“Pakica që njeh vetëm PPP”, Meta evidenton ligjin “Për dividentin” si rast flagrant të kapjes së shtetit

0
117

Presidenti i Republikës, Ilir Meta postoi sot në profilin e tij në Facebook një tjetër mesazh në vijim të komunikimit institucional me Kuvendin e Shqipërisë, duke sqaruar se çështjet e ngritura janë publike dhe kërkojnë zgjidhje të përgjegjshme në respekt të Kushtetutës dhe respektimit të ligjshmërisë në vend, në respekt të parimit të ndarjes dhe balancës të pushteteve, por dhe detyrimit të pashmangshëm për bashkëpunim ndërinstitucional vetëm në interes të vendit dhe qytetarëve.

Përmes të tjerave në këtë mesazh Kreu i Shtetit thekson se konflikti politik është “i orkestruar dhe mbështetur nga një pakicë që përfiton me të gjitha qeveritë e radhës, si dhe garanton përmes zhurmës dhe tymit të sherrnajës së përhershme atje (në Kuvend) miratimin e ligjeve preferenciale e selektive që dëmtojnë interesin e përgjithshëm, buxhetin e shtetit dhe familjet shqiptare”.

Meta thekson se vetëm kësaj pakice, që nuk njeh rotacion, por njeh vetëm PPP me të gjitha qeveritë, i intereson kjo krizë e përgjithshme që ka rrëzuar të gjithë sistemin e llogaridhënies në vend si në nivel qendror edhe vendor.

“Kësaj pakice, që nuk ka asnjë lloj ideologjie i intereson vetëm shpikja e konflikteve të pafund në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të zhvishen çdo ditë nga të drejtat e tyre të fituara me aq sakrifica çdo ditë dhe të kthehen skllevër në atdheun e tyre”, – shkruan Presidenti, i cili në fakt edhe në letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ruçi pak më parë i është referuar qartazi edhe çështjes së PPP-ve. Dhe është pikërisht ligji nr. 94/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar (Dividentin) që është sjellë në vëmendje nga Meta si një rast flagrant që duhet verifikuar dhe hetuar se si u propozua apo si u formalizua vullneti i qeverisë dhe i organeve të Kuvendit, duke i shërbyer ekluzivisht kësaj pakice që interesohet vetëm për krizën dhe sa më shumë PPP.

Më poshtë edhe paragrafi në letrën e Presidentit drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ruçi, ku ngrihet shqetësimi për mënyrën se si u miratua një ligj, që përveçse është klientelist, ka edhe shkelje të rëndë kushtetuese:

“Gjithashtu nëse do të kishim patur në vijimësi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, ajo do të mund të shqyrtonte disa prej ligjeve të miratuara nga Kuvendi, të cilët në vlerësim të Presidentit të Republikës janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe cenojnë rëndë interesin publik në vend.

Presidenti i Republikës, ndërmjet këtyre ligjeve, vlerëson t’ju shprehë ju si Kryetar i Kuvendit se është shumë e nevojshme të verifikohet dhe të hetohet se si u propozua apo si u formalizua vullneti i qeverisë dhe i organeve të Kuvendit në miratimin e ligjit nr. 94/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar (Dividentin).

Në kundërshtim flagrant me nenin 155 të Kushtetutës, i cili ndalon trajtimin e lehtësuar fiskal preferencial me efekt prapaveprues, Kuvendi miratoi ligjin nr. 94/2018, duke i dhënë fuqi prapavepruese lehtësimit fiskal mbi dividentin e pashpërndarë për kategori të caktuara subjektesh dhe me efekt prapraveprues të pakufizuar në kohë.

Konkretisht me ligjin nr.94/2018, Kuvendi përcaktoi se norma e tatimit mbi dividendin do të reduktohej nga 15 % në shkallën 8 %, dhe kjo shkallë tatimi do aplikohet jo vetëm për të ardhmen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, pa kufizim kohor, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara.

Pikërisht efekti prapaveprues i këtij ligji bie ndesh me nenin 155 të Kushtetutës, ku citohet shprehimisht se:

“Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”, sqaron Meta në letrën drejtuar Kuvendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here