“Zëri i Amerikës”: Fati i Teatrit Kombëtar varet nga zgjedhjet e qershorit

0
173

Nga Ilirjan Agolli, Zëri i Amerikës

Një grup artistësh shqiptarë të mbështetur nga qytetarë të Tiranës protestojnë çdo ditë pranë ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar në përpjekje për ta mbrojtur atë nga shkatërrimi.

Ky ritual vazhdon pothuaj çdo mbrëmje qysh nga muaji shkurt 2018, pra afro 15 muaj rresht ata diskutojnë në një skenë të improvizuar në oborrin e kompleksit teatror për rëndësinë e kësaj ndërtese historike në kulturën shqiptare dhe nevojën për rikonstruksionin e saj.

“Ne presim që Teatri Kombëtar të fillojë restaurimin, por nuk ka asnjë mundësi për këtë, nëse kjo qeveri nuk bie. Nëse kjo qeveri rifiton besimin politik ose lokal, teatri rrezikon shumë, sepse ata e kanë ndarë mendjen që do ta cojnë deri në fund. Të gjithë ne që vijmë te sheshi i Teatrit, e dimë shumë mirë që nëse kjo qeveri nuk bie, apo të ndërrohet, apo një qeveri teknike, nuk e di, atë Teatri do të jetë gjithmonë i rrezikuar. Mos flasim pastaj për restaurimin, por ne jemi të vendosur, që protestat nuk do të ndalojnë, qëndresa nuk do të pushojë deri ditën që Teatri do të restaurohet” – thotë Robert Budina, regjisor i njohur dhe bashkorganizator i protestës.

Qeveria dhe bashkia kanë bërë plane për pallate dhe një teatër të ri në atë zonë dhe e kanë braktisur ndërtesën historike, ku për 80 vjet lindën gjithë institucionet e kulturës shqiptare dhe ku artistët më të mirë shqiptarë interpretuan sa e sa pjesë nga dramaturgjia botërore dhe vendase.

Artistët rivendosën në hyrjen e ndërtesës shkronjat Teatri Kombëtar, të cilat punëtorët e bashkisë i hoqën natën. Profesoresha amerikane Lori Amy ishte aty me qytetarët gjatë kohës së vendosjes së shkronjave.

“Ai ishte një çast i bukur dhe magjik. Ishte një restaurim konkret dhe atë natë pamë një grup me shpirt të madh, që na thanë se ne mundemi dhe se ne do ta ringrejmë vendin tonë. Atë natë ishte e rëndësishme edhe larmia e moshave; erdhën aty gjyshër dhe nipër, të rinj dhe mosha të mesme, erdhën njerëz nga cdo sektor i popullatës shqiptare dhe morën pjesë në rivendosjen e shkronjave. Kjo nuk është kurrë dhe nuk ka qenë kurrë një çështje politike. Qysh nga fillimi shumë njerëz me qëndrime shumë të ndryshme politike po marrin pjesë në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar për të treguar se ne mund ta ringremë vendin tonë” – tha zonja Amy.

Artistët shqiptarë vizitohen herë pas here edhe nga artistë e studiues të ndryshëm nga Italia, Greqia, Zvicra, Belgjika, Britania dhe shtete të tjera. Këtë fundjavë ata u takuan me 11 studiues nga SHBA.

“Grupi ynë ka ardhur nga Rollins College, Orlando Florida. Erdhëm këtu për të studiuar mbi kulturën shqiptare për dy javë, duke udhëtuar nëpër rajone të ndryshme të Shqipërisë, për të mësuar se si kultura shqiptare u ka mbijetuar ngjarjeve të ndryshme në vite dhe shekuj. Shpirtin e populli; këtë po admirojmë dhe po studjojmë” – thotë Jonathan H. Harwell nga Rollins College në Florida.

“Këtu po takohemi me grupe nga universiteti, akademikë, shkrimtarë, regjisorë e aktorë, dhe po mësojmë shumë për Shqipërinë, kulturën dhe historinë e saj. Këtu dëgjuam edhe për protestën e artistëve që mbrojnë Teatrin Kombëtar. Shqipëria është një vend i bukur, njerëzit janë të dashur dhe miqësorë, ata kanë një histori interesante si popull dhe ende po po mësojmë shumë për këtë” – thotë Margaret McLaren nga Rollins College në Florida.

Ndërsa studiuesit amerikanë largohen, artistët shqiptarë vazhdojnë protestën, të vendosur që të pengojnë planet për shembjen e Teatrit Kombëtar, duke ditur mirë se edhe qeveria Rama dhe bashkia janë po aq të vendosur për ta bërë këtë, dhe se nga zgjedhjet vendore të qershorit varet edhe ekzistenca e qendrës më të njohur kulturore të Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here