Energjia elektrike/ PD: Rama abuzuesi i parë, aksioni, terror për qytetarët. Pse do paguhet 70% më shumë

0
165

Erneta Shevroja

 Mima: Abuzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike janë menaxherët e qeverisë, shpesh me të kaluar kriminale dhe që marrin para në dorë për favoret

florion mima Partia Demokratike shpreh bindjen se shkelësi i parë i ligjit për energjinë elektrike është Kryeministri Edi Rama, duke shkaktuar rritjen e faturës së energjisë elektrike për mbi 2 milionë qytetarë. Gjithashtu, në deklaratën e PD-së thuhet se të parët që abuzojnë me energjinë elektrike, janë “menaxherët e qeverisë”, ndërsa aksionin policor e quajti “terror” për qytetarët.

 

Shkelësit

Menjëherë pas mbylljes së konferencës nga qeveria për sistemin e energjisë, ku u lajmërua zyrtarisht nisja e operacionit për ndëshkimin e të gjitha subjekteve që vjedhin energjinë, Partia Demokratike reagoi duke thënë se i pari që shkel ligjin është vetë Kryeministri Rama. Në një deklaratë për mediat, deputeti Florion Mima u shpreh se “asgjë nuk shkon mirë me energjinë në vend, kur shkelësi i parë i ligjit është Kryeministri i vendit”. Sipas PD-së, “faktet e krizës së energjisë elektrike në vend janë këto: 2 milionë e 100 mijë shqiptarë, që janë pjesa më e madhe e popullsisë, në këtë kohëra krize, varfërie e papunësie, do të paguajnë më shumë çdo muaj pas vendimit që ka marrë Rama; Abuzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike janë menaxherët e qeverisë, shpesh me të kaluar kriminale dhe që marrin para në dorë për favoret që bëjnë me pasurinë publike; dëmin më të madh sistemit ia shkaktoi Edi Rama, duke i falur CEZ-it 95 milionë euro, para që ai do t’i nxjerrë nga xhepat e varfër të qytetarëve shqiptarë.

 

Aksioni, terror tek qytetarët

Ndërkohë, aksionin për ndëshkimin e të gjithë vjedhësve të energjisë elektrike, që nisi dje nga punonjësit e Shpërndarjes dhe Policisë së Shtetit, PD e konsideron si një hap që do të krijojë terror tek qytetarët. “Aksioni policor që ka nisur sot (dje) me siguri do të krijojë terror tek qytetarët, por nuk do të zgjidhë problemin, pasi paligjshmëria nis dhe mbaron me qeverinë”, – tha Mima. “Qytetarët duan të dinë pse pjesa më e madhe e tyre, ata që janë sot në pamundësi ekonomike, 2 milionë e 100 mijë shqiptarë, do të paguajnë deri në 70% më shumë çdo muaj për energjinë elektrike”, – vijoi deputeti Mima. “Kërcënimi që u bën Edi Rama sot qytetarëve thellon krizën e paligjshmërisë, rrit arbitraritetin dhe shton premisat për shkelje të të drejtave të njeriut, për rritjen e pushtetit autoritarist, pra për rritjen e korrupsionit”, – tha deputeti demokrat nga selia blu. Në fund të deklaratës, Mima iu drejtua Kryeministrit me një kërkesë, “të krijojë transparencë dhe llogaridhënie për abuzimet që ai vetë ka bërë e po bën me energjinë elektrike”.