Ligj, që emrat e pronarëve të firmave offshore në Shqipëri të bëhen publikë

0
175

Ministria e Financave po punon për hartimin e një ligji të ri, që synon të krijojë një regjistër  i cili do të zbardhë emrat e pronarëve përfitues të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale (offshore) me aktivitet në Shqipëri, në linjë dhe me rekomandimet e raportit të fundit të Moneyval, mekanizmi i Komisionit Europian, që bën vlerësimin për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Monitor ka mësuar se fillimisht u mendua që ky regjistër të krijohej brenda kuadrit ligjor mbi të cilin funksionon Qendra Kombëtare e Biznesit, por më pas u pa e nevojshme që të punohej për hartimin e një ligji të veçantë për të cilin po merret dhe asistencë ndërkombëtare. Një nismë e ngjashme është zbatuar në vitin 2018 edhe nga Serbia.

Ligji synon krijimin e një regjistri që do të listojë pronarët përfitues të kompanive të regjistrura offshore, të cilët zotërojnë mbi 25% të kapitalit fillimisht dhe më pas, kufiri mund të ulet në 10%. Pronësia do të jetë publike, e aksesueshme përmes internetit, ashtu siç është sot për kompanitë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku cilido mund të hyjë në ekstraktin e një subjekti dhe të shikojë të gjitha të dhënat mbi këtë subjekt, nga data e krijimit, vendimet e ndryshme dhe deri tek bilancet financiare. Ky regjistër do të bëjë transparencë dhe mbi origjinën e llogarive bankare, por ky informacion do të jetë konfidencial dhe i aksesueshëm vetëm nga disa institucione.

Kjo nismë synon të bëjë transparencë mbi kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale, me pronësi të panjohur, të cilat kanë shkaktuar debate  të shumta vitet e fundit. Shumë sipërmarrje të regjistruara në këto parajsa, kryesisht në ishujt Cayman kanë fituar koncesione dhe administrojnë burimet e naftës në vend. Debati më i fundit lidhej me DH Albania, që fitoi një pjesë të tenderit për unazën e madhe, tender që u anulua kur rezultoi se kompania kishte falsifikuar dokumentet.

Shoqatat e biznesit kanë kërkuar që të sanksionohet me ligj që kompanitë offshore të mos lejohen të marrin pjesë në tendera.

KE: Kompanitë offshore mund të shërbejnë për pastrimin e parave

Raporti i fundit i Moneyval, vinte një theks të veçantë për rreziqet që paraqet prezenca e kompanive që nuk kanë pronësi të qartë, të ashtuquajtura “beneficiary onwnership”, pra ku përfituesit realë nga këto sipërmarrje nuk dihen. Raporti thekson se ato mund të keqpërdoren për pastrim parash dhe bën thirrje që të ketë kushte më të forta dhe më shumë informacion për to.

“Janë identifikuar mangësi teknike në lidhje me saktësinë dhe përshtatshmërinë e të dhënave në lidhje me kompanitë offshore, kontrollin e informacionit të personave juridikë, si dhe mungesa e masave për të garantuar që bartësit e aksioneve nuk keqpërdoren për pastrim parash, dhe financim të terrorizimit. Rekomandimet e reja të Task Forcës për Veprim Financiar vendosin kushte më të hollësishme në veçanti në lidhje me grumbullimin dhe disponueshmërinë e informacionit për kompanitë offshore”.

“Nuk ekzistojnë mekanizma që identifikojnë dhe përshkruajnë proceset për sigurimin dhe regjistrimin e informacionit për kompanitë offshore përveçse si pjesë e proceseve të verifikimit të entiteteve raportuese.

Nga ana tjetër, nënvizohet se sot nuk ka kërkesa për personat juridikë dhe as për regjistruesit apo autoritete të tjera kompetente për të marrë, për të mbajtur apo që të vlerësojnë masa të arsyeshme për sigurimin në vijim të informacionit për pronarët përfitues.

“Vetëm në rast se drejtorët apo anëtarët, partnerët, aksionerët, themeluesit janë në të vërtetë pronarët përfitues, informacioni në regjistër do të jetë i duhuri. Shqipëria mund të jetë duke zbatuar pjesërisht kërkesat për identifikimin e pronarëve përfitues përmes kërkesave që vijnë nga masat kundër pastrimit të parave apo lufta kundër terrorizmit për entitetet raportuese, për të kryer verifikimin e pjesës që përfshin identifikimin e pronarëve përfitues të personave juridikë.

Modeli i Serbisë

Në 25 Maj, Parlamenti i Serbisë miratoi ligjin për Regjistrin Qendror të Pronarëve Përfitues Përfundimtarë, i cili hyri në fuqi në 8 qershor 2018. Ky ligj u miratua për të harmonizuar legjislacionin vendas me standardet ndërkombëtare dhe për të përmirësuar sistemin ekzistues të zbulimit dhe parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ligji paraqet një bazë të dhënash elektronike të vetme, të mbajtur nga Agjencia Serbe e Regjistrimit të Bizneseve (“SBRA”), e cila përmban të dhëna për personat fizikë që janë pronarët përfitues përfundimtarë të kompanive.

Regjistri do të përmbajë informacionin e mëposhtëm në lidhje me Pronarët Përfitues Përfundimtarë:

–    në rastin e shtetasve serbë, emrin e personit, numrin e identifikimit dhe vendin e banimit;

–   në rastin e të huajve, emri i personit, numri i pasaportës dhe vendi i lëshimit dhe / ose numri i tyre personal dhe / ose numri i kartës së identitetit dhe vendi i lëshimit, koha dhe vendi i lindjes, vendi i banimit dhe kombësia;

Pronari i fundit përfitues i kompanisë (“UBO”) është një person fizik i cili:

-ka një pronësi direkte ose indirekte prej së paku 25% të aksioneve, votimit ose të drejtave të tjera, në bazë të së cilës një person fizik merr pjesë në menaxhimin e një shoqërie ose në kapitalin e shoqërisë me 25% ose më shumë aksione;

-ka ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në menaxhimin e biznesit dhe vendimmarrjen;

– jep në mënyrë të tërthortë ose siguron fonde për kompaninë, në bazë të së cilës personi fizik ka një ndikim të konsiderueshëm në organet drejtuese të shoqërisë në lidhje me vendimet lidhur me financimin dhe veprimtarinë e biznesit;

-është themeluesi, kujdestari, mbrojtësi, përdoruesi (nëse është i vendosur) ose personi që ka një pozitë dominuese në menaxhimin e një besimi ose një entiteti tjetër të huaj; dhe,

-është përfaqësues i regjistruar i kooperativave, shoqatave, fondacioneve, fondeve dhe institucioneve, nëse përfaqësuesi i autorizuar nuk ka regjistruar një person tjetër fizik si pronari përfitues përfundimtar.

Në bazë të ligjit në Serbi, kompanitë  janë të detyruara të përcaktojnë personat finalë të pronarëve përfitues, dhe të regjistronin informacionin deri në 31 janar 2019./Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here