Hetimi/ Prokuroria kthen në Ministrinë e Brendshme kallëzimin kundër Burgajt dhe Kuliçajt

0
140

Alma Çuka

agron kulicajKULICAJ-02_tn_9 Pas verifikimit dosja ka rezultuar me mangësi në dokumentacion. Prokurori i çështjes kërkon informacion më të hollësishëm. Vetëm pas këtij do të vendoset nëse do të thirren ish-zyrtarët

 Prokuroria e Tiranës i kthen mbrapsht Ministrisë së Brendshme kallëzimin penal kundër ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe zëvendësit të tij, Agron Kuliçaj, akuzuar për shpërdorim detyre, lidhur me ngjarjen e 21 Janarit ku u vranë katër protestues të opozitës së atëhershme. Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme pretendojnë se dy ish-drejtuesit e uniformave blu kanë penguar ekzekutimin e 6 urdhër-arresteve të Prokurorisë ndaj efektivëve të Gardës të dyshuar për ekzekutimin e protestuesve, por burime nga grupi që ka marrë në dorëzim këtë dosje pohojnë se materiali nuk ka të dhëna të plota. Burime nga organi i akuzës bënë me dije se pak ditë më parë kanë kthyer dosjen në Ministrinë e Brendshme, së cilës i kanë lënë edhe detyrat përkatëse. Të njëjtat burime konfirmuan se materiali i paraqitur nga Ministria e Brendshme nuk kishte të dhëna të plota, të cilat do të mund të hapnin rrugën një hetimi të thelluar. Burime të grupit të hetimit thanë se kanë pranuar të regjistrojnë në protokoll kallëzimin e referuar nga Ministria e Brendshme, por hetimet kërkojnë më shumë informacion. Ata pranuan faktin se nuk mund të marrin në pyetje personat e akuzuar që në këtë rast janë dy ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit, për aq kohë sa në drejtim të tyre ka vetëm një kallëzim, dhe jo fakte konkrete. Për këtë arsye i është kërkuar Ministrisë së Brendshme të vërë në dispozicion më tepër prova, me qëllim përfundimin e hetimit dhe përcaktimin e përgjegjësive për secilin.

 

Kallëzimi

Ministria e Brendshme akuzon ish-drejtorin policor Hysni Burgaj dhe zëvendësin e tij Agron Kuliçaj për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim. Dy ish-zyrtarët e lartë policorë u kallëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme për moszbatim të urdhrit për arrestimin e disa ushtarakëve të akuzuar për vrasje në ngjarjet e 21 Janarit 2011. Ministria e Brendshme kallëzoi ish-drejtorin e Përgjithshëm Hysni Burgaj dhe ish-zëvendësin e tij Agron Kuliçaj. Në bazë të kallëzimit, ish-zyrtarët Burgaj dhe Kuliçaj refuzuan të arrestonin 6 pjesëtarë të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës të akuzuar për përfshirje në vrasjen e 4 qytetarëve gjatë protestës së opozitës socialiste të kohës kundër selisë së Këshillit të Ministrave. Ministria e Brendshme i akuzon Burgajn dhe Kuliçajn për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim, duke mos zbatuar urdhrin e arrestimit për gardistët, përfshirë ish-komandantin Ndrea Prendi të lëshuar prej prokurores së Përgjithshme atë kohë, Ina Rama. Për 48 orë urdhrat e ish-kryeprokurores nuk u zbatuan, pasi Policia e Shtetit vërejti gabime në shkresat e lëshuara. Por, Ministria e Brendshme kërkon gjithashtu të hetohen prokurorët që nuk ndoqën penalisht ish-zyrtarët Burgaj dhe Kuliçaj për moszbatimin e urdhrave të arrestit. Në 21 Janar u vranë qytetarët Hekuran Deda nga Peshkopia, Ziver Veizi nga Gjirokastra, Aleks Nika nga Lezha dhe Faik Myrtaj nga Fieri.

Protesta më 21 Janar 2011 u organizua nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj të majtë kundër atij që e quajtën “korrupsion” qeveritar, pas transmetimit të një videoje ku ish-ministri dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta (sot Kryetar i Kuvendit) dyshohej se kryente bisedë korruptive me ish-ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti (zoti Prifti e kreu regjistrimin e videos në zyrën e tij). Gjykata e Apelit në 18 shtator 2013 dënoi me 1 vit burg ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i shpallur fajtor për vrasjen e protestuesit Faik Myrtaj dhe efektivin gardist Agim Llupo e dënoi me 3 vjet burg, pasi e gjeti fajtor për vrasjen e protestuesve Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Vrasja e Aleks Nikës nga Lezha ende ka mbetur pa autor më shumë se 3 vjet nga ngjarja. Ndërkohë që rekursi i Prokurorisë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit ende nuk është marrë në shqyrtim nga Gjykata e Lartë.

 

 Verifikimet/ Dosja “Xibraka”, Policia u kërkon ndihmë autoriteteve greke

Prokuroria e Krimeve të Rënda thellon hetimet për kokainën e Xibrakës. Paralelisht me hetimet që ky institucion po kryen për të zbardhur veprimtarinë kriminale të këtij grupi, zhvillon kërkime edhe Policia e Shtetit. Bëhet me dije se dy përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit kanë udhëtuar drejt Greqisë, me qëllim grumbullimin e informacionit për dy kolumbianët, pjesë e këtij trafiku. Zyrtarët mësohet se do të kërkojnë bashkëpunimin e autoriteteve greke për të hedhur dritë më shumë mbi hyrje daljet e dy kolumbianëve. Mendohet se këta persona kanë përdorur kufirin me Greqinë për të hyrë në vendin tonë. Dhe një informacion më i zgjeruar do të përcaktonte qartë se kur mund të kenë hyrë në Greqi për herë të parë të pandehurit. Ky afat do të sillte dhe një datë më të saktë për nisjen e veprimtarisë. Ka dyshime se dy kolumbianët e arrestuar në Shqipëri, Cesar Avila dhe Walter Moreno kanë bashkëpunëtoret e tyre në Greqi, ku njëri prej të dyshuarve i identifikuar tashmë nga policia ka hyrë brenda territorit shqiptar disa herë. Hyrja e tij e fundit rezulton me datë 8 nëntor, ditën kur në territorin shqiptar kanë hyrë edhe dy kolumbianët e arrestuar dhe disa ditë më pas është kthyer përsëri në Greqi. Por ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda po punon për përcaktimin e sasisë së kokainës së pastër e cila dyshohet se mund të jetë më e madhe se ajo e përcaktuar tashmë nga policia pas sekuestrimit në vendin e ngjarjes, prej rreth 20 kg. Ajo që për hetuesit tashmë është e provuar janë dyshimet e Prokurorisë së Hanoverit të Gjermanisë, e cila që në mars ka nisur hetimet ndaj Ilir Hysenit dhe bashkëpunëtores së tij, Pranvera Ebeling. Ky informacion është dërguar pranë akuzës shqiptare, e cila gjatë veprimeve të kryera ka zbuluar rrjetin e trafikut të drogës dhe laboratorin e Xibrakës, ku edhe u arrestuan 9 të dyshuarit.

 

Itali/ Trafiku i drogës, kapet banda me 13 persona, mes tyre 4 shqiptarë

Policia e shtetit fqinj, Itali, ka kryer një operacion i cili është finalizuar më arrestimin e 13 personave, mes tyre dhe katër shqiptarë. Mediat italiane, duke iu referuar policisë, bëjnë me dije se grupi i të arrestuarve merrej kryesisht me shitjen e drogës, grabitje e shfrytëzim prostitucioni dhe vepronte ne zonën e Teramos. Gjatë operacionit të koduar “Huatai” janë arrestuar 13 personat si dhe është parandaluar krimi i radhës i grupit, të cilët kishin vënën në shënjestër një dyqan bizhuterish. Karabinierët e repartit operativ në Teramo, nën drejtimin e kolonel Giovanno Tosti dhe të kapitenit Nazario Giuliani, kanë dhënë 13 masa arresti me burg, kanë sekuestruar rreth një kilogramë kokainë si dhe rreth 30 kilogramë hashash. Siç ka thënë edhe prokurori Antonio Guerriero gjatë një konference për shtyp, banda konsiderohej me rrezikshmëri të lartë dhe tepër aktive. Sipas policisë italiane, të arrestuarit janë: Cristian Ciabattoni, 43 vjeç nga Mosciano Sant’Angelo (Teramo), Gabriele Di Bonaventura, 54 vjeç nga Teramo, Giuseppe Cacciapuoti, 47 vjeç nga Giuliano in Campania (Napoli), Diego Cestarella, 51 vjeç nga Mosciano, Igli Hyska, 36 vjeç me banim në Tortoreto, Daniel Spahiu, 30 vjeç, banues në Alba Adriatica, Olti Demaj, 33 vjeç, banues në Sant’Egidio alla Vibrata, Erion Shima, 35 vjeç, banues në Alba Adriatica, Simona Durillo, 41 vjeçe, nga Mosciano, Gioacchino Giannoccoli, 41 vjeç, nga Alba Adriatica. Inna Kozhayeva, 41 vjeç, me banim në Alba Adriatica, Fabrizio Di Matteo, 32 vjeç nga Giulianova Gianni Rastellini, 38 vjeç, nga Giulianova.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency