Mbi “llustracionin”: Mendime të ndërprera

0
190

Artan FUGA

(Marrë në kohë reale nga rrjeti social “Facebook”)

Artan_FugaKush ka shkelur ligjet e kohës ose ligjet universale që drejtojnë qenien njerëzore dhe mbrojnë humanizmin, kush ka torturuar, dënuar pa gjyq, ka ngrehur gjyqe false, ka shpifur me pasoja kriminale mbi të tjerët, kush ka internuar pa gjyqe ose me gjyqe të stisur, pra ka bërë krime, le të shkojë para gjykatës dhe të ndëshkohet sikurse e meriton.
Jepini qytetarit të drejtën të akuzojë xhelatin e tij individualisht në gjykatë penale për dhunë joligjore të ushtruar ndaj tij, për prishje të jetës, për internim dhe burgim pa baza juridike dhe pa prova faji, dhe do ta shihni se si e drejtë qytetare kjo pastron e spastron këtë shoqëri ku jetojmë.

Lustrim, jo ilustrim.
Lustracion, jo iluzion.

 

*** 

“Shoqëria civile” e sotme ka të drejtë që interesohet për ato grupe shoqërore që përbëjnë rrezik për demokratizimin e vështirë dhe të ngadaltë shqiptar. Por le t’i gjejë atje ku janë. Këto grupe janë të korruptuarit, mafiozë që bashkojnë pushtet politik me atë ekonomik ilegal, grupe radikale që shfaqen në vende të huaja si terroriste, kontrabandistë gjithfarëllojesh, nëpunës dhe militantë politikë që e trajtojnë shtetin si një “lopë” për ta mjelë dhe qytetarin si një skllav modern, burokratë të të gjitha ngjyrave dhe mbështetjeve politike që ja kanë me hilé demokracisë, apo vjedhës, batakçinj gjithfarësh, njerëz të veshur me pushtet ekonomik dhe financiar të fituar në rrugë ilegale, grabitës të së mirës publike të majmur me tendera dhe koncesione të përfituara për arsye korruptive dhe nepotizmi, politikanë demagogë që përtej fasadës demokratike ushqejnë pushtete okulte dhe e shkelin me këmbë qytetarin, përfaqësues në forume të zgjedhura, por që për ta askush nuk voton, veçse fshihen pas listave të partive, etj. Këta po e shkatërrojnë çdo ditë e më shumë Shqipërinë, rendin e saj dhe idealet demokratike të qytetarit.

 

***

E kuptoj në një farë mase spastrimin që mund të kërkohet nga administrata publike, nga gjykatat, etj.

Por, çfarë hyjnë këtu edhe agjenci private ku gjithsecili përderisa nuk dënohet me gjyq, dhe jo me dënime kolektive, sipas një ligji, mund ta ushtrojë të drejtën e vet si t’ia ketë qejfi. Të hiqen ish bashkëpunëtorët nga partitë politike???
Por, çfarë pune ka ligji me partitë politike?

Partitë politike janë thjesht sipërmarrje private.
Duket mendësia që i trajton partitë politike sikur të ishin pjesë e shtetit. Por, parti politike parlamentare dhe jo parlamentare do të ketë dhe ka shumë në Shqipëri. Çfarë lidhjeje ka partia me Kuvendin, po me shtetin? Asgjë lidhje. Partia është një nismë private dhe ish hajdutët, ish katilët por që nuk janë dënuar me ligj, ish perversët ose perversë të sotëm le t’i mbajë sa të dojë partia në gjirin e vet. Ligja nuk pengon p.sh. krijimin e një partie të “ish hajdutëve të penduar”, mjafton të ketë një projekt politik dhe statut organizativ të vendosur brenda kuadrit të rendit demokratik.

 

***

X u rekrutua nga shërbimet e fshehta sigurimse aty nga fillimi i viteve 80.

Po të heqim ndonjë njëzetvjeçar të kohës së atëhershme, një agjent me një farë vlere do të duhej të ishte atëherë rreth të tridhjetave minimumi.
Por, qysh atëherë kanë kaluar nja 35 vjet. Pra ish kaleci i dikurshëm sot do të jetë së paku 65 vjeç. Pra ka hyrë në fazën e pensionit. Sa është mesatarja e deputetëve në Kuvendin shqiptar që të justifikojë rrezikshmërinë e gjashtëdhjetepesëvjeçarëve ish-agjentë të Sigurimit atje? Po gjyqtarë 60 dhe 65-vjeçarë sa ka? Po nëpunës administrate?
Kuptohet se atë punë që sot merr përsipër “shoqëria civile” e ka bërë natyra me ligjet e hekurta të saj, e ka bërë demografia, e ka bërë mosha.
Ja përse them se nëse është fjala për ndonjë 50 vjeçar, atëherë dijeni se jemi duke u marrë me ndonjë gjimnazist të mjerë që spiunonte shokët dhe shoqet e klasës, por jo me “peshqit” e mëdhenj që atëhere nuk ishin më poshtë të 40-ave.

 

 ***

E shumta që do të arrihet me këto dosje të llustruara është se partitë politike do të godasin njëra tjetrën në të shkuarën e tyre. Njera palë do t’i thotë tjetrës ju hiqeni se keni qenë antikomunistë, por keni pasur njerëz me dosje, pra informatorë të fshehtë në gjirin tuaj, kurse pala tjetër do t’u thotë ish të majtëve të dikurshëm se ju keni pasur në gjirin tuaj oficerë legalë të të njejtave struktura ose drejtues partiakë që i drejtonin këto struktura. Pra në çdo rast do të jetë një luftë për të shkuarën, por jo për të sotmen e të ardhmen. Nga njera anë ish informatorë të fshehtë, nga ana tjetër ish shefa të tyre.

Kush do ta marri vesh e çkokolepsi këtë punë kur dihet se dosjet kanë kaluar dhjetra duar deri më tash dhe as që mund të mendohet se ato janë ruajtur brenda një kuadri ligjor që garanton besueshmërinë dhe autenticitetin e tyre. Kushedi se çfarë redaktimesh janë bërë aty. E gjitha do të mbetet në dorë të operativit të fshatit, lagjes apo burgut që mund të shpikte çfarë të donte nën një rregjim që i kërkonte suksese në luftën e klasave.

Ish informatori do të gjykohet publikisht nga të dhënat e ish operativit. Hajde autenticitet hajde!!!

 

***

Në një periudhë në kohën e shoqërisë “komuniste” kur ekonomia shkonte tëposhtë, varfëria rritej bashkë me urinë, papunësia e fshehtë bëntë kërdinë, dënimet dhe presioni politik dhe i dhunshëm mbi popullsinë kalonte çdo cak të imagjinueshëm, dhe në këtë mes, ndriçonte një shkrepje krijuese:

Na gëzonin me zbulimin e një grupi armiqësor që donte të prishte lumturinë popullore.
Keq jemi ekonomikisht, kulturalisht, – thuhej – por ama sapo shpartalluam një grup armiqësor që do ta bëntë gjendjen edhe shumë më të keqe akoma. Ata, ata të poshtrit, e kanë fajin për gjithçka të keqe që kemi përjetuar.
Sikurse ndodh sa herë që një shoqëri ndodhet dhe përjeton një krizë të gjerë dhe rrënjësore, turmat kërkojnë dhe e hanë grepin e një konspiracioni që është ngritur kundër tyre.
Në histori kanë qenë me radhë të krishterët, hebrenjtë, arixhinjtë, masonët, spiunët e armiqve të jashtëm, shtrigat e të tjerë. Urrejtja dhe frustrimi popullor janë drejtuar drejt “kokave të turkut” për të harruar gjithçka tjetër që ka përbërë një analizë objektive të krizave që kanë kaluar popujt përkatës.
“Shoqëria civile” po na gëzon duke na zbuluar një grup armiqësor që janë ish bashkëpuntorët e ish sigurimit të ish shtetit.
Ata na mungojnë të zbulojmë dhe drejt e te gjeli i vitit të Ri.

 

***

Ore unë nuk kam ndruajtje nga ndonjë gazetar ish spiun, se ai dallohet dhe vjen erë të qelbur që larg.

Por duke ndaluar ish spiunin të jetë gazetar, unë nuk përfitoj asgjë.
Ish spiuni shkruan nga kafja e lagjes të vet, me peudonim dhe kënaqet e shkrihet gazit.
Ish spiuni është bërë bos dhe paguan gazetarin jo spiun që të bëjë në gazetë punën e bosit ish spiun.
Reklamuesi, pronari i mediave, financuesi poqese janë ish spiunë ata i përdorin gazetarët jo spiunë si ish spiunë duke i paguar më së miri.
Ish spiuni nuk është gazetar, se gazetarët janë të rinj në moshë, por ish spiuni mund të ketë një agjenci lajmesh që i ofron lajme pa pagesë gazetarit që bëhet spiun pa e ditur.
E çfarë fitova unë, qytetari budalla, kur më thonë se ish spiunët nuk lejohen të jenë gazetarë, por ata që komandojnë gazetarët nga kuintat mund të jenë ish spiunë për shtatë palë kokrra qejfi ?

 

*** 

Qytetari privohet individualisht dhe me vendim gjyqësor kur i privohen liritë dhe të drejtat qytyetare, jo me ligj Kuvendi, pa gjyq dhe kolektivisht. Ore kur do ta kuptojmë këtë ne ndonjë ditë … Ore kur do të heqim dorë nga pasionet politike idiote për të ndërtuar shtetin shqiptar…

 

***

Se i lanë dosjet ashtu të paprekura për 30 vjet dhe tani të shkojë xhaja me shkop të bëjë striptizë për të parë se kush e ka spiunuar.
Dhe do t’ja plasi muhabetit për shtatë palë qejfe me plakën në shtëpi e me spiunët e tjerë te kafeneja e lagjes.
Se spiunimet më të mëdha i kanë bërë spiunët ndaj njeri tjetrit.
Spiunët mund të dalin më të spiunuarit.
Vuajerizëm.
I bënë dosjet si tekste të ripunuara dorëshkrimesh prej shkrimtari të dështuar dhe tani u themi robve: Ik shihini, se u hapën.

 

***

Ehu, epo mirë, e mbylla këtë muhabetin e dosjeve, ndaç t’i hapin, ndaç t’i mbyllin, në dreq vafshin, m’u mërzit, më mirë po shkoj të hedh ndonjë gotë verë për festën e Pavarësimit te kantina e verës aty te qoshja e Kalasë me ish poliagjentin e disa agjenturave të huaja, diversantin Qenan K.
Spiun spiun Qenani, por e ka ngrit sot flamurin me shqipen dykrenore mu tek ballkoni i apartamentit të tij marrë me korrupsion nga një ndërtues.

Feston edhe 28 edhe 29 nëndorin Qenani. Cfarë më gjeti – thotë – një ditë feste më pak a më shumë? Çfarë ka festa me hashure, bakllava, kadaif, torta me petë, festoj unë, patriotisht.

I korruptuar – thotë ai pasi ka hedhur ndonjë gotë – mund të jesh, edhe ish spiun, hajdut gjithashtu, por kjo nuk pengon të jesh edhe patriot.
Shoqëria shqiptare ka nevojë për skandale, muhabete, llogje, folklor, vuajerizëm, Rihana nuk mjafton, as Elona, as Blerimja, as Françeska kur heqin brekët e sipërme ose të poshtme, ne duam shumë më tepër për të kënaqur libidon senile, duam të shohim nga vrima e çelësit tjetrin kur bën seks.
Seks në formën e një brime çelësi.
Hajde pra, jepini!
Merremi me historira tridhjetë vjeçare apo shtatëdhjetëvjeçare, duke i rifutur në aktualitet. Nuk thonë kot se njeriut e tashmja i ikën për shalësh, merret ose me të ardhmen, ose me të shkuarën.