Monitorimi i tregjeve në Tiranë për çmimet, por edhe për cilësinë dhe kushtet në të cilat tregtohen produktet ushqimore, vazhdon intensivisht në këto ditë të fundit të 2012-ës. Përfaqësuesit e bashkisë deklarojnë se deri tani, çmimet nuk kanë pasur luhatje të madhe nga një treg në tjetrin, ndërkohë që për momentin ende nuk është parë e arsyeshme të ngrihet tregu alternativ. “Ka një qëndrueshmëri në nivelin e çmimeve në përgjithësi të produkteve të vendit, ndërkohë që është konstatuar një rritje e lehtë tek produktet e importit, të fokusuar në këtë treg, ndërkohë tregjet e tjera tashmë kanë çmime, të cilat qëndrojnë në një mesatare konstante dhe të pandryshueshme. Kështu që, shpresojmë që ta mbyllim këtë vit pa na u dashur të hapim tregun alternativ, duke u ofruar qytetarëve mundësinë që të blejnë sa më shumë produkte. Në këtë treg, së bashku me Drejtorinë e Tatim-Taksave, do të marrim të gjitha masat që parashikon ligji për rritjen abuzive të çmimeve”, – u shpreh z. Ibrahimi. Ndërkaq, autoritetet e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit kanë shtrirë kontrollet në zonat periferike të Tiranës. Inspektorët kanë qenë në zonën e “Don Boskos” dhe kanë monitoruar nga afër tregtimin e produkteve ushqimore. Aksionet po mbështeten edhe nga Policia Bashkiake, e cila çdo ditë po largon nga rruga shitësit ambulantë, të cilët vazhdojnë të jenë një problem shqetësues dhe rrezik për shëndetin e konsumatorëve.