Hetimi/ Abuzimi me rimbursimin e ilaçeve, pranga farmacistes Shaholli

0
208

Sonila Mesareja

farmaci 12 Prokuroria zbardh skemën e mashtrimit. Mjekja e lagjes orientonte pacientin për të farmacistja, kjo i merrte recetën me ilaçet e rimbursueshme invalidit dhe i kthente para çdo tri muaj

 Një skemë të pastër abuzimi e ka konsideruar Prokuroria e Tiranës atë që ushtronte prej disa vitesh një farmaciste në Tiranë, e cila pasi i merrte recetën pacientit me ilaçet e rimburueshme, i kthente atij lekët ndërsa për ilaçe i rekomandonte të tjera. Vlera që farmacistja i rimbursonte ishte gjysma e atyre që pacientit i rimbursonte shteti, ndërkohë që në lojë hyjnë edhe bashkëshorti i saj dhe mjekë të tjerë të familjes apo specialistë. Pacienti që ka bërë denoncimin është shoqëruar nga mjekja e familjes pranë kësaj farmacie dhe më pas kjo e fundit startonte funksionimin e skemës që kishte ndërtuar në përfitimin e parave përmes recetave me ilaçe të rimbursueshme. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për shtetasen E. Shaholli, me profesion farmaciste, e akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar mesditën e dy ditëve më parë nga forcat e Drejtorisë së Policisë Tiranë.

 

Hetimi

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi Sh. D. trajtohet nga shteti me pension invaliditeti lëshuar në emër të këtij shtetasi. Prej dhjetë vjetësh ai vuan nga sëmundja e diabetit dhe zemrës dhe kjo është arsyeja pse ai është trajtuar si invalid. Për këto sëmundje ai trajtohet me ilaçe, nga të cilat një pjesë i rimbursohen nga shteti dhe pjesën tjetër e blen vetë. Sipas akuzës, që prej muajit dhjetor të vitit 2011, ai është trajtuar nga një mjeke lagje me emrin S, e cila e ka adresuar që ilaçet e invaliditetit t’i merrte tek një farmaci tjetër në Tirane pasi të gjithë pacientët e saj furnizoheshin aty. Kallëzuesi ka shkuar bashkë me mjeken e familjes tek kjo farmaci dhe pasi i ka parë recetën, farmacistja me emrin E. Shaholli i ka shpjeguar se ilaçet që ai kërkonte nuk rimbusoheshin të gjitha nga shteti dhe cilësia e tyre nuk ishte e mirë. Për këtë arsye, ajo i ka propozuar që mbi bazën e recetës së ilaçeve me rimbursim që ai kishte në emër të tij, t’i jepte një pjesë të këtyre lekëve pa marrë fare ilaçe sepse këtë gjë mund ta rregullonte vetë farmacistja pa i shpjeguar mënyrën se si do bëhej një gjë e tillë. Po kështu, farmacistja pasi i ka marrë recetën e rimbursueshme, i ka thënë kallëzuesit të paraqitej të nesërmen për t’i dhënë lekët, por pa marrë asnjë ilaç. Nga interesimi që ka bërë kallëzuesi ka mësuar se vlera e ilaçeve për të cilat ai rimbursohej nga shteti ishte rreth 23.000 lekë të reja ndërsa farmacistja i jepte atij për këtë vlerë vetëm një shumë nga dy mijë deri në tre mijë lekë të reja në dorë pa marrë ilaçe fare, por vetëm duke dorëzuar recetën e rimbursueshme të lëshuar nga mjekja e lagjes. Sa herë që kallëzuesi ka shkuar tek farmacistja me emrin E. Shaholli, ai ka parë edhe shumë njerëz të tjerë që dorëzonin receta të rimbursueshme dhe merrnin lekë pa marre ilaçe.

 

Disa raste, skema e mashtrimit si funksiononte

Në date 13.9.2013, kallëzuesi ka shkuar tek farmacia ku punon farmacistja E. Shaholli për të paraqitur recetat e ilaçeve që rimbursohen nga shteti si invalid. Farmacistja E. Shaholli, bazuar në recetat e paraqitura nga kallëzuesi ka përllogaritur me shkrimin e saj sa kushtonin ilaçet dhe më pas i ka dhënë shumën prej 8.368 lekë të reja shtetasit Sh.D, si shumë takuese nga vlera totale e ilaçeve që po sipas përllogaritjes së bërë nga vetë farmacistja E. Shaholli, kapnin vlerën prej 16.737 lekësh. Më datë 16.9.2013, kallëzuesi ka shkuar për t’u takuar me mjeken e tij të familjes për t’i dorëzuar një vërtetim nga ISKSH-ja për shtimin e numrit të insulinave dhe për të kërkuar tërheqjen e ilaçeve për një periudhë tre mujore pasi do të largohej për në Greqi për të takuar djalin emigrant. Mjekja e familjes ia ka miratuar shtimin e insulinave dhe e ka orientuar t’i merrte këto ilaçe në farmacinë e shtetases E. Shaholli. Më pas, kallëzuesi është takuar me farmacisten E. Shaholli, e cila i ka thënë atij se meqenëse do të largohej për në Greqi, ajo do t’i jepte lekët për tre muaj duke i dhënë atij një shumë prej 39.000 lekësh të reja nga vlera e ilaçeve që kallëzuesit i takonin për tre muaj. Pas këtij takimi, kallëzuesi ka shkuar përsëri në datë 23.9.2013 në farmacinë e shtetases E. Shaholli, së cilës i ka shpjeguar se nga interesimi që kishte bërë në një farmaci tjetër, kishte mësuar se vlera e ilaçeve që shteti i rimbursonte atij ishte në shumën prej 60.000 lekësh të reja për periudhën tre mujore dhe duke qene se E. Shaholli i kishte dhëne vetëm shumën prej 39.000 lekësh të reja, atëherë ai ka kërkuar një shumë lekësh shtesë për këtë fakt. Nga ana e saj, farmacistja E. Shaholli i ka thënë kallëzuesit se ajo e kishte bërë përllogaritjen në rregull dhe shuma që i kishte dhënë atij ishte pikërisht shuma që i takonte.

 

Takimet me bashkëshortin e farmacistes

Në datë 11.12.2013, shtetasi kallëzues është takuar me shtetasin G. Shaholli, bashkëshortin e shtetases, të cilit i ka shpjeguar se për disa ditë do të shkonte të merrte ilaçet e rimbursueshme tek farmacia e tij. Shtetasi G. Shaholli i ka shpjeguar të mos merrej me insulinat pasi ato nuk kishin vlerë, por të shkonte në poliklinikën e lagjes dhe të merrte rekomandim tek alergjia pasi aty ishin ilaçet e shtrenjta dhe fitimi ishte shumë i madh. Nga ana e tij, kallëzuesi i ka thënë që ai kishte nevojë për insulina pasi ishte i sëmurë dhe invalid, ndërsa për punën e alergjisë ai nuk dinte ku të shkonte. G. Shaholli i ka shpjeguar se fillimisht duhet të shkonte tek mjeku i familjes dhe më pas tek një mjeke tjetër. Para saj, kallëzuesi duhej të hiqej si i sëmure duke pretenduar marrje fryme, këputje të përgjithshme, por duke futur tek libreza personale një shumë prej dy mijë lekësh të reja dhe më pas ajo do t’ia mbushte rekomandimin me ilaçe të shtrenjta. Më tej, G. Shaholli i ka thënë të mos i kursente dy mijë lekë të reja sepse do t’i nxirrte më pas, pasi një pompë për alergjikë bënte nga pesëmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë mijë lekë të reja. Kallëzuesi i ka thënë se i vinte zor të shkonte vetëm pasi nuk e njihte mjeken, por G. i ka thënë të merrte fillimisht rekomandimin dhe pastaj do të flisnin përsëri më vonë. Më pas, në datë 13.12.2013, shtetasi Sh. D. ka shkuar rreth orës 13:00 në farmacinë e shtetases E. Shaholli për të takuar shtetasin G. Shaholli sipas bisedës së bërë dy ditë më parë. Farmacistja E. Shaholli i ka thënë se bashkëshorti i saj nuk ndodhej në farmaci dhe e ka marre në telefon, me te cilin ka folur vetë shtetasi Sh. D. Gjatë bisedës në telefon, G. Shaholli i ka thënë kallëzuesit të shkonte ta takonte vetë doktoreshën, t’i fuste dy mijë lekë të reja tek libreza, t’i thoshte që kishte marrje fryme dhe këputje dhe ajo do ta kuptonte vetë situatën dhe do t’ia mbushte recetën me ilaçe. Më pas, kallëzuesi ka biseduar me farmacisten E. Shaholli, e cila i thotë duhet të takonte vetëm një doktoreshë dhe jo njeri tjetër.

 

Abuzimet e mjekëve të familjes dhe specialistë, kundrejt rryshfetit

Sipas materialit të akuzës, në datë 17.12.2013, shtetasi Sh. D. ka shkuar rreth orës 10:30 pranë poliklinikës ku është takuar me mjekun e familjes, i cili i ka plotësuar recetën me rimbursim të ilaçeve në lidhje me rekomandimin që kallëzuesi kishte marrë nga mjekja alergologe. Më pas, ai ka shkuar në farmacinë e shtetases E. Shaholli, e cila pasi e ka pyetur atë nëse e kishte marrë recetën për ilaçe të rimbursueshme, i ka bërë llogarinë e vlerës së kësaj recete dhe më pas i ka dhënë pacientit Sh. D. shumën prej 6.400 lekë të reja. Ajo i ka shpjeguar pacientit Sh. D se pompa që ai kishte të shënuar në recetë rimbursohej vetëm 50% nga fondi i sigurimit të detyrueshëm dhe më pas i ka shpjeguar atij që kur të shkonte herën tjetër tek mjekja e familjes t’i jepte asaj një shumë prej dy mijë lekësh të reja me qëllim që ajo t’i shtonte ilaçet dhe rrjedhimisht edhe shuma e lekëve që do të merrte më pas pacienti do të ishte më e madhe. Në datë 16.1.2014 rezulton se shtetasi Sh. D. ka shkuar në farmacinë e shtetases E. Shaholli për të tërhequr sasinë e ilaçeve që i takonin për një periudhë tre mujore. Farmacistja E. Shaholli, pasi ka bërë llogaritjet bazuar në recetën me rimbursim, si edhe shkresën 16.1.2014 të Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Tiranë për dhënien e recetave me rimbursim për një periudhë tre mujore për pacientin Sh. D., në përfundim të përllogaritjeve të bëra i ka dhënë këtij të fundit një shumë prej 34.200 lekësh të reja si vlerë takuese sipas përmbajtjes së recetës.

 

Korçë/ Vrau për dy arka mollë, gjykata lë në burg Spahon

 Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 20-vjeçarin Ervin Spaho, i cili vrau mbrëmjen e së dielës, pas një konflikti të çastit për dy arka mollë 19-vjeçarin Muhamet Çela. Prokuroria paraqiti rrethanat e ngjarjes dhe provat për Spahon, duke kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Mbrojtja e të dyshuarit kërkoi një masë më të butë sigurie, me pretendimin se Spaho ishte goditur dhe fyer nga viktima dhe vrasja kishte ndodhur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.

 

 Mirditë/ Tentoi vrasjen e babait, pranga 20-vjeçarit

Policia e Mirditës bën me dije se ka arritur të parandalojë në orët e parë të ditës së djeshme një krim në familje, ku djali dyshohet se tentoi të vrasë babanë e tij. Për këtë u arrestua në flagrancë 20-vjeçari Florind Tusha, banues në Rrëshen. Sipas burimeve policore, 20-vjeçari akuzohet se ka dhunuar fizikisht babain e tij 69 vjeç me iniciale N. Tusha dhe ka tentuar ta godasë atë me thikë për motive të dobëta. Uniformat blu të Mirditës njoftojnë se po vijojnë hetimet për zbardhjen plotë të ngjarjes.

 

 Gjirokastër/ Vlorë, Sekuestrohet drogë, arrestohen 2, në kërkim të poseduesve të tjerë

 Policia e Gjirokastrës dhe ajo e Vlorës kanë sekuestruar dje sasi të konsiderueshme lënde narkotike, ndërsa në pranga kanë rënë dy persona dhe në kërkim janë shpallur disa të tjerë. Policia e Gjirokastrës ka arrestuar drejtuesin e automjetit ku u gjet lënda narkotike një shtetas grek, si dhe arrestohet edhe pasagjeri një shtetas nga Delvina, ndërkohë që në Vlorë janë shpallur në kërkim katër poseduesit. Në operacionin e parë, policia e qytetit të Gjirokastrës ka marrë informacion se një automjet që drejtohej nga një shtetas grek me drejtim lëvizje nga Fieri për në Greqi mund të transportonte lëndë narkotike. Mbi bazën e këtyre informacioneve është përforcuar shërbimi dhe kontrolli i automjeteve në pikën e kontrolli të ngritur në aksin rrugor nacional Gjirokastër – Dervicjan në vendin e quajtur Gropa e Gëlqeres. Rreth orës 23:00, në pikën e kontrollit në aksin rrugor Gjirokastër Dervicjan, është ndaluar një automjet karrotrec që lëvizte në drejtim të Sarandës dhe transportonte një automjet të prishur tip “Peugeot” me targa greke IPP 9497 në pronësi të shtetasit grek Panagiotis Katsaros, 31 vjeç, nga Athina. Gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer në automjetin me targa greke rezultoi se në brendësi të mbrapakolpit dhe poshtë sediljeve në shasi kishte 31 pako të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar marijuanë, me peshë 0.5 kg secila, gjithsej 16.5 kg marijuanë. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se së bashku me shtetasin grek udhëtonte si pasagjer edhe miku i tij, shtetasi Adriatik Ogiçi, 45 vjeç nga Delvina, të cilët ishin nisur nga Fieri dhe gjatë rrugës u ishte prishur makina dhe për këtë arsye kishin marrë karrotrec për të çuar makinën në Sarandë për ta rregulluar. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit shtetasit grek Panagiotis Katsaros, si dhe e pasagjerit Adriatik Ogiçi. Arrestimi i tyre u bë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal. Ndërkohë që plot 30 thasë me marijuanë janë sekuestruar pasditen e djeshme nga policia e Vlorës. Lënda narkotike u arrit të kapej në kuadër të operacionit “Treblova”, ndërsa poseduesit e drogës kanë mundur të largohen. Sipas policisë së Vlorës, janë 4 persona të dyshuar si posedues të lëndës narkotike, dhe po punohet për kapjen e tyre.