Për herë të parë gazeta “Standard” ka botuar korpusin e letrave të panjohura deri më sot, letërkëmbimin midis De Radës dhe Dora d’Istrias, të nxjerra nga fondi i Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagenit. Letrat, të shkruara në janar-qershor të 1865-ës, i ka publikuar për herë të parë filologia Merita Bruci në një konferencë shkencore të mbajtur në Tetovë. Me rastin e djeshëm, të kujtesës së Dora d’Istrias si pararendëse e pavarësisë së Shqipërisë, risjellim kontributin e filologes Bruci, e cila disa prej këtyre letrave na lejoi t’i botonim, duke krijuar një panoramë mbi transmetimin e tyre në botimet shqiptare
Një rast, duke kujtuar kontributin e Dora d’Istrias si pararendëse e pavarësisë së Shqipërisë, na çoi në takimin me filologen Merita Sauku-Bruci, për t’u njohur me letërkëmbimet e famshme me Jeronin de Radën, një raport që mbetet sa i pashpjeguar aq edhe justifikues për arsyet historike. Letrat janë të panjohura, dhe të papublikuara.
I afrohemi në intervistën e mëposhtme, ashtu edhe me pjesë nga letrat, sfidës së transmetimit deri në ditët e sotme të kësaj trashëgimie, çfarë ka ndodhur me njohjen dhe artikulimin e tyre në botimet mbarëshqiptare. Bruci, e cila në një botim më 2004 (Elena Ghika a Girolamo De Rada – Lettere di una principessa, Studio introduttivo, trascrizione e note, Edizioni Bargjini, Tirana) sjell letrat e këtij fondi, të plota dhe në gjuhën origjinale frënge, të paraprira nga një studim hyrës dhe të plotësuara me sqarime të hollësishme, “ashtu siç e kërkojnë parimet rigoroze filologjike të përpunimit të një dokumenti dorëshkrim”.
Por, këtu kanë mbetur jashtë vëmendjes nëntë letra të panjohura deri më sot, të cilat Bruci i ka nxjerrë nga fondi i Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagenit (Dora d’Istria til De Rada, Alb. Saml. Theca III-8). Këto letra u botuan për herë të parë, me rastin e mbajtjes së një konference shkencore kushtuar Dora d’Istrias nga UEJL (Tetovë), të cilat janë shkruar në periudhën janar-qershor 1865, kohë kur Dora d’Istria jetonte në Livorno të Italisë, që “mbulojnë një periudhë kohore mjaft të rëndësishme në raportet ndërmjet të dy personaliteteve”. Bëhet fjalë pra, për raportet në letërkëmbimin e Dora d’Istrias me De Radën, pjesë nga të cilat i botojmë për herë të parë dhe për mediat në Shqipëri, të vëna na dispozicion nga filologia. Ndërsa na njofton se ka në dorë dhe letra nga fondi i Bibliotekës së Kozencës, që mund të përfshihen në një botim të plotësuar të kësaj korrespondence.
Çfarë mund të themi për situatën e përcjelljes, njohjes me letërkëmbimet e Dora d’Istrias me personalitetet shqiptare?
Nëse ende sot mund të gjejmë gjurmë të letërkëmbimeve të Helena Gjikës me personalitete shqiptare, këtë ia detyrojmë vetëm kujdesit për t’i ruajtur e trashëguar që kanë treguar marrësit e letrave të saj. Pra për aq sa njihet dhe është botuar, ky letërkëmbim ka vetëm një drejtim, nuk është bërë e mundur të gjenden gjurmë të letrave që Dora d’Istria ka marrë prej tyre. Këtë fakt e bën të ditur edhe studiuesi i njohur rumun dhe një nga botuesit e parë të letërkëmbimit të saj Nikola Iorga kur shkruan se “…kur ajo vdiq në vilën e saj në Firence, me siguri që ka lënë materiale epistolare të pasura dhe të çmuara, nga të cilat nuk na ka mbetur, për fat të keq, thuajse asgjë”.
Më i pasuri e më i çmuari mbetet letërkëmbimi i Dora d’Istrias me Jeronim de Radën ku çdo studiues i letërsisë, i gjuhës, i historisë apo i kulturës popullore shqiptare mund të nxjerrë informacione të vlefshme lidhur me atë periudhë të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve që njihet me emërtimin Rilindja Shqiptare. Në një vështrim më të ngushtë e më të personalizuar ky letërkëmbim hedh dritë edhe mbi veprimtarinë letrare e shoqërore të dy personaliteteve të spikatura të shek. XIX, botimet reciproke, gjykimet e shprehura dhe qëndrimet e mbajtura lidhur me ngjarjet e rëndësishme të kohës kur jetuan, a fakte të jetës së tyre familjare.
Çfarë keni vërejtur ju si studiuese në artikulimin e tyre në botime?
Letërkëmbimi i Dora d’Istrias me De Radën është i shpërndarë në 3 pika kryesore ku është depozituar sot trashëgimia e De Radës: Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë; Biblioteka Mbretërore e Kopenhagenit dhe Biblioteka Qytetëse e Kozencës. Në Arkivin Qendror të Shtetit të Republikës së Shqipërisë ruhen 110 letra dorëshkrim, të shkruara në gjuhën frënge nga Elena Gjika, e njohur më shumë me pseudonimin e saj Dora d’Istria, dërguar Jeronim de Radës. Dorëshkrimet e letrave ndodhen në fondin “Jeronim de Rada”, (F. 24, D. 54/1). Ky letërkëmbim përfshin një periudhë prej rreth 30 vjetësh. Letra e parë është e datës 10 nëntor 1859, dërguar nga Vejto, (Vo, Zvicër) ndërsa e fundit e datës 11 prill 1887 dhe është e dërguar nga Firence.
Shumë autorë, Kastrati, Bala, Kondo në shkrimet e tyre kanë cituar fragmente nga këto letra. Në 1977, në një libër të botuar me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Ahmet Kondo paraqet për herë të parë, të përkthyera në shqip 62 letra nga ky fond. Letrat nuk janë të plota, dhe fjali apo paragrafë të tërë janë hequr prej tyre. Meqë ky punim ishte i paplotë dhe jo i një niveli të kënaqshëm, po i njëjti autor ribën një botim tjetër më 2002, me të njëjtin titull duke dhënë shpjegimin e mëposhtëm “por ai libër ( botimi i 1977, MB) për shkaqet e njohura të sistemit politik të së kaluarës, u botua i cunguar dhe me mangësi në të gjitha letrat”. Pra i ndërgjegjshëm për mangësitë e punës së tij studiuesi – përgatitës i botimit na propozon një variant më të plotë, apo të plotë siç shprehet në kopertinën e pasme të librit. Numri i letrave të paraqitura në këtë botim është 105. Kondoja shkruan se ndër këto 105 letra të botuara janë edhe disa letra të riprodhuara sipas fotokopjeve të letrave origjinale që gjenden në Bibliotekën Kombëtare të Firences, por nuk thotë se cilat dhe nuk jep asnjë hollësi tjetër. Sipas verifikimeve tona janë vetëm 97 letrat që korrespondojnë me origjinalet që ndodhen në AQSH. Por edhe në botimin e 2002-shit në 30 prej 97 letrave konstatohen mangësi. Ka rreshta apo edhe paragrafë të tërë të hequr.
Në 2004 unë kam botuar letrat e këtij fondi të plota dhe në gjuhën origjinale frënge, të paraprira nga një studim hyrës dhe të plotësuara me sqarime të hollësishme, ashtu siç e kërkojnë parimet rigoroze filologjike të përpunimit të një dokumenti dorëshkrim. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Bargjini” (Merita Sauku-Bruci, Elena Ghika a Girolamo De Rada – Lettere di una principessa, Studio introduttivo, trascrizione e note, Edizioni Bargjini, Tirana, 2004).
Ndërsa nga fondi i Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagenit (Dora d’Istria til De Rada, Alb. Saml. Theca III-8) kam botuar edhe 9 letra të panjohura deri më sot. Këto letra që u botuan për herë të parë, me rastin e mbajtjes së një konference shkencore kushtuar Dora d’Istrias nga UEJL (Tetovë) janë shkruar në periudhën janar-qershor 1865, kohë kur Dora d’Istria jetonte në Livorno të Italisë dhe mbulojnë një periudhë kohore mjaft të rëndësishme në raportet ndërmjet të dy personaliteteve.
Në dorë kam edhe letra nga fondi i Bibliotekës së Kozencës, që mund të përfshihen në një botim të plotësuar të kësaj korrespondence.
Një marrëdhënie e njohur me De Radën, letërkëmbime të gjata, çfarë ishte ky raport?
Ata të dy jetuan në një kohë kur në Ballkan po formoheshin shtetet e pavarura kombëtare dhe nuk e konsideronin kombin shqiptar jashtë këtij procesi. De Rada i vuri vetes si mision të rindërtonte të kaluarën historike të shqiptarëve për t’i dhënë jetë kombit. Gjithçka vihet në dispozicion të këtij qëllimi, veprimtaria letrare, gjuhësore e publicistike e mbi të gjitha ringjallja e kujtesës historike që përcillej nëpërmjet traditës letrare gojore, këngëve e rapsodive. Tek Dora, De Rada e patriotët e tjerë gjetën të njëjtat interesa dhe propaganduesen më të zjarrtë të tyre. Ajo hapi portat e Evropës për ta e për çështjen shqiptare.
Letrat
Letrat e Dora d’Istrias për De Radën
Letrat e Dora d’Istrias për De Radën vënë në dispozicion për gazetën “Standard, përkthyer e kuruar nga filologia Merita Bruci. Letrat, gjenden në variantin origjinal në gjuhën frënge, gjuhë në të cilën janë shkruar. Bruci na njofton se këto janë shkëputur nga korpusi prej nëntë letrash të pabotuara
1-“Prej kohësh po merrem me një studim në të cilin propozoj të vë ne dukje cilësitë e kombësisë shqiptare në sytë e botës së qytetëruar, kam lexuar me shumë interes faqet që ju i keni kushtuar në veprën Parimet e estetikës. Kam vënë re që në këtë shkrim ju keni si projekt të afërt të botoni epopenë kombëtare të popullit shqiptar. A do të kishit mundësi të më jepni ndonjë detaj mbi këtë botim të rëndësishëm si edhe mbi poezitë tuaja, të cilat filologu i shquar Max Müller i lëvdoi shumë e që Z. Sier ia bëri të njohura Gjermanisë dijeplotë. Nga ana ime do të isha e lumtur t’ua paraqitja vendeve frëngjishtfolëse dhe të kisha në dorë kështu një provë të re të gjallërisë së kësaj race fisnike së cilës i përket familja ime (Gjikajt).
Kombit shqiptar i kam kushtuar tanimë, në veprën Gratë në Lindje, një libër të tërë (libri IV). Shtypi e ka pritur me shumë dashamirësi këtë panoramë, megjithëse e paplotë. Kjo provon se Perëndimi është i prirë në mënyrë të favorshme për një komb të sprovuar nga shumë fatkeqsi, por që duhet të ndjehet i lumtur, se në përpjekjet e tij ka mbrojtës të tillë si autori i Parimeve të estetikës.”
(Letër e Dora d’Istrias dërguar De Radës, Livorno, 17 janar 1865))
2- E etur për informacion Dora d’Istria thotë Bruci është gjithmonë në kërkim librave, studimeve, artikujve të botuar që kanë lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët. “Shkëmben të dhëna e libra, kërkon nëpër arkivat e Vjenës, Berlinit, Kostandinopojës, konsulton enciklopedi e fjalorë historikë në mënyrë që njohja e saj të jetë sa më e plotë dhe përfundimet që nxjerr të paqortueshme”.
“Ju falenderoj për informacionet interesante mbi rolin e shqiptarëve të Italisë në fund të shek. XVIII, që patët mirësinë të më dërgonit. Kuptohet fort mirë, siç ma thoni ju, roli që ata kanë luajtur asokohe. Nëse në një rast fatlum ia mbrrini të zbuloni ndonjë dokument mbi këtë periudhë të historisë së bashkatdhetarëve tanë, do t’jua dija shumë për nder po të më vini në dijeni.
E kuptoj fare mirë vështirësinë që kini të gjeni në Kalabri botime të huaja. Këto vështirësi e bëjnë edhe më të admirueshëm zellin që dëfteni për ringjalljen e poezisë dhe traditave kombëtare. Po ju dërgoj me postë studimin tim mbi Serbinë dhe fragmente nga vepra Ekskursione në Rumeli.”
( Letër e Dora d’Istrias dërguar De Radës, Livorno, 11 qershor 1865)
3- “Rreziku i njëmendtë i asimilimit të popullsisë shqiptare pas shpërbërjes së Perandorisë osmane i shtyn të dy eruditët tanë që rrugën e shpëtimit ta kërkojnë, në mungesë të një shteti kombëtar, në përcaktimin e origjinës së shqiptarëve, në studimin e folklorit, të gjuhës e të letërsisë kombëtare”- na thotë filologja duke na treguar një tjetër letër të Dora d’Istria dërguar De Radës:
“Shqiptarët nuk janë pra as sllavë, as helenë barbarë, por përfaqësuesit e një qytetërimi më të vjetër (pellasg-msb), një nga më të lashtit e Europës, i cili ka lënë monumentet dhe kujtesën në të dy brigjet e Adriatikut dhe të detit Jon, si në “fushat ku qe Troja” ubi Troja fuit, aty ku Hektori është përfaqësuesi i lashtësisë, ashtu si Skënderbeu është ideali i Mesjetës, dhe Boçari personifikimi kalorsiak i kohëve moderne; mbi të cilat shekujt, shqotat, revolucionet, tiranët, pushtimet, fetë, mynxyrat kaluan si shkulme të tërbuara pa arritur ta shfarosin, dhe që një ditë është e destinuar ta thyejë gurin e rëndë të varrit të tij. Qoftë thënë të ndodhë kështu! Të gjithë shqiptarët që e kuptojnë gjuhën frënge do të duan ta lexojnë veprën Greqia para grekëve. Për të tjerët, do të ishte pa dyshim e lakmueshme një përkthim, ose të paktën një analizë thelbësore se ky volum përmbledh të gjitha punimet e mëparshme të Ksilanderit, Bopit, Hanit, etj, për të cilët pjesa më e madhe e shqiptarë as që ja ka idenë”
(Letër e Dora d’Istrias dërguar De Radës, Firence, 16 prill 1879.)
4- Për Dora d’Istrian botimi i Rapsodive, – na shoqëron Bruci në paraqitjen e këtyre letrareve,- apo siç e quan ajo eposi kombëtar i popullit shqiptar, mbetet një problem i një rëndësie të veçantë. “Ajo e ndjek hap pas hapi përgatitjen për botim të veprës, dhe pas botimit për vite të tëra bëhet një nga propagandueset më të zjarrta në rrethet intelektuale, shkencore dhe letrare të Europës.”
Ja si i shkruan Dora d’Istria mbi këtë De Radës: “Patët një ide të shkëlqyer që të më dërgonit fashikujt tuaj, doradorës që po shtypen. Kjo do të më lejojë që të merrem menjëherë me këtë vepër. Unë besoj, ashtu si ju që është thelbësore – në interes të kombësisë e të letërsisë shqiptare, – që ky botim i rëndësishëm të bëhet i njohur sa më parë”
(Letër e Dora d’Istrias dërguar De Radës, Livorno, 29 qershor 1865.)
5- “Sa fshikullues është përcaktimi i individualizmit si “gjëmën e Shqipërisë” (le fléau de l’Albanie), e keqe që ka paralizuar e paralizon ende sot realizimin e projekteve që mund të arrinin rezultate të rëndësishme, aq e kthjellët dhe e vërtetë është bindja e Dora d’Istrias se “pa rilindje letrare nuk mund të ketë një ringjallje politike””. Kjo bindje, shkruan Bruci shndërrohet në moton shtytëse që frymëzon të gjithë veprimtarinë e saj: uniteti intelektual, shkencor dhe moral do të ishte bazë dhe për një unitet politik,- prej të cilave vjen letra e mëposhtme e Dora d’Istrias:
“Filologu i shquar (Lui Benlëv- msb) nuk e kupton indiferencën e përgjithshme të shqiptarëve lidhur me gjithçka që ka të bëjë me gjuhën e tyre. “Dijetarët, thotë me të drejtë ai, kanë peshën e tyre në peshoren e botës. Ai mendon pra, ashtu siç e thoja unë dikur me shumë këmbëngulje, që eruditët shqiptarë duhet të ishin organizuar me zell në trupa shkencorë, për t’u marrë gjallërisht me hartimin e fjalorit dhe të gramatikës, dhe për t’ju ofruar eruditëve të kombeve të tjera të gjithë materialet që ju mungojnë e që ata po i kërkojnë gjithandej.
Ai shton, se në kohën kur çështja e Lindjes së krishterë po troket në dyert e Gjykatës së Europës, ata që nuk do të mund të paraqesin meritat e të drejtat e tyre, mund të përballen me shumë zhgënjime”
(Letër e Dora d’Istrias dërguar De Radës, Firence, 16 prill 1879.)
Arkivi i Shtetit, 300 vajza shkodrane “Penë të Argjendtë” për Dora d’Istrian
Për një princeshë kurrë nuk përfundon historia. Në një aktivitet të organizuar dje në Muzeun Historik Kombëtar, ishte kujdesur të sillej diçka e re, siç ishte një pikturë e Penës së Argjendtë, dhuruar Dora d’Istrias nga 300 vajza shkodrane, ndërsa dedikimi ishte: “Një pasdite me Dora d’Istria-Muza evropiane e lirisë”. Princeshë rumune, por me origjinë shqiptare, ndryshe Elena Gjika u “rikthye” në Muzeun Historik Kombëtar në një përkujtimore ku morën pjesë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Melsi Labi, kryetarja e Shoqatës “Elena Gjika” në Tiranë, Rajna Kovaçi, nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar z. Dorian Koçi, nxënës të shkollës “Dora d’Istria” në Tiranë dhe dashamirës të personalitetit të Rilindjes Kombëtare Elena Gjika.
Drejtori i MHK Melsi Labi, në fjalën e tij “Dora d’Istria (Elena Gjika) në krijimtarinë e Dhimitër Kamardës”, tha: “Në shtegtimin e jetës së saj, Elena Gjika në muajin mars të vitit 1865, kur gjendej në Livorno, u njoh me Dhimitër Kamardën, dhe nga Livorno Elena Gjika u ka dërguar letra të shumta Thimi Mitkos, Zef Jubanit, Dhimitër Kamardës, Jeronim de Radës etj.”
“Dhimitër Kamarda i ka kushtuar Elena Gjikës dy libra “Fyletia arbërore” që u botua në Livorno, në vitin 1867 dhe “Shqiptarët për Dora d’Istrian”, që u botua më 1870 dhe në parathëniet e të dy librave Dhimitër Kamarda flet me superlativa për Elena Gjikën” vijoi Labi në fjalën e tij duke shtuar se “duke folur për princeshën rumune me origjinë shqiptare, Kamarda thotë “Ajo kishte mirësinë e engjëllit, hiret e fisnikërisë, të cilat e bënin një krijesë të veçantë”.
“Elena Gjika ishte një historiane, filologe dhe etnologe me njohuri të thella dhe Dhimitër Kamarda e ka quajtur Dora d’Istrian “Unazë qytetërimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, – tha veç të tjerash Labi. Ndërsa një studiueset më të afërta të Elena Gjika, Rajna Kovaçi në prirjen për ta shtrirë dimensionin e “princeshës” në një nivel socio-kulturore mbajti temën “Dora d’Istria, maratonomake e barazisë gjinore”.