Një dramë që e dëmtoi Kosovën

0
147

Enver Robelli

Para një viti presidenti i Kosovës, i përkrahur nga kryeministri i Shqipërisë, dhe që të dy të entuziazmuar nga ideja e kryetarit serb, nisën – furishëm – fushatën për “korrigjimin e kufijve” të Kosovës. Sot Kosova është edhe më thellë në qorrsokak – dhe faji nuk është vetëm i presidentit.

Para një viti kryetari i Kosovës e filloi një hata retorike. Befas nisi të dalë në konferenca për shtyp dhe të flasë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ndarje nuk do të ketë, insistoi ai. Tha se do ta shtrojë për diskutim me palën serbe deklarimin plebishitar të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të vitit 1992, për bashkim me Kosovën. Raportimet e medieve rreth opsionit për shkëmbimin e territoreve i quajti “lajme të rreme”, por tha se do të ketë korrigjim të kufijve me Serbinë. “Do të kemi korrigjim të kufijve. Sikurse që kemi punuar me të gjitha shtetet e rajonit dhe kemi arritur marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi edhe me Maqedoninë, në rastin e njohjes reciproke të dy vendeve do të kemi kufij shtetërorë, kemi rreth 400 kilometra vijë kufitare me Serbinë”, tha ai më 31 korrik 2018.
Pastaj presidenti i Kosovës nisi të atakonte të gjithë ata që e kundërshtonin apo së paku i thoshin se në deklarimet e tij ka shumë kontradikta, se këtë barrë nuk mund ta bartë vetë, se duhet urgjentisht konsensus shoqëror, dakordim me partitë politike të pozitës dhe opozitës, një lloj pakti mirëbesimi me kosovarët.
Asgjë nga këto nuk i interesonin presidentit të Kosovës. Me Amerikën pas ai mendonte se do të shtynte përpara çdo ide, ndonëse as administrata e re në Washington nuk e kishte të qartë se cili është plani që po mendonin të gatuanin presidenti i Kosovës dhe ai serb. Por “nëse ju merreni vesh, e shohim”, ky ishte mesazhi nga Washingtoni, ku presidenti aktual e humb vëmendjen për një problem pas 5 minutave.
Në aventurën për “korrigjimin e kufijve” të Kosovës, kryetari i Kosovës gëzoi përkrahjen e kryeministrit të Shqipërisë, i cili me deklaratat e tij për Kosovën ka shkaktuar shpeshherë dëm dhe ka polarizuar shoqërinë. Është i vetmi kryeministër i Shqipërisë të cilit ia ka bojkotuar fjalimin opozita në Kosovë për shkak të një fjalimi ku tentonte ta rishkruante historinë e Kosovës, duke injoruar lëvizjen paqësore dhe meritat e saj për mëvetësinë e Kosovës. Është i vetmi kryeministër shqiptar që flet pa takt për Kosovën. Në ceremoninë e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë propozon president të përbashkët – një provokim i kalkuluar ndaj Bashkimit Evropian, të cilit dëshiron t’i thotë: nëse nuk na pranoni në BE, do të bashkohemi ne shqiptarët. Kush e quan kryetarin e Kosovës tradhtar, ai është gomar – me këtë porosi nga Peja kryeministri shqiptar shkaktoi mjaft tensione në opinion, sepse me këtë ai nuk e mbronte presidentin e Kosovës nga një akuzë e rëndë që ia bënin oponentët më agresivë, por e mbronte idenë për “korrigjimin e kufijve”. Gjatë 12 muajve të fundit në skenën politike të Tiranës dhe të Prishtinës pamë dy politikanë – kryeministri dhe kryetari – duke i bërë reklamë idesë së presidentit serb për “përkufizim” me shqiptarët.
U pa se lojëra të tilla, të lozura tinëz opinionit, është vështirë të luhen. Nuk mjaftojnë lobuesit e paguar me para të shtetit dhe pa i dhënë llogari askujt. Nuk mjaftojnë mercenarët publicistikë. Nuk mjaftojnë diplomatët e pensionuar. Nuk mjafton propaganda. Në 12 muajt e fundit përshkallëzoi deri në neveri konflikti verbal mes kryetarit të Kosovës dhe ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha. U shanë dhe u mallkuan sa mundën, u shtynë se cili është më tradhtar e më bashkëpunëtor i Serbisë.
Pas një viti mund të thuhet se debati për “korrigjimin e kufijve” e ka futur Kosovën edhe më thellë në qorrsokak. Sponsorët e kësaj ideje i bënë bashkë presidentin serb dhe atë kosovar në një forum në Austri, secili e luajti rolin e vet: nuk pati kritika të ndërsjella dhe njëri tha: “Na jemi djem të mirë”. Ata mund të jenë djem të mirë, por me ide të këqija, pa kredibilitet publik për shkak se personifikojnë shumë të këqija që kanë pllakosur të dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë. Samiti i Berlinit sikur i dha fund tani për tani debatit, por si më tutje? Duket se askush nuk ka përgjigje. Sidomos jo në Kosovë. Kryeministri i Kosovës mund të lavdërohet se arriti “të pengojë ndarjen”, mund të rrahë gjoks se e priti Angela Merkelin në Berlin, se më parë në Samitin e Berlinit e mbrojti Kosovën “si luan” në përballje me presidentin francez Emmanuel Macron. Por i njëjti, pra kryeministri i Kosovës, e mori mandatin me deklaratën se nuk ka kohë të merret me negociatat me Serbinë etj. Nëse ky nuk ka kohë, mund të ketë ndokush tjetër, në këtë rast kryetari i Kosovës. Me përjashtim të Vetëvendosjes të gjitha partitë kanë qenë të lumtura që patatja e nxehtë i mbeti në dorë presidentit të Kosovës, sepse bisedat me Serbinë janë temë jopopullore në Kosovë, andaj më mirë le të digjet presidenti, punë e madhe! Në fakt u dogjën gati të gjithë aktorët politikë dhe triumfoi papërgjegjësia. Të fundit e dogjën edhe Partinë Socialdemokrate. Pas pushimeve verore drama që e dëmtoi Kosovën mund të vazhdojë, sepse ka një plan. Ai plan është i Serbisë, për atë plan ka filluar të negociojë presidenti i Kosovës. Serbia nuk ka arsye të tërhiqet. Do të përsërisë vazhdimisht se i është premtuar një copë e Kosovës, pastaj shohim e bëjmë – ndoshta Kosova hyn në OKB, ndoshta jo, sepse kjo varet nga Rusia dhe jo nga Serbia./marre nga koha.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here