Ervin Kaduku
– Turqia investon gati dy herë më shumë, pavarësisht se na lidh një gjuhë, një komb, afërsia gjeografike, kultura dhe historia e përbashkët
– Nuk po shfrytëzohet mundësia e jashtëzakonshme që ofron lidhja me “Rrugën e Kombit”, që hapi perspektivë të panjohur më parë
Marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Kosovën mbeten më së shumti në fushën e politikë dhe të “llafeve”, ndërkohë që nuk po shfrytëzohet mundësia e jashtëzakonshme që ofron lidhja me “Rrugën e Kombit”, që hapi perspektivë të panjohur më parë. Shqipëria del se është vetëm investuesja e dytë në Kosovë, pas Turqisë, ndonëse na lidh një gjuhë, një komb, afërsia gjeografike, kultura dhe historia e përbashkët. Sipas studimeve të fundit, Kosova ka më së shumti bashkëpunim ekonomik me Turqinë, nga edhe ka më së shumti investime që nga shpallja e pavarësisë e deri në shtator të vitit 2013. Kjo u tha në prezantimin e një studimi të bërë nga KIPRED.
Sipas hulumtimit “Intensiteti i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe shteteve të rajonit”, të cilin e ka prezantuar Gent Gjikolli, miliona euro janë investuar nga Turqia e Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera, prej nga investimet janë shumë të ulëta.
“Marrëdhëniet me Turqinë dhe Shqipërinë janë të shkëlqyera për dallim nga vendet tjera janë marrëdhëniet më të mira dhe kjo ndodh për disa arsye, sepse këto dy shtete e kanë njohur menjëherë shtetin e Kosovës, pastaj ka pas një prezencë të mëhershme diplomatike ku edhe është ngrit menjëherë në nivel ambasadorësh marrëdhënia diplomatike në mes të këtyre dy shteteve. Ka një numër të madh të marrëveshjeve, 21 sosh me Turqinë dhe 17 me Shqipërinë. Në anën tjetër, kemi edhe investime të këtyre shteteve: rreth 16 milionë euro kemi nga Shqipëria, ndërsa nga Turqia i kemi 28.6 milionë euro”, ka thënë ai.
Sipas Gjikollit në intensitetin e marrëdhënies në mes të Kosovës e Shqipërisë rol më të madh ka luajtur aktiviteti politik apo vizitat në mes të politikanëve, ndërsa, me Turqinë më së shumti luan rol peshë aspekti ekonomik apo investimet që i ka bërë ky shtet në Kosovë. Kurse, nga 11 shtete rajonale sa i ka Kosova gjithsej më së paku bashkëpunime ka pasur me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. “Ndërsa me shtetet mosnjohëse, kemi cilësi të dobët e të gjitha këtoshtete dhe faktori kryesor është mosnjohja e këtyre shteteve të pavarësisë së Kosovës. E gjithashtu në krye të saj i patundshmi është Serbia, e cila vazhdimisht e sfidon legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës. Megjithatë, ne duhet të cekim që nga 8 marsi i vitit 2011 deri në shtator të vitit 2013 ka pasur 16 takime në mes të kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës, por që është e rëndësishme këto takime nuk kanë qenë bilaterale por multilaterale, pra me ndërmjetësimin e BE-së”, ka deklaruar ai.
Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës gjatë kësaj periudhe, 30 për qind të takimeve të përgjithshme i kanë pas me ata të Shqipërisë.
Po ashtu, sa i përket lobimit, një gjë të tillë më së shumti e kanë bërë Turqia dhe Shqipëria, kurse Serbia në këtë aspekt u tha se ka qenë sfiduesi më i madh i pavarësisë së Kosovës.
Gazsjellësi TAP shpall tenderat për kompresorët
Konsorciumi i gazsjellësit Trans Adriatik ka nisur procedurat e tenderimit për ndërtimin e dy stacioneve të kompresorëve të gazit. Sipas njoftimit zyrtar nga ana e konsorciumit, stacionet do të ndërtohen në Shqipëri dhe Greqi dhe qëllimi është instalimi i tre turbinave të kompresimit të gazit prej 15 megavat duke përfshirë dhe pajisjet përkatëse. Kontratat për ndërtimin e veprave do të jenë të ndara dhe ftohen të gjitha kompanitë që paraqesin interes të marrin pjesë në tender duke vizituar faqen zyrtare të kompanisë.
Në muajin Qershor të vitit të kaluar, konsorciumi i Shah Deniz përzgjodhi gazsjellësin Trans Adriatik si vepër më të justifikueshme për transportimin e gazit nga Azerbajxhani drejt Evropës, duke kaluar nga Greqia, Shqipëria dhe Italia. Në Shqipëri, ky gazsjellës do të shtrihet 104 kilometra në tokë dhe rreth 60 kilometra në rrugë detare. Kapaciteti fillestar i transportimit të gazit do të jetë 10 miliard metër kub në vit, me mundësinë për të dyfishuar këtë kapacitet në vitet në vijim.
Ndërkohë që, në zonën e Fierit është parashikuar edhe ndërtimi i një stacioni për rezervimin e gazit të lëngshëm, ndërsa vendi ynë përveç investimeve dhe tarifave të transportit, do të përfitojë edhe një sasi gazi të caktuar në vit e cila do të përdoret kryesisht për industrinë dhe termocentralin e Vlorës.
Projekti, mundësi ideale për ndërtuesit
Projekti i gazsjellësit TAP po shihet si një mundësi e artë për kompanitë e mëdha të rrugëve. Konsorciumi ka planifikuar të investojë rreth 100 milionë dollarë në infrastrukturën rrugore shqiptare. Këto do të jenë rrugë dytësore lehtësisht të realizueshme nga kompanitë shqiptare. Burimet zyrtare të projektit TAP kanë llogaritur se investimet për infrastrukturën mbështetëse për zbatimin e projektit në Shqipëri do të prekin qarqet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Në këto zona, kompania ka planifikuar se do të ndërtojë ose rehabilitojë mbi 80 kilometra rrugë, përfshirë edhe akset kombëtare, të cilat do të bëjnë transportimin e makinerive të rënda që do të përdoren për ndërtimin e gazsjellësit. Investimet parashikojnë edhe ndërhyrjet në një sërë veprash arti, kryesisht urat, me qëllim që të përballojnë tonazhin e makinerive ndërtuese.
Në total, në Shqipëri, investimi i konsorciumit TAP llogaritet në 1.3 miliardë dollarë dhe do të shtrihet deri në vitin 2020. Aktualisht projekti TAP është në fazën e tenderimit të madh, ku deri në fund të vitit do të përzgjidhen kompanitë që ndërtojnë tubacionin. Punimet do të shtrihen në 5 lote, 3 janë në Greqi dhe 2 lote në Shqipëri. Pasi të jenë përzgjedhur 5 kontraktorët e mëdhenj, do të nënkontraktojnë kompanitë vendase për të kryer punimet dytësore, ku përfshihen edhe rrugët.
Ndërtimi i tubacionit të TAP pritet të zhvillohet në harkun kohor 2015-2018, ndërsa sipas studimeve, ndikimi i drejtpërdrejtë i projektit është parashikuar të arrijë kulmin në vitin 2017. Në këtë vit, parashikohet që ndikimi i drejtpërdrejtë në Prodhimin e Brendshëm Bruto do të jetë 57 milionë euro, ndërsa do të hapen 4,200 vende pune.
Gjeopolitika e tubacionit të gazit Rusi-Turqi
Vendimi i Rusisë për të anuluar një tubacion gazi në Bullgari duke preferuar Turqinë po cilësohet nga autoritet turke si një fitore e rëndësishme për Ankaranë në ambiciet e saj për t’u bërë një shpërndarës energjie me rëndësi në rajon. Por ka dyshime në rritje se sa me interes është ky tubacion për Turqinë.
Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk për të ndërtuar një tubacion gazi natyror në Turqi do të mund të ishte një hap i madh në drejtim të arritjes së qëllimit strategjik për Ankaranë, sipas Sinan Ülgen të Institutit Carnegie në Bruksel.
“Potencialisht është shumë i rëndësishëm. Nëse realizohet do t’i jepte një shtysë të madhe aspiratave të Turqisë për t’u bërë një shpërndarës rajonal i energjisë. Turqia dëshiron të mbledhë gaz natyror nga burime të ndryshme dhe ta eksportojë në Evropë, duke e shitur me kushtet e saj tregtare”.
Tubacioni i ri do të zëvendësojë tubacionin South Stream me vlerë 45 miliardë, i cili do të kishte shkuar nga Rusia në Bullgari. Zoti Putin fajësoi vonesat nga Sofja për vendimin e tij për anulimin e këtij projekti. Turqia, e cila është e varfër me energji, ka kërkuar prej kohësh të shfrytëzojë vendndodhjen e saj midis vendeve të pasura me naftë e gaz në jug dhe lindje të saj dhe tregut kyç të Bashkimit Evropian. Por eksperti i energjisë Emre Iseri i Universitetit Yasar në Izmir të Turqisë, thotë se është e paqartë se sa do të përfitojë Ankaraja nga një tubacioni i ri gazi rus.
“Kjo varet nga kushtet, sepse Turqia ka një shumëllojshmëri marrëveshjesh energjitike me Rusinë, por në ato marrëveshje Turqia nuk ka mundësi të rishesë, që do të thotë se Turqia nuk mund të fitojë duke shitur gazin rus. Pra, termat e marrëveshjes për ndërtimin e tubacioni janë kritike. Turqia ka ambicie për të qenë një qendër e energjisë në rajon. Pra shpërndarja e energjisë nënkupton më shumë sesa të qenit shtet transit”.
Çmimi i gazit rus shihet gjithashtu si një bllokues i mundshëm përparimi. Përveç gazit iranian, gaz rus është më i shtrenjti që Turqia blen. Për të ëmbëlsuar marrëveshjen për tubacionin e ri, zoti Putin njoftoi një ulje prej 6 për qind të çmimit, por zyrtarët turq thonë se kjo nuk është e mjaftueshme. Analisti Ulgen thotë se Moska mund të pranojë kërkesat e Ankarasë pasi tubacioni i ri është i motivuar nga objektiva strategjike dhe ekonomike.
“Rusia dëshiron të krijojë një marrëdhënie më të ngushtë me Turqinë, duke u përpjekur të përdorë lidhjet prej energjisë për ta tërhequr Turqinë larg nga Evropa dhe më afër Rusisë. Kjo me siguri mund të jetë një nga motivet për anulimin e Tubacionit të Jugut për në Bullgari dhe dërgimin e këtij fluksi të madh gazi natyror drejt Turqisë”.
Gjatë vizitës shtetërore të zotit Putin në Turqi javën e kaluar, ai e përshkroi Turqinë si një “partner strategjik”. Analistët theksojnë se të dy presidentët, ai rus dhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan i Turqisë, duket të jenë të ngjashëm politikisht, pasi kritikohen për tendenca autoritare dhe shpesh kritikojnë vendet perëndimore. Por ka shqetësime në Ankara lidhur me varësinë e saj energjetike, pasi Rusia aktualisht është përgjegjëse për 57 për qind të importeve totale të gazit në vend. Tubacioni i ri i propozuar do të mund të rriste këtë shifër në mbi 70 për qind.
Varësia e energjisë Turqisë duket se do të rritet edhe më shumë se kaq, ndërsa Rusia ndërton stacionin e parë bërthamor të vendit, me 20 miliardët e kostos të financuara me kredi ruse. Eksperti i energjisë Iseri thotë se një varësi e tillë rrezikon të sakrifikojë qëllimet strategjike të Ankara-së.
“Disa analistë përfshirë edhe mua po flasim për një rrezik të dyfishtë, sepse si për gazin natyror dhe për energjinë bërthamore jemi duke u mbështetur tek burimet e Rusisë. Pra, në atë rast do të kishim pasoja të rëndësishme politike në rajon. Turqia dhe Rusia nuk kanë asgjë të përbashkët në rajon. Në rastin e Sirisë, Nagorno-Karabakut, Ukrainës apo Qipros ato kanë qëndrime krejt të ndryshme. Dhe duke u bërë edhe më të varur nga Rusia, do të thotë se perspektivat e Turqisë për t’u bërë një vend me ndikim në rajon nuk janë të mira”.
Deri tani Ankaraja ka zbatuar një politikë të përbashkët me Bashkimin Evropian për të pakësuar varësinë nga gazi rus. Ndërtimi i Tubacionit të Gazit Natyror Trans-Anatolian, ose TANAP, që do të furnizojë gaz nga Azerbajxhani për në Turqi dhe BE pritet të fillojë vitin e ardhshëm.
Gjatë një vizite në Baku, ditët e fundit, ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu përsëriti se TANAP-i është prioritet për Turqinë. Analistët thonë se Moska ende ka ende shumë punë për të bërë për të bindur Ankaranë rreth interesit për një tubacion të ri gazi rus.
(Marrë nga “Zëri i Amerikës”)