Shuhet Fadil Kujofsa!

0
201

fadil kujovskaU nda nga jeta, të enjten në mbrëmje, aktori i Teatrit Kombëtar, Fadil Kujofsa. Me energjinë jo për të bërë zhurmë, por për të lënë gjurmë respekti mes kolegëve dhe gjurmë artistike në skenë, Kujofsa kaloi katër dekada kushtuar teatrit, duke lënë në heshtje një emër të admiruar. Megjithatë, publiku shqiptar e ka pikasur dhe shndërruar pamjen gazmore të aktorit në përditshmëri sarkastike në një prej roleve të tij në kinematografi, që gjithkush do ta kujtojë batutën për të nga i ndjeri Aleko Prodani: “Cuk, ti do më vdesësh mua”…!

Një aktor profesionist, i cili përcolli vlerat më të mira në skenën teatrore dhe në kinematografinë shqiptare, nuk mungoi dhe në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”. Fadil Kujofsa, aktor i Teatrit Kombëtar që prej vitit 1974, ka një galeri të pasur personazhesh, ku ndër më të spikaturit në karrierën e tij artistike janë interpretimet në komeditë “Nata XII”, “Pas vdekjes”, “Valsi i Titanikut”, “Martesa e avokatit”, “Miq të paftuar” apo edhe dramat “Furrnalta”, “Hekurat”, “Filumena Marturano” etj. Homazhet në nderim të aktorit u zhvilluan dje, në shtëpinë e aktorit, deri në 14:00, nga ku u përcoll edhe në banesën e fundit. Trupi i aktorit të skenës teatrore shqiptare do të prehet në varrezat e Sharrës. Në rrjetet sociale mjaft aktorë të rinj kanë shprehur ngushëllimet, duke sjellë memorien e Njeriut dhe Artistit tek Kujofsa.

Zyrtarisht edhe Teatri Kombëtar dhe Ministria e Kulturës u kanë shprehur ngushëllimet familjes dhe miqve të aktorit Fadil Kujofsa për humbjen e madhe. “Nderime për punën dhe kontributin e tij në kinemanë dhe teatrin shqiptar”, – thuhet në njoftimin për mediat të Ministrisë.