Nga Aida Topalli
“Standard” udhëtoi dje drejt fshatit “Stërmas”, në Petrelë. 100 metra pasi del nga rruga e vjetër e Elbasanit, në drejtim të Arbanës, në cep të rrugës, një realitet i trishtë të vret sytë. Gërmadha të vjetra, fabrika përpunimi çimentoje e gurore, dhe shtëpi e vila. Në anë të poshtme, tek shtrihen tokat e gjera të zaptuara nga ferrat, një godinë e vjetër, me disa rroba të hapura nëpër tela, të krijonte bindjen se aty jeton një familje. Kjo ishte edhe arsyeja e këtij udhëtimi. Në hyrje, në ndalesën e parë u stepëm nga të lehurat e qenve. Ndërsa një nga shumë fëmijët e ndodhur në oborrin e shtëpisë, u drejtua drejt nesh, për të ndaluar acarimin e qenit, që normalisht ishim fytyra të panjohura për të, dhe me të drejtua u agresua.
Pasi hymë në oborr, na doli para sysh turra drush të mbledhura për të siguruar ngrohjen dhe pse jo edhe gatimin. 5 fëmijë të vegjël, tre gra, dhe një zotëri i thyer në moshë, këta ishin njerëzit që i gjetëm në oborrin e shtëpisë. Mikpritës, na ftuan të uleshim. Gjatë bisedës së konsumuar me ta, dëgjuam problematika të shumta. Hasan Uku, kështu quhej kryefamiljari, baba i tre fëmijëve, dy djemve dhe një vajze. Gjithë jetën e tij ka punuar me bujqësi, në pamundësi për të pasur një profesion. E megjithatë, sikurse u shpreh ai për “Standard”, i kishin humbur 20 vite punë, dhe sot, në moshën e pensionit, nuk merr asnjë qindarkë më shumë se 70 e 6 mijë lekë të vjetra. I sëmurë nga zemra, me diabet, prostatë e së fundmi edhe Hemorragji Cerebrale në tru, Hasani vazhdon të punojë roje në një objekt pranë shtëpisë, me motivacionin e sigurimit të të ardhurave për ilaçet që blinte, pasi nuk kishte mundësi të tjera. Të dy djemtë të martuar, me nga dy fëmijë, po ashtu edhe e bija, Mirela Karruku, e martuar dhe nënë e dy djemve, edhe kjo me probleme shëndetësore, të gjithë jetojnë nën një strehë. Në një godinë që dikur përpunohej hekur, e blerë nga zoti Uku që në ’92-shin, e improvizuar me stërmundime, porse sërish, me kushte tejet skandaloze. Dhoma të vogla, sa nuk ke ku të hedhësh këmbët. Çatia që rrjedh, e madje, dysheme që thithin lagështirë. Bashkëjëtesë me mykun, varfërinë, sëmundjen, skamjen.
E shoqja e Hasanit, Dhurata, me të cilën nuk arritëm të takoheshim dot, pasi ajo kulloste lopët në atë kohë në një zonë përballë TEG-ut, ishte një grua e cila kishte vuajtur shumë në jetë, dhe para tetë vitesh kishte patur një aksident serioz. Një makinë, pranë shtëpisë e kishte përplasur, gati për vdekje. Pasi kishte ngelur e gjymtuar, një vit kishte marrë kemp, por edhe atë ia kishin ndërprerë më pas, me justifikimin se ishte e aftë për punë të lehta. Ndërsa e reja e Hysenit, Vjollca, nusja e djalit të madh, nëna e dy fëmijëve, një djalë dhe një vajzë, tregoi për gazetën se si ajo ishte martuar aty nga një fshat i Elbasanit. Edhe ajo me vuajtje, pas një jave do kryente ndërhyrje në gju, për shkak të varriceve që nuk e linin më as të ecte rehat. Vjaza e familjes Uku, e martuar në Tiranë, jetonte tashme, bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët, nën një strehë me prindërit, shkak, sipas saj, ishin së pari sjellja e njerëzve të burrit, por edhe pamundësia ekonomike për të jetuar në Tiranë. Nga dashuria për të atin, ajo e zëvendësonte atë në punën si roje, pasi nuk donte t’i humbiste ajo rrogë që merrte, për të siguruar ilaçet. Mungesa e ujit, mungesa e një çatie të mirë, por edhe frika se me ndërtimin e autostradës që do lidhë zonën me TEG-un, shtëpia iu rrezikohej tiu shembej, familja Uku, është mes dy zjarresh. Asnjë ndihmë që nga viti 2015 e këtej. Mirela u shpreh se deri sa ishte PD në pushtet, merrnin ndihma, ndërsa sot, administratori i zonës, sa herë i është kërkuar ndihmë, është shprehur se nuk kanë fonde. Nëse pranë shtëpive të tyre nuk do të ekzistonin dy godinat e përpunimeve të çimentos e rërës, ato do të ishin edhe pa rroga minimale, pa ndihmë ekonomike, veç me pensionin e dy prindërve, që në total, sërish mbetet minimal. Ndoshta një dorë në zemër, nuk do kushtonte shumë.
Deklarata e dhimbshme në takimin e parë me Mirela Karrukun: “Jemi shumë të varfër, në një gjendje ku s’ka ku të vejë më. Nuk më vjen turp ta them, ky është realiteti. Babai është me zemër, në gradën e fundit, nuk bën dot as ndërhyrje, në pamundësi për të blerë ilaçet, punon roje në godinën pas shtëpisë”.
Nga takimi i parë me Hysen Ukun: “500 mijë lek kam shpenzuar para dy ditësh në spital. E sa të vështirë e kam, se pensioni është i vogël. Punoj roje, për të blerë ilaçet e mija”.
——————————————
Intervista me Mirela Karrukun, e bija e Hasan Ukut
“Jemi tre kurora në një strehë. Babai është i sëmurë, e zëvendësoj në punën si roje që mos të humbasë rrogën”
A mund të më flisni pak rreth përbërjes së familjes suaj?
Quhem Mira Karruku, ky është mbiemri i bashkëshortit tim, ndërsa nga vajzëria kam mbiemrin Uku, pra ky është edhe mbiemri i familjeve që jetojnë në këtë banesë. Babai im quhet Hysen Uku, ndërsa mamaja Dhurata. Jemi tre fëmijë, unë dhe dy vëllezërit. Të gjithë jemi të martuar. Vëllai i madh ka dy fëmijë, edhe unë kam dy fëmijë, po ashtu edhe vëllai i vogël. Tre kurora, të gjithë nën një strehë.
Si ia dilni të jetoni, ndihmë ekonomike, pension?
Jo, mamaja merr 50 e 1 mijë lekë të vjetra pension, babai merr 70 e 6 mijë lekë të vjetra. Është i sëmurë me zemër, në gradën e fundit, nuk bën dot as ndërhyrje, me diabet, prostatë, ndërsa së fundmi kishte edhe hemorragji cerebrale. Sa në spital, sa në shtëpi, ikën 500 mijë lek. Babai është roje këtu, tek godina pas shtëpisë. Pasi i ra hemorragjia cerebrale, shkoj dhe e zëvendësoj unë. Të paktën të marrë një rrogë për të blerë ilaçet e veta, mos të hyjmë borxh.
A keni kërkuar ndihmë?
Ndihmë kemi kërkuar mjaft, por nuk na e ka parë njeri derën. Xhaxhai im shiti tokën, pa firmën e askujt, ka bërë vilën aty lart.
Po si ia dilni?
Kemi nga një lopë. Por a të mbajmë qumështin për vete apo të shesim, për të bërë ndonjë lek për fëmijët. Jetë me vuajtje shumë.
Po tokë keni?
Tokë kemi, por po nuk pate ujë për t’i vaditur. Është një liqen por nuk e mbush kush më. Duhet ta mbushin që të furnizohet me ujë i gjithë fshati.
I gjithë fshati është pa ujë këtu? A nuk është bërë ndonjë kërkesë?
Këtu bëj çfarë të duash, askush nuk e ka vrarë mendjen. Vijnë në kohë fushatash, kërkojnë votat, premtojnë, por asgjë. Kam shkuar tek administratori i zonës, kam kërkuar ndihmë, është interesuar, por nuk ka fonde thotë. Vajta edhe herën e fundit, i kërkova ndihmë për babain, por u shpreh se nuk kishte mundësi.
Shtëpia duket shumë e vjetër, kur është ndërtuar?
Kjo ka qenë pikë përpunimi hekuri. Është ndërtuar që në kohën e regjimit. Këtu punonte im atë dhe e ka blerë pastaj.
Ku jetonit më parë?
Lart, në një shtëpi me xhajën. Por u ndamë pastaj sepse kështu erdhën rrethanat. Këtu kemi rënë para 97-ës, pastaj i kemi rregulluar pak vetë, me shumë mund, sepse këtu nuk jetohej.
Shoh mamanë tuaj që mungon. Ku është?
Mamaja është me lopë. Edhe ajo është e sëmurë, aksident në derë të shtëpisë. Është bërë gjysmë njeriu. Një muaj qëndroi në spital, një vit vetëm shtrirë, pastaj u çua me paterica, sepse i patëm humbur shpresat. I patën lidhur kemp, por pasi filloi të ecte edhe atë i hoqën me arsyetimin se është e aftë për punë të lehta. Ajo nuk është për asnjë punë. Kempin na e hoqën tek qëndra. Hall pas halli. S’kemi as shëndetin, se të kesh shëndetin, puno e ha. Ne kemi edhe tokën, po na ka ndodhur shpesh që i kemi mbjellur e na kanë shkuar dëm se s’kishte ujë. Që të bësh serë e të marrësh ujin, do miliona lekë, ne nuk i kemi. Jemi vendas, autoktonë dhe prapë kemi këto vuajtje.
Po ti jeton këtu bashkë me bashkëshortin?
Po, po ketu. Kam ardhur këtu sepse kisha edhe probleme familjare. Djalin e madh e kam patur me azëm, po tani është më mirë. Me shumë mund arrija t’i merrja vaksinën, që është shumë e shtrenjtë. Merrja dikur ndihmë ekonomike tek njësia 10, se atje e kam pasaportizimin, edhe atë ma hoqën. Unë nuk mund të punoj, jam me spoliatrozë, Hernie Diskale, edhe bukët kur i zë e kam problem. Nuk jam në gjendje të bëj punë të rënda. Shkollë nuk kam se nuk më çuan në shkollë, jam vetëm me 8-vjeçare. Sytë nuk i kam mirë. Dua të ble syze, nuk i blej dot, sepse nuk më del terezia. Duhet t’iu plotësojmë kushtet fëmijëve njëherë, pastaj vetë. Prindi kur ka vuajtur vetë, nuk do që t’i vuajë fëmija. Kur ishte PD-ja në pushtet, na kanë pas ndihmuar më shumë, pasi ikën ata, nuk na panë më. Tani nuk kam më asnjë shpresë. Kam trokitur në çdo derë, të gjitha të mbyllura. Unë kam një hrje në Tiranë, nga bashkëshorti, por nuk më del të jetoj atje. Sepse nuk kam të ardhura.
Po kushtet si janë?
Uji më hyn në shtëpi. Nga çatia dhe nga dyshemeja. Kam hapur një kanal, për të mbledhur pak gjithë atë ujë që hynte, dhe situata është qetësuar pak.
—————————————-
Intervista me Vjollca Ukun, e reja e Hysen Ukut
“Jam rritur me vuajtje dhe kam dalë në përfundimin se kush vuan fëmijë, vuan gjithë jetën”
Quhem Vjollca Uku. Kam dy fëmijë. Bashkëshorti punon roje tek objekti përballë. Merr 200 mijë lek në muaj. Kam një lopë, merrem me të. Kam edhe vajzën e vogël e nuk më del të bëj shumë gjëra. Nuk marrim ndihmë ekonomike as asgjë. Nuk marrim se jemi me tokë dhe bashkëshorti në punë.
Të gjithë bashkë jetoni?
Po të gjithë bashkë. Me vështirësi të mëdha. Kushtet siç i shikon. Fëmijët i çojmë me 500 lekë të vjetra në shkollë. Ndonjëherë iu jap edhe bukë me vete, sepse qëllon që nuk kam. Kam edhe vizita për vete. Kam varrimet, që do i operoj javën që vjen. Operacionin do ta bëj në shtet, nuk më kanë thënë asgjë për pagesë, por për shëndetin tim, edhe mund ta jap diçka.
Po kjo dhoma që ngjan si më e re?
Këtë shtëpinë e kam bërë para shtatë vjetësh. Nuk kisha burg lope, se mu shemb. Dhe për këtë arsye e bëra në fillim. Shita një viç dhe bëmë këtë. Pastaj lopën e lashë në një dhomë të vjetër ku rrij, e kaluam këtu. E kam të mbuluar me llamarinë. Ndonjëherë më rridhte ujë, por e kam mbuluar me copa të tjera, duke zënë njëra tjetrën.
Keni kërkuar ndihmë?
Kam kërkuar, por asgjë. Madje ne na kanë thënë që edhe këto do shembën, sepse i bie rruga që na bashkon me TEG-un. T’paktën kështu nuk jemi jashtë fare, por nëse prishen edhe këto, skemi ku të shkojnë.
Si ka qenë jeta juaj?
Jam rritur jetime. Unë bashkë me vëllain. Mamaja më la që 2 vjeç, ndërsa babai më ka vdekur para 8 vitesh. E mendoj me veten time, ai që ka vuajtur fëmijë, do vuajë gjithmonë. Fëmijët kërkojnë, ndonjëherë edhe nuk thonë gjë, sepse e shohin mundësinë, por sado, ne mundohemi, sepse kohët kanë ndryshuar. Çunin e kam në shkollë, vajzën në kopsht. Unë sdal dot shumë t’i marr se më dhëmb këmba. E merr djali, vajzën. Kështu është ndarë kjo dynja, ca kanë, ca jo. Neve ky fat na ra.