Alma Çuka
Nipi i ish-diktatorit mohon lidhjen me drogën dhe anëtarët e grupit kriminal. Ilir Hyseni nuk apelon vendimin e arrestit me burg. Kundërshton bashkëpunimin me akuzën
Ajo që pritej duket se po ndodh. Nipi i ish-diktatorit nuk pranon të jetë pjesë e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ndërsa miku i tij i ngushtë, Ilir Hyseni, ndryshe nga ai, pranon se ka qenë pjesë e trafikut të drogës, duke bërë edhe veprimin e parë, pro akuzës, nuk apeloi vendimin për caktimin e masës së sigurimit personal. Në këto kushte, Ermal Hoxha u paraqit gjatë ditës së djeshme në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, me shpresën se trupi gjykues do merrte parasysh alibinë e tij se është i varfër, nuk ka as shtëpi e as makinë, ka shoqëruar dy kolumbianët për nevoja ekonomike e të tjera hamendësime si këto. Por më kot. Gjykata nuk i hoqi asnjë presje vendimit që kishte dhënë ndaj Hoxhës, shkalla e parë.
Avokati i Hysenit
Është quajtur koka e trafikut të kokainës nga Shqipëria drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Ilir Hyseni ka marrë përsipër riskun në këtë trafik dhe nuk kërkon të luajë me akuzën. Pranon fajin. Madje e ka shfaqur hapur. Përmes avokatit të tij Ferdinand Doja, një penalist i njohur, Ilir Hyseni rrëfen se është pjesë e trafikut, por përjashton nga ky trafik të dashurën e tij Pranvera Ebiling. Ashtu si shpjegon edhe avokati, Hyseni ka përdorur makinën e të dashurës së tij për të transportuar drogën. Për avokatin, Ebiling është e pafajshme, madje ai shprehet se ka komunikuar me të dhe shumë shpejt ajo do të kthehet në vend për të dhënë shpjegime të hollësishme lidhur me pozicionin që ka në këtë rast. Avokati Doja ka rrëfyer edhe një detaj tjetër. Ilir Hyseni, klienti i tij nuk do të bashkëpunojë me drejtësinë për të zbardhur rrjetin e këtij trafiku të madh të drogës, persona të tjerë, skemën se si funksiononte, rrugën që ndiqej dhe financuesit. Avokati Doja për herë të parë pranoi se klienti i tij është person i kërkuar nga Interpoli kanadez. Ai ka hyrë e ka dalë disa herë në vendin tonë. Ndërsa në Kanada ka përdorur emrin e tij të vërtetë, Bali Meta. Pikërisht me këtë emër ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndërsa në vendin tonë është arrestuar me emrin Ilir Hyseni.
Apeli
Gjykata e Apelit vendosi masën e sigurimit me burg për nipin e ish-diktatorit. Të njëjtin vendim Gjykata e Apelit ka dhënë edhe për të arrestuarit Kastriot Imeri dhe Kelmend Dalipi pavarësisht kërkesës së tyre për apelim. Kelmend dhe Arjan Dalipi, kishin apeluar masën e arrestit me burg, duke kërkuar lirinë me argumentin se ata magazinën ku u zbulua laboratori i kokainës e kishin dhënë me qira tek të tretët për biznes bojërash dhe në këtë mënyrë sipas tyre nuk kanë asnjë lidhje me drogën.
Të arrestuarit të cilët kanë apeluar arrestin me burg:
Kelmend Dalipi
Arjan Dalipi
Ermal Hoxha
Gentian Gjonaj
Sajmir Batku
Kastriot Imeri
Itali/ Dyshohej për tentativë vrasjeje, qëllohet për vdekje një i ri shqiptarPolicia italiane në 1 shkurt ka qëlluar ndaj një të riu shqiptar, me dyshimin se ishte duke tentuar të kryente një vjedhje. Gjatë ditë nga ngjarja i riu shqiptar nga një fshat i Dibrës ka humbur jetën në spital, teksa nuk mundi t’u shpëtonte plagëve të marra. Quhet Korab Xheta dhe është 23 vjeç. I riu është plagosur nga karabinierët pasi u qëllua me plumba në kokë, në Ostra Vetere, lokalitet i Ankonën, Itali. Policia tha zyrtarisht se Korab Xheta u qëllua gjatë një tentative vjedhjeje në zonën e Ostras afër Ankonës, te një banesë në lagjen Castelleone di Suasa. Karabinierët në postbllok shtinë 5 herë, 4 nga një armë “Beretta” dhe 1 nga një tjetër, po pistoletë Beretta. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur në kokë Korabi. Policia tha se bashkë me të riun e qëlluar ishin edhe dy persona të tjerë të cilët nuk janë ndaluar. Pas pesë ditë lufte me vdekjen, i riu ndërroi jetë në spitalin rajonal Torrette të Ankonës. Korab Xheta, 23 vjeç, lindur në fshatin Shupenzë të rrethit Dibër, u identifikua nga i vëllai. Korabi ishte rezident me dokumente të rregullta në periferi të Napolit. Sipas karabinierisë, i ndjeri nuk kishte asnjë precedent penal. Viktima ishte mbajtur gjallë me aparaturë për afro pesë ditë. Pas kryerjes së autopsisë, trupi i të ndjerit do t’u dorëzohet familjarëve për të kryer ceremoninë mortore.
Tiranë/ Dyshohet se grabiti banesën e xhaxhait në Kamëz, ndalohet i mituri
Një djalë i moshës 15-vjeçare është arrestuar ditën e djeshme në kryeqytet. I riu akuzohet për kryerjen e veprës penale të vjedhjes. Burime nga polica bëjnë me dije se 15-vjeçari, rreth orës 08:30, dyshohet se ka hyrë në banesën e xhaxhait të tij në Bathore, Kamëz, dhe ka vjedhur sende, mbase edhe shuma monetare, të cilat nuk janë bërë të ditura nga zyrtarët. Xhaxhai i T. M. ka bërë kallëzimin penal në polici për këtë ngjarje dhe rreth orës 23:00 të ditës së pardjeshme, 15-vjeçari është arrestuar në flagrancë.