjesave të para, ku ka kërkuar të bëhet kujdes për të krijuar të gjitha mjediset e punës në përshtatje me aktivitetin e ri për vendosjen dhe mbajtjen e lëndëve të para për produktin e gatshëm dhe mbetjet e rrezikshme, sado të pakta qofshin, duke siguruar me përpikëri izolimin nga toka, ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësor. Ndërsa eksperti Beqir Kila deklaroi se është njohur me ndërtimin e linjave të riciklimit dhe prodhimit të baterive dhe aliazheve të plumbit dhe ka pikëpamjet e tij lidhur me kontrollin e tyre. Sipas tij, një prej linjave që ende nuk ka marrë leje, është larguar me protesta nga Durrësi, dhe është duke u vendosur në zonën industriale të Elbasanit. “Historiku i këtyre linjave ka treguar se ka pasur probleme në shkarkimet në ajër. Nisur nga kjo duhet pasur shumë kujdes në këto industri duke zbatuar me përpikëri masat e sigurisë për ndotjen duke mbajtur në gatishmëri sistemin e pluhur-kapjes. Mendoj se duhet monitorim shumë i rreptë duke pasur parasysh zbatimin e lejes mjedisore para fillimit të punës së tyre”, deklaroi Kila.

Precedenti
Qershorin e vitit të kaluar banorët e fshatrave Balldren dhe Vidhas u hodhën në protestë për shkak të ndotjes që shkaktonte rafinaria e naftës e ndërtuar së fundi, me po të njëjtën formë të dëgjesave publike. Në letër, kompania deklaroi se nuk do të kishte ndotje dhe madje do të mbillte breza pemësh për të minimizuar ndotjen përreth saj, por në vend të respektimit të rregullave mjedisore shkarkoi ujërat e ndotura në kanalet vaditëse, duke ndotur tokat e banorëve si dhe shkaktoi ndotje në ajër duke e bërë jetën e banorëve përreth të vështirë. Kompania R.B.H Belinë u spostua nga Sharrëza e Fierit në Elbasan, duke iu shtuar zonës industriale tejet të ndotur nga industria e rëndë. Rafineria e ndërtuar prej saj u kthye shumë shpejt në një ndotës potencial për komunitetin përreth.

Pasojat e plumbit
Sipas organizatës “Safety and Health Administration” (OSHA) në SHBA, ekspozimi i plumbit akut (disa ditë) dhe kronik (në disa vite) ndikon negativisht në sistemet e gjalla, dëmton shëndetin në forma të ndryshme. “Fabrikat e prodhimit të baterive akumuluese elektrike janë konsumuesit më të mëdha të plumbit. Kjo industri përdor pothuaj në të njëjtën masë si plumbin në formën e tij metalike, ashtu dhe format e aliazheve plumb-antimon dhe oksidet e plumbit. Efektet e plumbit janë në ajër, në ujë dhe në tokë. Ndër pasojat e rëndë është shfaqja e kancerit duke përfshirë veçanërisht leuçeminë”, thuhet në studimin e OSHA.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here