Vaksinohen dhe 13 500 punonjës të shëndetësisë. Sezoni 2013-2014, numri i rasteve të raportuara me infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme arriti në 16215 në javë, në pikun e qarkullimit të virusit të gripit
Nis zbatimi i programit për vaksinimin ndaj gripit për punonjësit shëndetësorë që kanë kontakt të ngushtë me pacientin. Kështu u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në takimin e zhvilluar me punonjës e drejtues të shëndetësisë në Durrës. “Gripi mund të merret nga personeli apo pacientë, të cilët janë me grip, dhe nëse mjekët apo infermierët preken nga gripi, atëherë virusi mund t’u transmetohet edhe të tjerëve edhe pa shfaqje te shenjave klinike. “Kështu, duke u vaksinuar mbrohet vetvetja, familja dhe pacientët”, – tha kreu i shëndetësisë në vend. Në sezonin 2013-2014, numri i rasteve të raportuara me infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme arriti në 16215 në javë, në pikun e qarkullimit të virusit të gripit. Komiteti Kombëtar i Imunizimit udhëzon të vaksinohen të gjithë punonjësit shëndetësorë dhe të gjithë ata që punojnë në mjediset shëndetësore dhe kanë kontakt të ngushtë me të sëmuret pasi kemi të bëjmë me një sëmundje të shkaktuar nga një virus i cili transmetohet nëpërmjet rrugëve ajrore dhe kontaktit të ngushtë. Gjithashtu, ky virus përhapet në masën e gjerë të popullatës gjatë sezonit të gripit, ndërkohë që, i tillë është edhe rekomandimi i dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Vaksinimi
Vaksinimi çdo vit ndaj gripit i të gjithë personelit shëndetësor është i rëndësishëm
për të mbrojtur vetveten, personelin dhe sidomos pacientët të cilët janë grupe në risk.
Arsyet bazë:
– Gripi është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu.
– Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë.
– Gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik i cili shkakton gjendje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje tek grupet me risk të lartë.
– Çdo njeri mund të sëmurët shumë rëndë me grip, duke përfshirë edhe njerëzit të cilët janë të shëndetshëm.
– Gripi mund të merret nga personeli apo pacientë, të cilët janë me grip.
– Nëse mjekët apo infermierët preken nga gripi, atëherë virusi mund t’i transmetohet edhe të tjerëve edhe pa shfaqje te shenjave klinike
– Duke u vaksinuar mbrohet vetvetja, familja dhe pacientët.
Një studim ka treguar se gjatë gripit sezonal 2011 – 2012, vaksinimi ndaj gripit u shoqërua me reduktimin e shtrimeve në spital për sëmundje të lidhura me të, me 71% tek të rriturit (adultët) e të gjitha moshave, dhe një reduktim me 77% tek adultët 50 vjeç e lart. Vaksinimi kundër gripit duhet të bëhet në vjeshtë.
Kodi i Rekomanduar i Praktikës për Vaksinimin
Nëse vlerësimi i riskut tregon që ka një risk për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve për shkak të ekspozimit të tyre ndaj agjentëve biologjikë, për të cilët ekzistojnë vaksina të efektshme, punëdhënësi duhet t’u ofrojë atyre vaksinimin. Vaksinimi duhet të kryhet në përputhje me rregullat e miratuara me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Punëmarrësit duhet të informohen për përfitimet dhe anët negative, si të vaksinimit, ashtu dhe të mosvaksinimit.
Vaksinimi duhet të ofrohet pa pagesë për punëmarrësit Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që, edhe për sezonin 2014-2015, grupet e popullatës të cilët duhet të marrin vaksinën ndaj gripit sezonal për shkak të rrezikut të komplikacioneve serioze, janë:
– Gratë shtatzëna
– Personat me moshë mbi 6 muaj që vuajnë nga sëmundje kronike
– Të moshuarit
– Rezidentët në institucione të kujdesit social për të moshuarit (azile)
– Personat me aftësi të kufizuara, rezidentë në institucione të kujdesit social
– Fëmijët me moshë 6 muaj deri 59 muaj (5 vjeç)
– Punonjësit e shëndetësisë
Sëmundja
Ilaçet e diabetit, rimbursimi i insulinave për 70 mijë persona
Parandalimi i sëmundjes së diabetit do të thotë më pak para të shpenzuara nga buxheti i shtetit. Për këtë arsye, autoritetet e shëndetësisë do ti kushtojnë rëndësi programit të kontrollit bazë, nga mosha 40-65 vjeç, i cili do të bëjë të mundur edhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeve që sot ka marrë përmasat e një pandemie. Drejtori i Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci u shpreh se vetëm për rimbursimin e insulinave përdoren 1.1 miliard lekë. “Deri në 14 vjeç ne kemi 180 fëmijë, dhe mosha 14-18 vjeç 130 pacientë. Veç trajtimit fokusi ynë është edhe përmirësimi i ndjekjes së këtyre fëmijëve. Në këtë kuadër ne po përpiqemi që të bëjmë dhe shpërndarjen e strishave, në bashkëpunim me shoqatën për të kryer testin e glicemisë. Por ama do të kërkojmë të kondicionojmë dhënien e këtyre strishave në raport me matjen e hemoglobinës së glukozuar me qëllim që ti detyrojmë dhe pacientët të bëjnë një ndjekje që, mbase në transparencë mund të duket e detyruar, por që ka të bëjë shumë me mënyrën e trajtimit dhe jetesës së tyre”, – tha Astrit Beci, drejtor i Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Pacientët që vuajnë nga diabeti, dhe që sot kanë statusin e personit me aftësi të kufizuar, kanë lehtësi nëpërmjet politikave të hartuara, edhe në arsim e punësim. “Personat e vlerësuar nga komisionet përkatëse si diabetikë do të përfitojnë masën, sot 9900 lekë në muaj, dhe kur çmohet se ka nevojë për përkujdesje i jepet e drejta e përfitimit të pagesës së kujdestarisë dhe po në të njëjtën masë për kujdestarin. Kjo është kryesisht për fëmijët që vuajnë nga kjo sëmundje dhe numri i vlerësuar i të cilëve është rreth 180. Për të nxitur arsimimin dhe kualifikimin e personave me aftësi të kufizuara me qëllim përfshirjen e tyre në tregun e punës, shteti mbështet këta persona pagesa të dy apo trefishuar gjatë arsimimit të tyre. Gjatë periudhës së arsimimit të mesëm përfitohet në masë 200 për qind të pagesës, gjatë arsimit të lartë përfitohet 300 për qind e pagesës, nëse janë tituj shkencor sipas ligjit fitohet gjatë gjithë jetës”, – tha Bardhlyka Kospiri, zv.ministre e Çështjeve Sociale dhe Rinisë. Të dhënat që raportojnë autoritetet e shëndetësisë tregojnë së banorët e zonave urbane janë shumë herë më të rrezikuar nga kjo sëmundje se sa ata në zonat rurale. Aktualisht në vend janë të regjistruar rreth 70 mijë persona me diabet, por kjo shifër sipas autoriteteve të shëndetësisë është më e madhe.