UEFA fshin komentin në FB për vendimin e Serbi-Shqipëri

0
184

largea_faqja-uefa-s1414678775UEFA është treguar jokorrekte, duke fshirë nga Facebook-u vendimin e marrë për ndeshjen Serbi-Shqipëri, ndërsa së bashku me të janë fshirë edhe mbi 180 mijë komente në këtë postim. Fshirja e lajmit ka ndodhur 1 javë pas publikimit të vendimit, ndërsa nuk ka asnjë arsye apo koment zyrtar për këtë gjë. Numri i komenteve, pjesa dërmuese e të cilave ishin të postuar nga shqiptarët, kishte kaluar shifrën prej 180 mijë të tillash, duke i kërkuar me ironi UEFA-s “UEFA say YES too racist – UEFA thuaji Po racizmit”.

 

Fansja i shpreh dashurinë Klopit

Është përgatitur më së miri ndeshjen me St.Paulin, e vlefshme për Kupën e Gjermanisë, por konferenca e shtypit pas ndeshjes e zuri në befasi trajnerin e Borusias së Dortmundit, Jurgen Klop. Skuadra e drejtuar prej tij fitoi 3-0 ndaj ekipit të Bundesligës II dhe po ecën mirë edhe në Ligën e Kampioneve. Por krejt ndryshe është situata në Bundesligë, ku verdhezinjtë renditen në vendet e fundit të tabelës. Por pavarësisht kësaj një fanse, e moshës së mesme i shprehu dashurinë dhe besnikërinë e saj personale por edhe të gjithë tifozëve të tjerë të Dortmundit. “Ju na çuat drejt suksesit, shijuam suksesin me ju dhe tani ne ju mbështesim në këtë krizë”, – u shpreh tifozja. Përgjigjja e Klopit ishte akoma më shumë e papritur dhe që shkaktoi të qeshura në sallë. “Nëse deklarata të tilla dashurie janë të nevojshme nga ana e tifozëve, atëherë tifozët tanë i paska marrë lumi”, – u përgjigj Klop.

 

Murinjo takon djaloshin e sëmurë

Hoze Murinjo shihet si tepër arrogant brenda fushës së lojës, duke u urryer nga pjesa më e madhe e kundërshtarëve të tij, por jashtë fushe portugezi është një njeri normal, madje me zemër të madhe. Ish-tekniku i Portos, Interit dhe Realit të Madridit para ndeshjes së djeshme në Capital One Cup me Shrewsbury Town, “Special One” është takuar me Lloid Bartonin. Djaloshi, tifoz i zjarrtë i Shrewsbury Town, vuan nga kanceri, por kjo nuk e kishte penguar të pikturonte portretin e portugezit. Murinjo firmosi portretin dhe bëri një foto me 11-vjeçarin. Më parë Lloidin e kishte takuar edhe David Bekam.

 

E dashura e Shnajderit shkëlqen

Gjërat nuk po shkojnë shumë mirë për Uesli Shnajderin dhe Gallatasarajin e tij, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për bashkëshorten e holandezit, Jolanta Kabau. Bukuroshja ka pozuar së fundmi për firmën “YC LOVES KARL”. E veshur e gjitha në të zeza dhe me një stil “alla rock” Yolanta ka treguar të gjithë sharmin dhe bukurinë e saj.

 

Ibrahimoviçi përjetësohet në Paris

I kanë mjaftuar vetëm pak sezone për t’u përjetësuar në qytetin e dashurisë. Zllatan Ibrahimoviç do të jetë i pranishëm për të gjithë dashamirësit e futbollit në Paris edhe për shumë vite. Në rast se gjiganti suedez nuk do të luajë më, tifozët nuk duhet të shqetësohen, sepse ai do të përfaqësohet nga kopja e tij prej dylli. Ibra është lojtari i dytë jofrancez që i bëhet një nder i tillë pas brazilianit Pele, i cili ka statujën e tij prej shumë vitesh në muzeun e Grevinit në Paris. Statuja do të jetë gati në fillim të vitit 2015.