“Lirojeni këtë vajzë, sa pa na mbuluar turpi të gjithëve”

0
142

Nga: Mentor Kikia

Sot më shokuan dy lajme: Arrestimi i Suela Mustës dhe shkarkimi i Idriz Mulkurtit
Suela Musta, një vajzë, simbol i vuajtjeve në komunizëm, kolege gazetare dhe anëtare e AMA-s. Na doli bashkëpunëtore me bandat e Elbasanit, sepse në AMA ka votuar që Çapajt të marrin licensë për një TV Cabllor në Elbasan. Nuk ka ende shumë detaje se çfarë ka bërë Suela dhe një tjetër koleg i saj që është shpallur në kërkim. Policia nuk dha shpjegime, as prokuroria. Por ne kemi nevojë për këto shpjegime. Pasi Suela nuk u kap duke shpërndarë drogën e Çapjave, as duke vrarë ndonjë anëtar të bandës rivale.

Mbi të gjitha, licensën nuk e japin vetëm dy anëtarë të AMA-s. Dhe mbi të gjitha akoma, mos vallë ata të AMA-s do të duhej të dinin se çfarë aktiviteti kanë njerëzit që kërkojnë një licencë për të rishpërndarë internet dhe kanale televizive?(Kabllori nuk është stacion televiziv që prodhon e transmeton lajme). Po ata që i kanë dhënë Çapjave licensë për të ndërtuar dhe ushtruar aktivitet në një kompleks gjigand shërbimesh, mos vallë duhet të shkojnë në burg për këtë? Kur Çapajt nuk i arrestonte policia, apo i arrestonte në darkë e i lironte në mëngjes, çfarë do tu bënte Suela?
Lirojeni këtë vajzë sa pa na mbulur të gjithëve balta e turpit të kësaj drejtësie!

E dyta, gjykatës i krimeve të rënda, Idriz Mulkurti, u shkarkua se nuk justifikonte shlyerjen e një kredie 26 mijë Euro dhe se kishte mashtruar me qeranë e shtëpisë në Tropojë, ku kishte thënë se merrre 300 Euro në muaj, por në Tropojë qera është më lirë.

Faqja e zezë e vettingut. Dëbuan gjykatësin që mori kurajën dhe dënoi Dritan Dajtin, kur të gjithë të tjerët, gjykatës, prokurorë e avokatë, me një sms kërcënimi futën kokën nën poture dhe dorëzuan dosjen për 7 vjet me radhë. Idriz Mulkurtit kriminelët i futën vajzën në kurth, ia treguan foton në sallën e gjyqit e ai nuk u dorëzua, por vendosi dënimin me burgim të përjetshëm duke e shpëtuar drejtësinë shqiptare nga dështimi më i madh në historinë e saj, qëkurse ka lindur. Pikërisht këtë gjykatës e dëbuan, për aq para sa një koleg i tij në Vlorë, të cilin ky vetting e rikonfirmoi, ia lë bakshish kamarierit për “pordhë” kur shkon nëpër kazinotë e botës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here