Nga sot, shtëpia në Tiranë e shkrimtarit Ismail Kadare është shndërruar në muze, i cili mund të vizitohet edhe nga qytetarët.
Shtëpia ku jetoi dhe punoi për shumë vite shkrimtari, u restaurua për tu kthyer i vizitueshëm për qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm.
Vlerësimi i shkrimtarëve, artistëve është diçka që duhet përgëzuar, por ky vlerësim bëhet selektiv dhe zgjedh disa prej atyre që i kanë shërbyer pushteteve, gjatë dhe pas diktaturës, atëherë çdo gjë bëhet e pavlerë.
Kujtojmë që, më herët qeveria restauroi edhe banesën e Kadaresë në Gjirokastër.
Prej vitesh, qytetarë, aktivistë dhe politikanë kanë ngritur alarmin për gjendjen në të cilën gjendet shtëpia e shkrimtarit, politikanit dhe atdhetarit të madh At Gjergj Fishta. Por askush nuk ka marrë qoftë edhe masën më të vogël, duke bërë që banesa e kollozit mbarëshqiptar të shkojë drejt degradimit.
Lidhur me këtë gjë ka reaguar edhe aktivisti Genc Sejko.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sejko ‘i kërkon falje’ Fishtës.
“Na fal o At!
Eshtrat t’i mori Kiri ndërsa shtëpinë po ta prishim ne. Por fajin e ke vetë. Çfarë të mire të sollën ato vargje që shkruajte për Shqipërinë?! Kujt i vlejti lufta jote për atdhe?! A nuk e di ti që ky vend do më shumë servilin?! Dy shtëpi i rregulluam atij që i këndoi gjithë jetën partisë. E shpërblyem me pensione, tituj e ofiqe. E ty të lamë në harresë. Ti biri ynë më i mirë. Na fal o At! Ne nuk të meritojmë”, shkruan Sejko në reagimin e tij.