Operacioni/ Sulmi me armë në Lazarat, Policia Shkencore, vështirësi në ekzaminim

0
193

 Alma Çuka

policia ne lazarat2Gëzhojat e mbledhura pranë vendqëndrimeve në fshat u përkasin jo vetëm armëve të gjetura banorëve, por edhe njësive speciale të Policisë së Shtetit. Nuk ka shanse për zbardhjen

Policia e Shtetit brenda një kohe të shkurtër njoftoi arrestimin e dhjetëra personave dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë, si përgjegjës për kultivimin e lëndës narkotike dhe sulmit me armë të policisë gjatë operacionit për pastrimin e Lazaratit. Por ndërsa kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga operacioni dhe organi i Prokurorisë ka dërguar për gjykim dy grupe të pandehurish, Policia e Shtetit ka vështirësi në grumbullimin e provave që lidhen me ekzaminimin e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjeve. Burime të Policisë së Shtetit bëjnë me dije se aktualisht është bërë shumë e vështirë zbardhja dhe identifikimi i autorëve që sulmuan me armë policinë gjatë operacionit të qershorit për asgjësimin e lëndës narkotike që kultivohej në këtë fshat.

 

Ekspertiza

Në fshatin Lazarat u gjeten dhe sekuestruan qindra armë. Këto armë u morën pranë banesave të fshatit, paranë vendndodhjeve të ngritura nga banorët për të ruajtur parcelat me kanabis, në rast sulmi të policisë. Por një gjë tashmë duket se është në vështirësi. Policia Shkencore ngre zërin se një pjesë e gëzhojave të gjetura në fshat i përkasin armëve të policisë, të cilët kanë bërë qitje me to gjatë ditëve të operacionit. Mësohet se ekspertët e policisë shkencore kanë hasur në vështirësi gjatë ekzaminimit krahasuese dhe balistike të armëve dhe gëzhojave të gjetur në shtëpitë dhe pozicionet, nga ku mendohet se banorët kanë sulmuan policinë. Kjo për faktin se nga këto vendroje dhe shtëpi, në disa raste ka qëlluar edhe policia gjatë mësymjes për të marr nën kontroll fshatin Lazarat. Pas marrjes së kontrollit të këtyre zonave dhe pozicioneve, hetuesit kanë sekuestruar qindra gëzhoja armësh. Por nga krahasimi me armët e gjetura në këto vendroje apo shtëpi banimi, rezultojnë se disa nga këto gëzhoja nuk janë të armëve të sekuestruara. Për ekspertët, këto gëzhoja janë qitura nga armët e efektivëve të RENEA-së apo FNSH-së gjatë operacionit dhe për këtë fakt ata nuk mund të krahasohen. Ndërkohë, burimet nga policia thonë se gjatë operacionit të qershorit kanë marr pjesë shumë njësi policore të cilat edhe kanë bërë qitje në drejtim të personave sulmues. Ata pranojnë se nuk ka qenë në planin operacional vetëm një grup zjarri, por, disa dhe nuk mund të krahasohen me të gjithë armët e tyre. Kjo sipas ekspertëve ka sjell pasojat e zvarritjes së identifikimit të armëve konkrete, për të cilat prokuroria të ngre akuzë ndaj të arrestuarve apo personave të shpallur në kërkim. Burimet thonë se përveç këtij fenomeni, të ngatërrimit të gëzhojave, ekspertët po vonohen edhe për shkak të shumë armëve të sekuestruar në rreth 700 vendngjarje brenda fshatit Lazarat. Gjatë këqyrjes së këtyre vendngjarjeve, janë sekuestruar përveç gëzhojave edhe një sasi e madhe armësh të ndryshme, që nga më të rëndat e deri te pistoletat si dhe sasi të mëdha municionesh. Që sipas ekspertëve për të përfunduar të gjitha këto ekzaminime, me kushtet dhe personelin që ka Laboratori i Policisë Shkencore duhen vite për t’i kryer.

 

Dosjet

Vetëm tri ditë më parë Prokuroria e Gjirokastrës njoftoi se dërgoi për gjykim të paktën 38 persona banorë të fshatit Lazarat, dyshuar për kultivim dhe trafik të lëndëve narkotike si dhe për kundërshtim të punonjësve të policisë. 11 prej të pandehurve mbanin akuzën e kundërshtimit me armë të punonjësve të policisë, ndërsa një numër personash ende nuk janë arrestuar nga policia, pra janë hetuar dhe do të gjykohen në mungesë. Por organi i akuzës bëri me dije gjithashtu se ka në dorë dhe po heton një tjetër grup personash nga fshati Lazarat, përgjegjës për sulmet ndaj policisë. Megjithatë vështirësia e Policisë Shkencore, duket se do të ndihmojë këtë kategori të dyshuarish për të mos marrë dënimin e parashikuar në Kodin Penal.

 

Berat/ Vidhin klientët, në pranga tutori dhe prostituta

Policia e Beratit ka vënë dje në pranga dy persona. Ata janë Luto Toska, 19 vjeç, dhe një shtetase 24-vjeçare me inicialet L. K. Sipas njoftimit të policisë lokale, 19-vjeçari e shfrytëzonte vajzën si prostitutë dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin grabisnin klientët. Policia e Beratit bën me dije se ka arrestuar edhe një person të tretë, Lefter Zelën për “Kallëzim të rremë”. Tashmë është bërë e udhës që vajzat e përfshira në prostitucion dhe nën ndikimin e tutorëve të tyre, shfrytëzojnë persona të tjerë duke i grabitur më pas. Në qytetin e Beratit janë bërë dhjetëra padi, të cilat kanë rënduar pozicionin e vajzës, e cila punonte si prostitutë dhe tutorit të saj në moshë të re. Vajza pasi hynte në hotel me klientin e grabiste atë dhe më pas largohej. Por kjo gjë vihej re nga klienti, i cili më pas i drejtohej policisë duke dhënë karakteristikat e vajzës hajdute dhe prostitutë njëkohësisht.

 

Kukës/ Arrestohet 40-vjeçari, ishte dënuar me dhjetë vite burg

Policia Kufitare e Morinit bëri me dije se gjatë ditës së djeshme ka vënë në pranga një shtetas 40-vjeçar. Burime të Policisë thanë se arrestimi u krye pasi shtetasi Baki Baliu, rezultonte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mësohet se 40-vjeçari është arrestuar pasditen e djeshme në Doganën e Morinit në Kukës. Baki Baliu ishte në kërkim nga Interpol Vjena, pasi ishte dënuar me 10 vjet burg në Austri për ushtrim dhune. Personi i arrestuar kishte arritur t’i shmangej policisë për disa kohë, ndërsa po përpiqej të futej në Shqipëri duke besuar në dokumentet me të cilat ishte pajisur. Pas arrestimit, Baliu i është dorëzuar autoriteteve policore. Më pas pritet të bëhen procedurat e ekstradimit drejt Vjenës me qëllim përballjen me drejtësinë e këtij vendi. Ndërkohë pritet që nga ana e të arrestuarit të bëhen përpjekjet për t’i shpëtuar ekstradimit.

 

Tiranë/ Përfundojnë në pranga katër shoferë, kishin konsumuar alkool

Policia e Tiranës brenda një dite ka vënë në pranga 4 drejtues automjetesh, të cilët kishin konsumuar pije alkoolike tej normave të lejuara. Në njoftimin e saj zyrtar policia thotë se mëngjesin e së shtunës, rreth orës 06:00 është arrestuar 38-vjeçari Luan Kapllani, pasi është kapur tek Rruga e Elbasanit duke drejtuar mjetin tip “Skoda” në gjendje të dehur, në masën 0.86 mg/l. Vetëm një orë më pas është arrestuar në flagrancë 42-vjeçari Indrit Brahja, pasi edhe ky shtetas drejtonte mjetin tip “Volkswagen”, në gjendje të dehur, në masën 0.96 mg/l. Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Laurel Alite, 35 vjeç, banues në Shijak Durrës, pasi në rrugën “Muhamet Gjollesha”, është kapur duke drejtuar mjetin tip “Daimler Chrysler”, në gjendje të dehur, në masën 0.96 mg/l. Policia e Tiranës ka arrestuar për të njëjtën vepër penale, 28-vjeçarin Mentor Maçi, pasi në “Rrugën e Elbasanit”, u konstatua duke drejtuar mjetin “Mercedes-Benz”, në gjendje të dehur në masën 0.55 % mg/l. Ndërkohë në pranga ka rënë edhe një 41 vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim pasi gjykata me një vendim të formës së prerë e kishte dënuar me 2 muaj burg për “Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.