Ushtrimet që duhen për veshkat

0
246

veshkat1

Vetëm pak ushtrime trupore çdo javë, si xhogingu prej një ore ose shëtitja prej 3 orësh, janë të mjaftueshme që të zvogëloni rrezikun nga paraqitja e gurëve në veshka. Në një hulumtim kanë marrë pjesë 84000 femra në pasmenopauzë, ndërsa rezultatet e vrojtimit të shprehive të tyre jetësore treguan që ato që janë aktive çdo javë kanë madje 31 për qind rrezik më të ulët për shfaqjen e gurëve.
“Madje edhe sasia e vogël e ushtrimeve ditore mund të zvogëlojë rrezikun nga paraqitja e gurëve në veshka”, – deklaroi udhëheqësi i hulumtimit, dr. Mathew Sorensen, dhe shtoi se “nuk ka nevojë që ky të jetë trening intensiv çdo ditë, sepse nuk kemi vërejtur që intensiteti i ushtrimeve luan ndonjë rol të rëndësishëm”.
Paraqitja e gurëve në veshka, të cilët vërehen te një numër gjithnjë më i madh i njerëzve, është goxha lehtë të parandalohet, ndërsa hulumtimet e mëparshme kanë treguar që duhet të ruhet shëndeti i tërë organizmit, dhe jo vetëm i veshkave, sepse sëmundjet, si: trashësia, diabeti dhe sëmundjet e zemrës, rrisin rrezikun nga paraqitja e gurëve në veshka. Kur shkencëtarët matën indeksin e masës trupore tek secila pjesëmarrëse, zbuluan që trashja rrit dukshëm rrezikun nga paraqitja e gurëve në veshka. Femrat, të cilat gjatë ditës kishin konsumuar më shumë se 2200 kalori dhe ishin marrë me aktivitet fizik, kishin rrezik të rritur për madje 42 për qind për paraqitjen e gurëve në veshka. Shkencëtarët theksojnë që duhet të jemi të vetëdijshëm për sasinë e kalorive që konsumojmë, të kujdesemi për peshën trupore dhe të ushtrojmë çdo ditë për të përmirësuar edhe shëndetin e përgjithshëm.

Leximi në tablet gjatë mbrëmjes rrezikon shëndetin

Leximi para gjumit në tablet ose në pajisjet e tjera elektronike rrezikon shëndetin, thuhet në një studim të ri. Shkolla Mjekësore e Harvardit ka treguar se të gjithë ata që lexojnë nga tabletët e kanë më të vështirë të flenë sesa ata që lexojnë në libër të printuar. 12 njerëz ishin pjesë e studimit. Ata lexuan pesë ditë në libër të zakonshëm dhe pesë ditë tjera në iPad. Testet e gjakut nga pjesëmarrësit rezultuan se ata që lexonin në ekranin e pajisjes, kishin mungesë të një hormoni thelbësor të gjumit. Ata, po ashtu, kishin më vështirë të dremitnin dhe të binin në gjumë të thellë. Lexuesit e tabletëve ishin më të lodhur në mëngjes.
Kjo shkaktohet nga emetimi i valëve të tabletave, falë dritave LED, që çrregullon orarin e trupit. “Drita e tabletave emetohet direkt në sytë e lexuesit, ndërsa te librat e printuar lexuesit i ekspozohen vetëm reflektimit të dritës nga faqet e librit”, – ka thënë hulumtuesi, profesor Charles Czeisler, për BBC-në. “Mungesa e gjumit rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, metabolike dhe sëmundje të tjera, duke përfshirë edhe kancerin”, – shtoi ai. Për këtë ekspertët këshillojnë që lexuesit e tabletave t’i largohen leximit në mbrëmje.

Flokët zbulojnë që jeni nën stres

Me analizën e flokëve mund të matet niveli i hormonit të stresit (kortizolit) në organizëm, ndërsa shkencëtarët nga Holanda theksojnë që ky zbulim mund të ndihmojë në zbulimin e rrezikut nga krijimi i sëmundjeve të zemrës dhe sulmit në zemër. Analiza e mostrës së gjakut mund të zbulojë nivelin momental të kortizolit në gjak, ndërsa analiza e flokëve mund të zbulojë trendin e rritjes së kortizolit në disa muajt e fundit. Shkencëtarët, hulumtimi i të cilëve është publikuar në revistën “Clinical Endocrinology & Metabolism”, theksojnë që me këtë hulumtim kanë zbuluar që personat e moshës së tretë, që kanë nivel të rritur të kortizolit, kanë rrezik dukshëm më të madh nga krijimi i sëmundjeve të zemrës. “Sikurse shtypja e lartë e gjakut ose yndyrat abdominale, edhe niveli i kortizolit është po ashtu faktor i rrezikut”, – ka deklaruar udhëheqësja e hulumtimit, dr. Laura Manenschijn. Shkencëtarët kanë analizuar flokët e 238 personave në moshën prej 65 deri 85 vjet. Kanë zbuluar që personat që kanë pasur nivel të lartë të kortizolit në disa muajt e fundit, po ashtu kanë rrezik të rritur për të krijuar sëmundje të zemrës, sulm në zemër dhe diabet të tipit 2. Rezultatet tregojnë që ekziston lidhje e qartë në mes nivelit të kortizolit në trup dhe rrezikut nga krijimi i sëmundjes së sistemit kardiovaskular. Personat e moshës së tretë, theksojnë shkencëtarët, duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë shëndetit të tyre. Ushtrimet e moderuara, si ecja e lehtë, ushqimi i shëndetshëm dhe mbajtja e jetës shoqërore i kontribuojnë kualitetit të jetës së personave të moshës së tretë.